Home KRYESORE Dhunimi i selisë së PS në Shkodër, Ademi padit drejtuesit e Policisë

Dhunimi i selisë së PS në Shkodër, Ademi padit drejtuesit e Policisë

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi ka denoncuar në prokurori punonjësit dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit, duke i akuzuar për “Shpërdorim të detyrës”.

Ademi thotë se një grup të rinjsh të cilët nuk i njihte kanë dhunuar selinë e PS dhe policia nuk ka reaguar dhe pse ajo kishte njoftuar autoritetet më të larta të Policisë në Shkodër.

“Qytetarët duhet ta dinë se kur disa të rinj, të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë, u drejtuan nga selia e PS, njoftova autoritetet më të larta të Policisë në Shkodër. Policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim. Ata nuk ju përgjigjën thirrjes për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike”- thuhet në kallëzimin e Kryetares së Bashkisë Shkodër ndaj drejtuesve të Policisë Shkodër.

Kallëzimi penal është bërë për mos zbatim të detyrave që sanksionon ligji për policinë, përkatësisht për mos angazhimin në mbrojtjen e pronës publike dhe private; mos ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike; mos parandalimin në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal; për mos marrje dhe trajtim pranë strukturave përgjegjëse, ankesat e shtetasve, në mënyrë të veçantë kallëzimet penale ose informacionet e dhëna në rrugë të ndryshme për vepra të ndryshme penale./ Opinion.al

Share: