Nga Klodi Kadillari
Me një teknikë të vijave të prera e të sakta shoh ne tablotë e ndryshme te artistit Miftar Memeti artin e Rilindjes të cilës i dha jetë dhe formë përmes portretit të humanistes Gonxhe Bojaxhiut apo të portretit të figurës Kombetare Gjergj Kastrioti.
E ndërsa ndalesh dhe shikon apo arrin të perceptosh artin e Memetit ti me pavetëdije ke hyrë në ndjesite e brendshme të artistit dhe këtu nis një komunikim njerëzor me figurat e historisë shqiptare. Edhe pse jane portrete të njohura nga të gjithe ajo që të bën të hysh në perceptim eshte analiza pisko-emocionale e këtyre portreteve. Janë pikërisht rrudhat e lëkurës që palosen si një firzamonike në fytyrën e Nënë Terezës , është shikimi i saj i sigurtë i thellë i një femre shqiptare, është kërrusja e trupit të saj lakuar nga pesha e dhimbjes, e sakrificës, e endjes dhe e moshës që artisti ka ditur kaq bukur ta shfaq përmes ngjyrës blu dhe të bardhë përmes ngjyrës se katarsisit dhe të paqes.
Artisti Miftar Memeti e ka hijëzuar përmes portreteve të shumta për të na dhëne se fundmi portretin e madh që quhet Nënë Terezë apo ashtu si e meriton të quhet bija jonë Gonxhe Bojaxhiu.
Artisti Tetovar Miftar Memeti me artin e tij ajo që më bën përshtypje përveç detajeve që i punon si p.sh harku i vetullës se Gjergj Kastriotit apo shikimi i tij vizionar apo detajet e dorës së Gonxhe Bojaxhiut etj ajo që më tërheq vëmendje është elementi i ngjyrës së kuqe e ndërthurur me një të verdhe vjeshtore dhe vazhdon të përzihet me ngjyren e tokës duke të ofruar një imazh të një toke që rënkon, të një dashurie që gëlon përmes së kuqjes e cila për nga historia është bërë si gjaku i shprishur në gjuhen arbërore dhe të një vjeshte që për ne shqiptarët nuk mbaron kurrë.
Me këtë ndjesi të pastër,si frymëmarrja e ajrit të Malit të Sharrit, me vezullimin e lumit të Vardarit dhe me bekimin e Gonxhe Bojaxhiut unë e shpreh këtë ndjesi duke i uruar artistit Miftar Memeti shume krijime të tjera sepse kemi nevojë të njihemi me identitetin tonë i cili fillon nga pragu i shtëpisë.