Nga Nardi Olli
Në fakt, teknologjia ofron mundësi pafund komunikimi privat apo publik në ditët tona! Në sajë të kësaj arritje teknologjike po ndjek drejtpërdrejtë nga qyteti im Korça timonierin dhe pasagjerët e autobusit të tij të rraskapitur nga skandalet. Është timonier i ‘zoti” nuk ke çfarë thua për të kaluar rrugë e pa rrugë! Ju flet korçarëve presupozohet, por për rrugën e Arbrit. Asnjë gjysmë fjale për aksin Qukës-Qafë Plloçë, që ka lidhje direkt me Korçën dhe që kanë 8 vjet që e kanë bërë si pëlhura e Penelopës…. Sigurisht mos prisni që të flasë për aksin Korçë-Ersekë-Leskovik….
Qartësisht për timonierin është e rëndësishme të shkelë në shtigje të panjohura se akset nacionale nuk përbëjnë sfidë për të…. U referohet investimeve të korçarëve punëtorë, të cilët me investimet e tyre e kanë shndërruar Korçën në një atraksion të vërtetë turistik, por ama është punë e tyre dhe jo e timonierit dhe pasagjerëve të tij. E vetmja gjë që kishte në dorë timonieri ishte tua bënte sa më të lehtë barrën fiskale në këtë vit pandemie, por as që bëhet fjalë! Qarku i Korçës mbështetet fort te bujqësia dhe blegtoria, por timonieri në vizionin e tij kozmik nuk mund të trajtojë çështje të “bagëti e bujqësi”, se nuk është në nivelin e tij…..
Nuk përmend fare, po fare sa miliona dollarë kanë humbur fermerët korçarë nga paudhësitë e tij dhe qeverisjes së tij! Asnjë shifër, as një krahasim, asnjë ballafaqim me pak vite më parë apo se ku synon të shkojë në të ardhmen! Asnjë fjalë për be! Flet për të riun e Lekasit e i thotë se është i paduruar që të shijojë arritjet e rilindjes së tij dhe ka të drejtë të ikë në botë, por nuk i shpjegon se pse pasagjerët e tij në pushtetin lokal e qëndror nuk janë në gjendje ti mbajnë rrugën hapur nga dëbora këtij të riu apo atij të Panaritit, që të paktën ta ketë rrugën e mbarë kur të ikë! Flet për të drejtën e lëvizjes, por harron se raportet ndërkombëtare e nxjerrin Shqipërinë në vendin e dytë pas Sirisë në kërkesat për azil në Evropë.
E të quash këtë hemorragji kombëtare dëshirë për lëvizjen e lirë, nuk është thjesht cinizëm, por fakt konkret se po veprohet qëllimisht! Asnjë fjalë se u ka vrarë shpresën dhe se është korrupsioni në çdo qelizë të pushtet-shtetit të tij që i detyron të ikin nga sytë këmbët ata dhe çdo sipërmarrës që mund të ofronte të ardhme dhe punë! Ai dhe kryetari i tij i bashkisë flasin për resorte skish, që shumë mirë është të të bëhen, por harrojnë që të dy të përmendin faktin se me dhjetëra fshatra rreth e rrotull Korçës vijojnë të mos kenë ujë të pijshëm, ndërkohë që ujërat e zeza zbrazen në sipërfaqe si dëshmi e qartë e dështimit të timonierit! I cili tani, pasi e zbarzi tepsinë e ka kthyer në një dajre për tallavanë e tij të përrallave me mbret!
Asnjë fjalë për vizionin në nivel qeverie apo bashkie për një sistem ekologjik ngrohje dhe ekonomik a thua se korçarët mund të djegin pallavrat e tij për t’ u ngrohur në këto ditë të ftohta dimri e çdo dimri! Asnjë fjalë për Korçën turistike, që në dimër ka ajrin më të ndotur në Shqipëri! Monologu i tij, stisur me pyetje me porosi nuk mund të mbulojë dështimin spektakolar të tij dhe pasagjerëve të tij. Sigurisht që nuk jam ekspert ekonomie, por kur tregon përallën e PPV-e, KÇK-ve, CHECK UP dhe na thotë se i marrim shërbimet falas, por harron të thotë se i paguajmë shumë më shtrenjtë sa duhet po me lekët tona, që na i merr nga taksat. Shërbim falas, por të paguar vetëm ky timonieri unë mund ofrojë….
E besoj kur thotë se nuk ka oligarkë, pasi oligarkët e vërtetë është ai dhe pasagjerët e autobusit të tij! Është njësh… Të dalësh në një ballafaqim publik pa asnjë shifër dhe ballafaqim me premtimet e 8 apo 4 viteve më parë, kjo vetëm në Republikën e Tepsisë Rilindiste mund të ndodhë! Mund të kalosh orë të tëra duke i numëruar bëmat e gjëmat që i ka bërë Korçës dhe gjithë Shqipërisë, por jam shumë i bindur se shqiptarët dhe korçarët ia dinë edhe më mirë se unë. Sot të gjithë jemi të bindur se ka dy Shqipëri: një reale halleplot dhe një virtuale në 3D dhe imagjinatën e Ramës!
Thjesht dua t’ i kujtoj timonierit se ka një histori andej nga anët tona me të famshmin Nastradin, i cili u kthyen mbrapsht në Qafë Thanë, duke përdorur një shprehje shumë epike! Timonier mbaro sa më shpejt atë aksin Qukës-Qafë Plloçë, që të paktën gjeografikisht të mos kalosh për në Juglindje nga Qafa Thanës e të dëgjosh ndonjë tjetër shprehje epike….