Presidenti amerikan, Donald Trump pas nënshkrimit të marrëveshjeve me Kosovën dhe Serbinë ka paralajmëruar vizitë në të dyja shtetet.
Por teksa Donald Trump fliste rreth marrëveshjes, ai bëri edhe një surprizë të pakëndshme për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Në momentin kur Trump përmendi faktin se Serbia do të vendosë ambasadën në Jerusalem, Vuçiç i habitur rishikon dokumentin që ka në tryezë dhe që firmosi duke e shfletuar me shpejtësi për të kërkuar pikën në fjalë.
“Ambasada e Serbisë do të zhvendoset në Jerusalem në korrik. Është një punë e madhe, është një hap i madh. Unë vërtet e vlerësoj atë. Unë e përgëzoj presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës për guximin e tyre” tha Trump gjatë nënshkrimit të marrëveshjes.
Gjithashtu Trump bëri të ditur se Izraeli e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Sipas kësaj marrëveshjes, Serbia është zotuar se do ta zhvendosë ambasadën në Jerusalem dhe se Kosova dhe Izraeli janë dakorduar për normalizimin dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Presidenti Trump e ka quajtur këtë moment historik. “Me të vërtetë, është historike”, tha Trump, duke qëndruar përkrah dy udhëheqësve në Zyrën Ovale. “Unë pres të shkoj në të dy vendet në një të ardhme jo shumë të largët”, citohet të ketë thënë presidenti amerikan.
Top Channel