Home KRYESORE Pastori në Për-puthen!?

Pastori në Për-puthen!?

Nga Akil Pano

“Nuk ma rrok truri në asnjë çast se si mundet një njeri që predikon urtinë e shenjtë, të jetë i pranishëm e diskutojë, në një formë të tillë?!”

Kështu e nis postimin nje vajzë mbi praninë time në emisionin ‘Për-puthen’. I jam vërtetë mirënjohës shkrueses së këtij mesazhi, pasi diskutimi mbi tema të këtij lloji, është një diskutim i munguar në kontekstin tonë kulturor.

E mirëkuptoj, vështirësine për të mos (rrokur) kuptuar, pasi nuk ka ndodhur ndonjëherë në kulturën e debatit publik që zhvillohet në vendin tonë, të shohë a degjojë që një pastor, apo perfaqësues besimi, të marrë pjesë si opinionist ne ‘Për-puthen’ apo në një emision me tematikë të ngjashme. Tani, për arsyen se prania ime në këtë emision duket që ka ngjallur diskutime dhe polemika në debatin publik, nisur nga shkrimi që citoj në hyrje të shënimit tim të sotëm ndjej pergjegjësine morale të komunikoj me ju disa të vërteta të cilat lidhen me praninë time në ‘Për-puthen’ dhe mesazhet që ndava në këtë emision.

I dua shumë vajzat dhe djemtë e “Për-puthen.’ I dua shumë djemtë dhe vajzat e këtij brezi.

Burimi i dashurisë më mëson t’i dua.

Fatkeqësisht dashuria ime nuk është e përsosur, e hera herës e pamjaftueshme.

Ata kanë zgjedhur një rrugë të vështirë. Mbase më të vështirën. Në këmbim të famës, kanë dhuruar lirinë. Tanimë të gjithë i njohim, sepse na kanë dorëzuar zotërimin e tyre më të çmuar. Janë të shikueshëm si përmes një xhami. Kështu është jo vetëm sjellja, por mendimet dhe pasioni i tyre. Na kanë dorëzuar lirinë, pronësine më të çmuar të qenies, në këmbim të mbështetjes që përkthehet në famë. Pronësia personale e një bote idesh dhe ëndërrimesh, tanimë është zotërim publik i masës. Kjo zgjedhje i ka hequr për një kohë vajzave dhe djemve të ‘Për-puthen’ të drejtën të jenë të pacënueshëm. Nuk mendojmë se janë më të mirët e brezit të tyre, e natyrshëm s’janë më të këqinjtë. Ata jane konstantja që na rrethon.

Nisa të dëgjoj për ta nga të rinjtë dhe të rejat që takoj çdo ditë në qytetin tim. Argëtoheshin me këto personazhe të programit. Me takimet e tyre të njohjeve, buzëqeshjet, bisedat, përqafimet, debatet dhe grindjet. Kuptova që të rinjtë dhe të rejat e vendit tim, kishin nisur të jetonin me ta.

Si me një prekje të shkopit magjik i kishin dorëzuar çelësat e portës së ëndrrës në duart e vajzave dhe djemve të ‘Për-puthen.’ Mësova emrat e tyre nga të rinjtë e qytetit që i përmendnin në biseda. Disa prej tyre kishin nisur të flisnin si personazhet e programit, kishin nisur të ëndërronin që një ditë mund të shndërroheshin në personazhe të ekranit dhe të bëheshin të njohur po aq, pa e ditur që në këmbim do të dorëzonin lirinë e tyre. Nuk ishte e vështirë të dalloja ndikimin e vajzave dhe djemve të programit, mes një brezi që ka ndalur të ëndërrojë, e pjesërisht jeton me ëndërr të gjymtuar.

Kështu vajzat dhe djemtë e ‘Për-puthen,’ pa e kuptuar, janë shndërruar në misionarë modelesh, të cilët dyshoj se e njohin rëndësinë e misionit të tyre. Pa e kuptuar, ata janë duke ndikuar bijat dhe bijtë e një brezi, si të mendojnë, ëndërrojnë dhe sillen. Përmasat e shikueshmerisë dhe ndikimi i personazheve të këtij programi, kanë kapërcyer çdo limit duke iu prezantuar pothuaj çdo njeriu dhe familje në shoqerinë Shqiptare.

Dikush duhet t’u flase këtyre të rinjve disa të vërteta të rëndësishme. Dikush duhet t’i tregojë përgjegjësitë që kanë. Po kush dhe si? Dikush që i do dhe që e njeh misionin e tij të ndërtojë njeriun e braktisur në tokën e modernitetit.

Paradoksi i gjykatesit qe ndjek cdo fjalë e veprim nga ekrani është se herë argëtohet e qesh, e herë të tjera gjykon pa mëshirë personazhet që më parë i kanë dhënë kuptim mënyrës si ka kaluar kohën. Ky paradoks kthehet në absurd, kur gjykatesi nga ekrani pasi ka kuptuar pafuqinë e tij të bëjë apo ç’bëjë diçka që lidhet me të rinjtë e brezit të tij, nis të kryqezojë dikë i cili beson se me pranine e tij do të bëjë diçka.

Ka kaq shumë ndëshkim përshkak të padijes dhe mungesës së dashurisë në kulturën tonë. Individë që gjykojnë nga padija fetare sepse nuk besojnë në një Zot i cili e do njeriun, por në një Zot që e urren dhe e ndëshkon njeriun.

Farisenj hipokritë të cilët në fshehtësi argëtohen duke kryer sakrilegj, ndërsa në publik ndëshkojnë pa mëshirë të rinjtë e një brezi pa mësues dhe udheheqës të shpirtit dhe moralit. E kur keta të fundit shfaqen, rrallëherë është mirë, e asnjëherë s’ështe mjaft.

I dua shumë këta të rinj, përfaqësues të një brezi të keqorientuar nga konsumizmi dhe fama, padija dhe qëllimet që jusfifikojnë çdo mjet për të kapur majën. Kjo është arsyeja që shkova të flas me ta dhe të rinjtë e brezit të tyre që i ndjekin.

“Urtia e shenjtë” nuk është urti, nëse nuk prek njeriun dhe refuzon t’i flase thelbit te tij; shpirtit.

Pavarësisht, skenarit dhe qëllimeve për shikueshmëri që produksioni i një programi ka dhe gjithnjë do të ketë, për aq sa ka njerëz të përfshirë, dashuria e Zotit do të zgjatet t’i arrijë zemrat e tyre.

Cilido që ka lexuar një herë të vetme Biblën (dhe kjo nuk e shndërron lexuesin në besimtar) s’e ka të vështirë të kuptojë që Jezusi i Nazaretit, nuk refuzoi asnjë ftesë që erdhi tek Ai për të vizituar shtëpinë e dikujt, pavarësisht statusit, social, moral, apo fetar.

Krejt natyrshëm, kështu do të sillej edhe sot dhe nëse do te ftohej në një shtëpi mediatike. Natyrisht kjo do te ngjallte të njëjtat polemika dhe tension shoqëror që zgjoi në kohën e Tij, kur legalistët dhe farisenjtë e quajten ‘Miku i Mekatareve.’

Une mendoj që Jezusi do të shkonte. Në fakt, besoj që ishte i pranishëm me mua në ‘Për-puthen’. Për të komunikuar me vajzat dhe djemtë aty brenda dhe jashtë programit që çdo jetë është e çmuar dhe Ai i do shumë ata, vajzat dhe djemtë e përpjekur të këtij vendi. Ky është mesazhi më i madh i dashurisë që një qenie njerëzore do të dëgjojë ndonjëherë.

Zoti të do shumë. Kjo dashuri, i jep vlerë çdo jete njerëzore, pavarësisht lenteve dhe objektivit përmes të cilit vendosim ta shohim.

Jam besimplotë që ky mesazh dashurie, tashmë ka shkuar tek të rinjtë, në ‘Për-puthen.

Jam i paduruar ta bëj prapë.

Me kaq për sot.

Ps. Nesër ju shkruaj sërish. Mesazhi i parë në ‘Për-puthen’ “Çdo vajzë është një princeshë; çdo djalë, një burrë fisnik.”

Në vijim do të shkruaj: Mesazhi i dytë: Fama dhe shoqëria e vlerave. Mesazhi i tretë: Kundër dhunës dhe bullizmit. Mesazhi i katërt: Si është fariseu i ditëve moderne. (Mendim mbi disa reagime)

Zoti me ju miq!

akilpano #mendimiidites #perputhen #tirane Akil Pano

Share: