Home KRYESORE Shtatë mëkatet vdekjeprurëse që mundojnë Shqipërinë

Shtatë mëkatet vdekjeprurëse që mundojnë Shqipërinë

Nga Enriko Ceko

Prej kohësh janë përshkruar ato që quhen shtatë mëkatet vdekjeprurëse, njohur edhe si veset më të këqija që mund të shfaqen të individi, dhe nëse këta individë në një shoqëri janë me shumicë, këto mëkate mbizotërojnë në jetën politike, ekonomike dhe sociale të një vendi, ashtu sikundër edhe në Shqipëri dhe në disa vende të tjera si puna e Shqipërisë. Edhe pse me kalimin e shekujve, lista e mëkateve vdekjeprurëse ka pësuar ndryshime, sot si mëkate të tilla renditen: arroganca (1), shthurja (2), epshi (3), zilia (4), lakmia (5), zemërimi (6) dhe përtacia (7). Këto janë mëkatet nga të cilat vijnë edhe veset e tjera prej të cilave shkatërrohet jeta dhe shpirti i individit edhe pse jeton në këtë botë. Sejcila prej këtyre shtatë mëkateve vdekjeprurëse simolizohet edhe me nga një kafshë: zhabë = arrogancë; pallua = shthurje, dhi = epsh; gjarpër = zili; derr = lakmi; luan = zemërim, kërmill = përtaci).

Arroganca. Arroganca konsiderohet si një nga mëkatet më serioze vdekjeprurëse dhe burimi i të tjerave. Arroganca bën që individi apo shoqëria të mos njohin arritjet e të tjerëve dhe të adimrojnë në mënyrë të tepruar vehten, duke patur paralelisht edhe mendjemadhësi dhe vetëmburrje të pajustifikuar. Mburrja, është bërja e lëvdatave të pajustifikuara për vehten dhe për të tjerët që bëjnë lëvdata për njëri tjerin dhe qendron shumë pranë arrogancës.

Shthurja. Shthurja është një dëshirë intensive dhe e pakontrolluar për të patur sa më shumë nga të tëra gjërat që mund të ekzistojnë në botë. Ky mëkat të çon në përdhunime, brutalitet dhe akte të tjera të panatyrshme, duke përfshirë edhe dëshirën e pakontrolluar për të patur sa më shumë para, ushqime, famë dhe pushtet.

Epshi. Epshi është dëshira e pakufishme për sa më shumë konsum dhe që në fakt është egoizimi i tepruar që sjell vendosjen e interesave personale mbi mirëqenien apo interesat e të tjerëve. Ky mëkat shfaqet me dëshirën për të tërhequr sa më shumë njerëz rreth vehtes, duke përdorur mashtrimin, kërcënimin, pagesat e paligjshme, pushtetin, fuqinë e parasë dhe karriges, etj.

Zilia. Zilia karakterizohet nga dëshira të shfrenuara dhe të pashuara. Është e ngjashme me epshin, por specifikisht bëhet fjalë për mëkatin që bën individi dhe / ose shoqëria duke ndjerë pakënaqësi ndaj tipareve, statusit, aftësive, apo arritjeve të merituara të dikujt apo disave, pjestarë të ndershëm dhe të mirë të shoqërisë, të cilët injorohen edhe kur shoqëria ja ka nevojën.

Lakmia. Lakmia është një dëshirë mjaft e tepruar për të patur sa më shumë pasuri materiale, që të çon në largimin nga gjërat e përjetshme për hir të gjërave të përkohshme. Ky mëkat shfaqet me një dëshirë të papërmbajtur për të qenë i rrethuar nga materiale dhe objekte të shtrenjta, që të çojnë në rrëmbime, vjedhje, grabitje, të cilat mund të kryhen edhe me dhumë, dinakëri, mashtrime, etj. Është një dëshirë e tepruar për të blerë sa më shumë, përtej nevojave, kryesisht në lidhje me pasurinë materiale.

Zemërimi. Zemërimi është ndjenja e urrejtjes së pakontrolluar. Zemërimi në formën e vet më të pastër sjell vetëshkatërrim dhe dhunë, të cilat më tej mund të sjellin grindje që zgjasin shumë dhe që shkatërrojnë individin dhe shoqërinë. Zemërimi mund të shfaqet në mënyra të ndryshme, duke përfshirë padurimin, hakmarrjen, sjelljet vetëshkatërruese (abuzimi me drogën apo vetëvrasjet), etj.

Përtacia. Përtacia është fizike dhe shpirtërore. Ajo është baza e dështimit për t’u zhvilluar shpirtërisht dhe kjo për më tej të çon në mëkate të tjera dhe padyshim në dështimin total për të bërë gjëra të mira dhe të drejta që duhet të jenë objektivi i individit dhe shoqërisë. Përtacia e kombinuar me mëkatet e tjera të mësipërme sjell nepotizëm dhe për këtë shkak vendet e punës në sektorin publik dhe privat plotësohen me njërëz të paaftë, që sjell vetëshkatërrim dhe rënie të vlerave morale dhe shpirtërore, që në fund të fundit bëjnë që marrëdhëniet politike, ekonomike dhe sociale në atë vend të jenë të degjeneruara apo drejt degjenerimit.

Këto janë në fakt edhe shtatë mëkatet që renditen edhe në shkrimet e vjetra dhe që përshkruhen si:

1. Sytë krenarë
2. Gjuha gënjeshtare
3. Duart që derdhin gjak të pafajshëm
4. Zemra që kurdis plane të këqija
5. Këmbët që turren shpejt drejt së keqes
6. Dëshmitari i rremë që thotë gënjeshtra
7. Mosmarrëveshjet që sjellin grindje midis njerëzve

Në lidhje me këto mëkate njeriu mund të vendosë përballë arrogancës, përulësinë, përballë shthurjes, dëlirësinë, përballë epshit, vetëpërmbajtjen, përballë zilisë, mirësinë, përballë lakmisë, bujarinë, përballë zemërimit, durimin dhe përballë përtacisë, punën.

Është në dorën e individit dhe shoqërisë në një vend që të zgjedhë ç’farë të bëjë, dhe pas kësaj zgjedhjeje ndodhin ato që ndodhin në fakt. Nëse individët dhe shoqëria e një vendi dhe kombi vendosin të zgjedhin sytë krenarë, gjuhët gënjeshtare, duart që derdhin gjak të pafajshëm, zemrat që kurdisin plane të këqija, këmbët që turren shpejt drejt së keqes, dëshmitarët e rremë që thonë gënjeshtra, mosmarrëveshjet që sjellin grindje midis njerëzve, e të tjera mëkate të dënueshme nga logjika e mirë dhe shpirti i vërtetë njerëzor, në atë vend dhe në atë komb shpejt vjen shkatërrimi dhe shpërbërja, kaosi dhe anarkia, por nëse individët dhe shoqëria e një vendi dhe kombi vendosin që të zgjedhin përulësinë, dëlirësinë, vetëpërmbajtjen, mirësinë, bujarinë, durimin dhe punën e të tjera cilësi pozitive, shpejt vjen prosperiteti dhe mirëqenia, qetësia shpitrërore individuale dhe e shoqërisë, pavarësisht vështirësive që individit dhe kombit mund t’i dalin përpara. Bashkëkombas shqiptarë, koha për të zgjedhur. Të ecim drejt dhe me nder së bashku edhe pse përballë vështirësive të shumta ku na kanë futur në mënyrë të padrejtë mëkatarët që i kemi zgjedhur vetë të na drejtojnë, apo të dështojmë të turpëruar përballë pasardhësve tanë së bashku me mëkatarët që i kemi zgjedhur vetë të na drejtojnë? Në lidhje me sa më lart mund të thuhet se e keqja ekziston kur njerëzit e mirë nuk veprojnë, ose … kur … njerëzit e mirë janë … pakicë.

Share: