Home KRYESORE Ja si duhet të jetë kryeministri i Shqipërisë

Ja si duhet të jetë kryeministri i Shqipërisë

Nga Dr. Enriko Ceko

Çdo katër vite ne votojmë për një Kryeministër të ri. Në fushatën zgjedhore kandidatët për kryeministër zotohen të bëjnë gjëra të shumta. Ata deklaron se do bëjnë këtë e atë, se do tundin malet e do shkundin kodrat, se do i lulëzojnë fushat e do mbushin brigjet me turistë, se do bëjnë investime të shumta këtu e atje, e të tilla si këto.

Por, në fakt, cilat janë ato karakteristika që duhen për të qenë kryeministër, karakteristika për të cilat qytetarët duhet që të votojnë.
Në sistemet parlamentare, Kryeministri është kreu i kabinetit dhe udhëheqësi i ministrave për pjesën ekzekutive të qeverisë, dhe, kur ky sistem kombinohet me ekzistencën e Presidendit të vendit, Kryeministri shërben nën autoritetin e Presidentit. Është Presidenti që edhe pse mban pozitë ceremoniale, ka të drejtën e të tërë kompetencave rezervë, kur Kryeministri shkel procedurat. Në të kundërt, kemi mbivendosje pushteti, autoriteti, detyrash dhe përgjegjësish.

Nëse lexojmë me kujdes të tërë korpusin ligjor të Republikës së Shqipërisë në lidhje me Këshillin e Ministrave dhe Kryeministrin, është ruajtur parimi “Primus Inter Parim”. Është mjaft interesant fakti se ky parim i shërbeu Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, për të drejtuar prijësit dhe fisnkikët arbër në formimin e shtetit dhe për t’i bërë ballë pushtuesit.

Është ky parim që tashmë gjendet në pothuajse të tëra legjislacionet e vendeve evropiane, ku më shumë e ku më pak, por për shembull sistemi italian, francez, holandez, etj, e kanë shumë të spikatur këtë parim. Sipas këtij parimi, që është evident edhe në legjislacionin shqiptar për këtë qëllim, kryeministri nuk është kreu i qeverisë; përkundrazi, është vetëm udhëheqësi ose anëtari më i lartë i kabinetit.

Si i tillë, ai është zyrtari i cili është emëruar për të manaxhuar çështjet ekzekutive, që bashku me të tjerët dhe jo i vetëm.

Nga kryeministri i vendit pritet që ai të jetë një personalitet me prirje të theksuar kombëtare dhe duhet të jetë shembulli kryesor për promovimin e krenarisë kombëtare. Roli i kryeministrit është të verë përpara të gjithave sigurinë kombëtare.

Nga kryeministri pritet që të ketë aftësi për të komunikuar bindshëm dhe për t’u pranuar në mënyrë bindëse nga shumica. Kjo aftësi duket se mungon, pasi shikojmë dhe dëgjojmë që këta kandidatë për lryeministra, kur dalin në publik, jo vetëm që nuk artikulojknë ndonjë ide vizionare, por edhe ato ide e problematika që plagjiarojnë, meqënëse nuk i kuptojnë vetë, i ngatërrojnë si koncepte dhe kjo bën që imazhi i tyre të bjerë, kryesisht te specialistët, që i kuptojnë gafat dhe mufkat e tyre. Për shembull, një nga kandidatët për kryeministër deklaroi përpara dida ditësh se sapo të vijë ai në pushtet do ulen normat e interesit, kur dihet që kjo është çështje e bankave. Po ky kandidat tha dy ditë më parë se do e kthejë Shqipërinë në një HUB (që është ide shumë e mirë), duke shtuar se kjo pasi vendi ka një pozitë gjeografike shumë të mirë, ka porte detare dhe është një orë afër Evropës, kur dihet se koncepti i HUB nuk ka fare të bëjë me pozitën gjeografike dhe portet detare dhe afërsinë nga vendet e tjera. Po ky person, në vazhdimësi ka bërë gafa me shifra, që nuk do i bënte as edhe një fëmijë dhjetë vjeçar.

Një kandidat cilësor për kryeministër duhet të ketë aftësi të provuar që të manaxhojë krizat. Duket se kryeministri aktual edhe pse iu dha mundësia të përballet me disa kriza, as që e ka shfaqur këtë veti, porn ë vazhdimësi ka thelluar krizat dhe ka krijuar kriza të tjerë, të panevojshme. Tërmeti i nëntorit 2019 dhe kriza e shkaktuar nga COVID – 19 si dhe përmbytjet e vazhdueshme gjatë pothuajse dhjetë vitet e fundit, kanë treguar se ata që kanë drejtuar vendin nuk kanë qenë dhe nuk janë në gjendje të manaxhojnë krizat.

Kandidati për kryeministër duhet të ketë aftësi të provuar për të mobilizuar mbështetjen e masave. Në fakt, në Shqipëri, në pothuajsde të tëra zgjedhjet e 10 – 15 viteve të fundit, njerëzit nuk është se kanë votuar për një palë apo për palën tjetër për shkak të programeve apo vizionit, por thjesht për të shpëtuar nga ai që është në pushtet. Askush nga kandidatët për kryeministër dhe nga ata që kanë qeverisur Shqipërinë gjatë 15 – 20 vitet e fundit nuk ka shfaqur ndonjë aftësi për të mobilizuar mbështetjen e masave për shkak të ideve dhe vizionit.

Pra, del se një nga aftësitë kryesore për një kryeministër është aftësia për të zhvilluar dhe shprehur një vizion të shëndoshë për të ardhmen e afërt dhe të largët, që të mirëpranohet nga shumica e qytetarëve. Në fakt, të tërë kandidatët për kryeministër flasin për integrimin evropian, partneritetin me NATO-n, bërjen e investimeve të ndryshme, mbështetjen e sektorëve të ekonomisë, e të tjera si këto, por asnjë prej tyre nuk deklaron vizionin, misionion, objektivat strategjike dhe operacionale dhe planin e veprimit për zhvillimin e vendit dhe ecurinë përpara.

Një kandidat për kryeministër duhet që të ketë ekspozim dhe rrjet të mirë ndërkombëtar. Është fakt se Z. Rama e ka patur në fillim këtë ekspozim dhe rrjet e mbështetje ndërkombëtare, por, mesa duket, të paktën dy a tre vitet e fundit e ka humbur këtë ekspozim dhe mbështetje, për shkak të mungesës së seriozitetit në partneritetin ndërkombëtar. Nga ana tjetër, kandidati opozitar, edhe pse përpiqet që të tregojë se ka mbështetje ndërkombëtare, në fakt është tejet i mangët në këto marrëdhënie.

Një kandidat i mirë për kryeministër është një person që nuk e rrëmben rutina dhe është burim për inovacion dhe krijueshmëri. Në fakt, të gjithë kandidatët për kryeministër dhe ata që kanë qenë në këtë detyrë në Shqipëri, kurrë nuk kanë qenë burim inovacioni dhe krijueshmërie, por kanë qenë pjesë e rutinës ku koha më e madhe e punës së tyre kalon në studio televizive, intervista, inaugurime rrugësh e shkollash, etj si këto.

Një kandidat i mirë për kryeministër e vë theksin te ekonomia. Synimi kryesor i punës së ekzekutivit është që të përgatisë dhe plotësojë kushtet për arritjen e rritjes së lartë ekonomike dhe të manaxhimnit të saj në periudhën afatgjatë. Një kryeministër i mirë fokusohet në reduktimin e borxhit publik dhe të deficitit buxhetor, në uljen e inflacionit dhe ritjen e puësimit. Ai fokusohet në optimizimin e të ardhurave dhe të shpenzimeve buxhetore në mënyrë që të ndërtohet një sistem fiskal në nxitje të biznesit dhe ekonomisë dhe jo e kundërta, siç ka ndodhur në fakt në Shqipëri. Në fakt, ekonomia është çështja themelore e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që ende nuk e kemi zgjidhur siç duhet dhe në këtë aspekt një rol të madh ka patur edhe kryeministri, cilidoqoftë ai.

Një kryeministër i aftë, ndërmerr inciativën e themelimit dhe zhvillimit të legjislacionit dhe i kërkon Parlamentit që të bëjë dhe kalojë ligje të mira për vendin dhe qytetarët, gjë që në Shqipëri është çështje në dyshim. Fakti se përgjatë viteve të fundit kanë kaluar mjuaft ligje që cilësohen si “ligje speciale” pra, ligje për disa peraona të caktuar, është një problem madhor i demokracisë.

Një kryeministër i mirë merr masa drastike për lufitimin e krimit të organizuar, atij individual dhe krimit që vjen nga të miturit. Një kryeministër i mirë krijon një plan për këtë çështje dhe e zbaton planin, duke vlerësuar dhe publikuar rezultatet, por, aktualisht kemi disa çështje penale të hapura për pothuajse të tërë kryeministrat dhe ata që kërkojnë të jenë kryeministra në Shqipëri.

Një kryeministër i mirë merr të tëra masat për mbrojtjen e mjedisit. Kjo është përparësi e një qeverisjeje serioze, cilësore dhe moderne. Shkatërrimi mjedisor I trashëguar dhe metodat aktuale të incenerimit për eliminimin e mbetjeve nuk kanë lidhje me mbrojtjen e mjedisit, përkundrazi janë fakte të fuqishme që tregojnë se ata që kanë qeverisur Shqipërinë, për çështjen e mjedisit nuk kanë qenë dhe nuk janë kryeministra të mirë.

Një kryeministër serioz dëgjon zërin e qytetarëve, si një element shumë i rëndësishëm për gjendjen dhe nivelin e vlerave demokratike. Të thuash se ka demokraci dhe se kemi kaluar nga një nivel “regjimi hibrid” në “dekomraci me të meta” është një gjë dhe të dëgjosh dhe respektosh zërin qytetar është një gjë krejt tjetër. Të dëgjish zërin qytetarë do të thotë se të tërë kanë të drejtë të thonë atë që duan të thonë dhe kur ato që thonë qytetarët janë problemet dhe hallet e tyre, atëhere duhen marrë masa që ato të zgjidhen sa më shpejt.

Një kryeministër i mirë duhet të jetë në gjendje të dëgjojë klasën politike. Në Shqipëri kjo mesa duket është zëvendësuar me dëgjimin e vetëm atyre që u pëlqen kryeministrave të dëgjojnë. Servilizmi i hapur në çdo nivel të administratës publike dhe shpërblimi i atyre që bëjnë servilin është ngritur në normë dhe model kariere dhe kjo për shkak të kryeminiustrit dhe jo për shkak të servilëve. Në këtë pikë duhet theksuar se pikëpamja e klryeminstrit aktual se është sistemi që korrupton individin, është tërësisht e gabuar, pasi në SHqipëri duket fare qartë se është individi me pushtet dhe në nivele të larta hierarkike ai që korrupton sistemin. Në fakt, janë të dyja, edhe sistemi I korrupton njerëzit, edhe njerëzit e korruptojnë sistemin. Kështu që është koah për kryeministër tjetër dhe për njerëz që të mos kenë lidhje me sistemin dhe korrupsionin.

Një kryeministër i mirë ka aftësi për t’u lidhur me njërëzit dhe kupton kulturat e ndryshme politike, etnike, klasore, etj.

Një kryeministër i mirë ka një kuptueshmëri bashkëkohore të çështjeve të brendshme, shqetësimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe merr masa për përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre në vazhdimësi. Kjo bën që ai të tregojë se i qendron besnik premtimeve që ka marrë.

Një kryeministër i mirë ka aftësi të ulet, diskutojë dhe debatojë në arenën ndërkombëtare për mbrojtjen e interesave kombëtare. Ai artikulon në arenën ndërkombëtare vizionin e tij për të ardhmen e vendit dhe kjo bën që ai të ndikojë në marrëdhëniet politike, ekonomike, tregtare, kulturore, sportive, etj me vendet e tjera, për marrëdhënie sa më të shëndetshme dhe proactive me vendet, kombet, popujt dhe qeveritë e tjera.

Një kryeministër i mirë ka aftësi për të kapur “momentin”. Është një fakt i pamohueshëm në tërë historinë botërore se udhëheqësit e mëdhenj përcaktohen nga mënyra se si ata e trajtojnë “momentin’. Kjo është një aftësi që nuk mësohet. Është instiktive, është gjendje e brendëshme personale. Lidhet me vleat, besimet, etikën, moralin, besimin te Zoti dhe besimin te vlerat e popullit dhe kombit, që ke marrë përsipër të drejtosh.

Një kryeministër i mirë qendron i mirëdallueshëm midis qytetarëve të tjerë të vendit të tij. Ai është simbol për kombin dhe unik në lidhje me vlerat, aftësitë, njohuritë dhe kompetencat personale, por të ketë aftësinë që të qendrojë pranë qytetarëve, të jetë në gjendje të manaxhojë ekuilibrin në lidhje me këtë çështje, pasi në të kundërt, lidhja me publikun merr fund. Në këtë aspekt duhet thënë se asnjë nga ata që kanë qeverisur Shqipërinë nuk kanë qenë simbole për kombin, nuk kanë qenë unikë në lidhje me vlerat, aftësitë, njohuritë dhe kompetencat personale, dhe, si të tillë nuk është se kanë lënë gjurmë të pashlyera pozitive te shukica e popullsisë.

Është tjetër të duash të jesh kryeministër dhe tjetër të kesh njohuri të përgjithëshme dhe njohuri specifike dhe aftësi për të menduar në mënyrë efektive, për të qenë vërtet kryeministër. Aktualisht, jetëshkrimet e atyre që duan të jenë kryeministra të Shqipërisë dhe shqiptarëve duket se çalojnë në lidhje me aftësitë, njohuritë dhe kompetencat. Fakti se në daljet e tyre në publik, të tërë këta persona bëjnë gafa e këpusin mufka, që i dallon pa ndonjë vështirësi edhe një person me pak shkollë, flet shumë për këtë.

Dhe në fund, një kryeministër i mire i qendron besnik fjalës që nxjerr nga goja. Kjo nuk ka të bëjë me bërjen e premtimeve miqve e shokëve për dhënien e licensave e parcelave për ndërtime. Kjo ka të bëjë me fjalën që jep kryeministri kur merr detyrën se do mbajë premtimet e bëra në fushatë, se do qendrojë besnik ndaj interesave kombëtare dhe se do bëjë përpjekje që të jetë i pranishëm çdo ditë në shtëpinë e çdo qytetari, jo duke dalë në çdo orë të ditës në pesë a gjashtë televizione në të njëjtën kohë, por duke përmirësuar në mënyrë të dukshme dhe të vazhdueshmë cilësinë e jetës së sejcilit prej qytetarëve të vendit që drejton. Kjo kërkon që kandidati për kryeministër të jetë vetvetja dhe të jetë sa më i vërtetë e besnik ndaj vehtes, familjes së tij dhe shoqërisë së vendit të tij, duke qëne i vërtetë ndaj fjalës së dhënë dhe duke qenë shembull për të jetuar dhe drejtuar.

Share: