Home KRYESORE Çelësi fals i një dere që nuk ekziston

Çelësi fals i një dere që nuk ekziston

Nga Dr. Enriko Ceko

Prej shumë vitesh ne shqiptarët kemi bërë përpjekje maksimale për të ecur përpara së bashku me kombet e tjera dhe këto përpjekje edhe pse të dhimbshme dhe të pakrahasueshme me asnjë komb tjetër përreth, nuk kanë dhënë rezultatet që kemi pritur.

Duket se në këtë mesele ka diçka që nuk funksionon.

Pas shpalljes së pavarësisë, edhe pse vendi hyri në një rrugë të dallueshme evropianizimi, përsëri, kombinimi i interesave të fuqive të mëdha me nxjerrjen në skene të disa personazheve shumë të çuditshëm të skenës politike, ekonomike dhe sociale shqiptare, bëri që Shqipëria të mbetej një kartë për të kënaqur interesat e fqinjëve. Zhvillimi ekonomik dhe social mbeti në nivele shumë të ulëta krahasuar me vendet e tjera përreth dhe me vendet e tjera evropiane.

Pas përfiundimit të Luftës I Botërore, përsëri interesat e fuqive të mëdha, kombinuar me disa personazhe të tjerë të çuditshëm të jetës politike, ekonomike dhe sociale në vend bënë që Shqipëria të endej midis Lindjes dhe Perëndimit, si një varkë që fut ujë nga të tëra anët dhe që nuk ka kush ta drejtojë me dinjitet dhe mençuri në aspektin e lidershipit.
Interesat franko – britanike të periudhës së para Luftës II Botërore në lidhje me Shqipërinë zevëndësohen tërësisht me interesat italiane dhe Shqipëria kthehet në një shesh lufte midis Greqisë dhe Italisë, ngjarje të cilën e vuajmë ende edhe sot në aspektin e marrëdhënieve me Greqinë.

Gjatë tërë peridhës së Luftës II Botërore, pothuajse të tëra qeveritë e Shqipërisë kanë qenë qeveri bashkëpunëtore me Italinë fashiste dhe Gjermaninë naziste, qeveri të përbëra nga personazhe të çuditshme, ndërkohë që në terren mbizotëronte lufta civile, e justifikuar si luftë për çlirim, e drejtuar nga personazhe po aq të çuditshme.

Pas përfundimit të Luftës II Botërore, për një periudhë 45 vjeçare, shqiptarët, si qytetarë brenda territorit të Shqipërisë, menduan se arritën atë që ëndërronin, punë për të gjithë, bukë në sofër, shkollë për fëmijët, spitale falas, e të tjera si këto, të drejtuar përgjatë kësaj periudhe nga vetëm disa personazhe të çuditshme, kryesisht pa shkollë dhe pa njohuri të mjaftueshme për drejtimin e shtetit dhe vendit.

Por edhe pse me rënien e sistemit të mëparshëm ëndrra filloi të prishej, ende dhe në vitet 1990 – 1993 pothuajse të tërë shqiptarët e patën shumë të vështirë të kuptonin se përalla e Shqipërisë që ecën përpara dhe u kall tmerrin imperialistëve dhe revizionistëve ishte një tullumbace.
Prej rreth 30 vitesh tashmë jemi në vorbullën e demokracisë false, ekonomisë së tregut false dhe në kazanin e një qeverisje që nuk ka asnjë mundësi të na çojë përpara, sepse është një qeverisje e përbërë nga njerëz të çuditshëm, diletantë, delirantë, amatorë, njerëz pa dinjitet dhe pa integritet.

Është fakt se mizerja kombinuar me demagogjinë bën që shqiptarët të gjenden midis dy grupimeve që pretendojnë të jenë grupime politike, por që në fakt janë grupime anarkiste pa ideologji dhe pa filozofi, që në themel të veprimtarisë së tyre kanë mashtrimin dhe përfitimet personale, grupime në brendësi të të cilëve ka individë të çuditshëm, që trumbnetojnë se do e çojnë vendin përpara dhe se do integrojnë Shqipërinë ne Evropë, etj.

Në këto kushte, duket fare qartë se dera që duam të hapim nuk ekziston dhe se çelësi për të hapur kërë derë është fals.

Dera që duam të hapim është një imazh që e kemi ndërtuar vetë në kokën tonë, pa marrë parasysh kushtet dhe gjendjen aktuale në të cilën ndodhemi dhe pa marrë parasysh se na drejtojnë prej më shumë se 100 vitesh individë të çuditshëm, që asksuh nuk e gjen se nga ç’farë brumi janë gatuar dhe se kush i ka gatuar. Ajo derë nuk ekziston. Çelësi me të cilën duam të hapim këtë derë është fals. Nuk mund të kalohet në një nivel më të lartë dinjiteti dhe lirie me konceptin e fjetjes gjumë dhe të mbylljes së njërit apo të dy syve përballë asaj që ndodh në vend.

Shoqëria shqiptare duket sikur është në jerm. Shoqëria shqiptare nuk ka asnjë fuqi kundërveprimi dhe nuk ka asnjë mjet për të kundërshtuar vendimet që mereren në nivelet e larta të pushtetit ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor, prokurorial dhe mediatik në vend.

Kaq mjafton për të kuptuar se dera që duam të hapim nuk ekziston dhe se çelësi është kallp.

Të paktën për këto 30 vitet e fundit duket hapur se shqiptarët janë nëpërkëmbur në mënyrën më të poshtër të mundëshme.

Gabimisht, ende shumica e shqiptarëve mendojnë se faktori ndërkombëtar do ndërhyje për ndryshimin e gjendjes dhe se ndryshimi apo mos ndryshimi i grupimit anarkist në drejtimin e shtetit dhe vendit do bëjë që vendi të ecë përpara dhe të integrohet në Evropë, etj.

Në përgjithësi, edhe pse qytetarët janë të pakënaqur me gjendjen aktuale, ka shumë pak gjasa që ata të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve në aspektin e ndryshimit të kahut politik nga praktika e ndryshimit të karrigeve midis atyre që e mbajnë vehten për socialistë me ata që e mbajnë vehten për demokratë, në një praktikë të re të kalimit të drejtimit të vendit nga një parti anarkiste në një parti apo grupim politik me ideologji dhe filozofi të qartë.

Praktikisht, fushata elektorale që tashmë ka filluar dhe ashpërsuar dukshëm, po mbulohet mediatikisht, duke iu dhënë mundësi vetëm dy grupeve politike anarkiste, grupimit që kryesohet nga Edi Rama dhe grupimit që kryesohet nga Lulzim Basha, në një kohë që në politikën shqiptare ka edhe lojtarë të tjerë që kërkojnë të ketë një proces zgjedhor dinjitoz dhe zgjedhje të lira, të barabarta dhe me standard.

Mesa duket për shqiptarët qenka shumë e vështirë që të kuptojnë se çelësi i vërtetë për të hapur derën e zhvillimit është që ata që zgjedhin në krye njerëz me shkollë dhe që e duan atdheun, kombin, familjen, traditën dhe tokën tonë më shumë se çdo gjë tjetër.

Mesa duket për shqiptarët paska më shumë vlerë një anadollak që përdor makinacione për t’u pasuruar se sa një qytetar i ndershëm që në themel të mirëqenies së tij personale dhe të familjes ka vënë punën dhe nderin.

Mesa duket për shqiptarët paska më shumë vlerë një mashtrues politik se sa një qytetar që thotë të vërtetën hapur ashtu siç është.

Mesa duket për shqiptarët paska më shumë vlerë një kriminel në karrige se sa një qytetar që respekton ligjin.

Dhe përderisa të vazhdojë kjo gjendje, çelësi për hapjen e derës që nuk ekziston do jetë fals.

Por, ka edhe një derë tjëtër. Ajo është dera e dinjitetit dhe lirisë. Është dera që po na e fshehin ta shikojmë një turmë palaçosh pa dinjitet, që e mbajnë vehten për politikanë të famshëm.

Në fakt, dera e dinjitetit dhe lirisë nuk mund të hapet nga njerëz që nuk e dinë se ç’farë ka pas asaj dere. Nuk mund të arrihet që të bëjmë një kapërcim cilësor nga një nivel mizerjeje dhe injorance totale në lidhje me politikën, ekonominë dhe jetën sociale në një nivel tjetër dinjiteti dhe lirie.

Këtë derë mund t’a gjejnë dhe t’a hapin vetëm ata që e duan Shqipërinë, vetëm ata që e duan kombin dhe tokën shqiptare, vetëm ata që kanë njohuri për jetën politike, ekonomike, sociale, mjedisore, sportive, kulturore, juridike, etj.

Këtë derë mund t’a hapin vetëm ata që kërkojnë dhe luftojnë për një Kod Zgjedhor për zgjedhje të lira, të barabarta dhe me standard.

Këtë derë mund t’a hapin vetëm ata që luftojnë për një Kushtetutë në të cilën garantohen liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve.

Këtë derë mund t’a hapin vetëm ata që duan që shqiptarët dhe Shqipëria të ecë përpara në rrugën e prosperitetit dhe zhvillimit, së bashku me kombet e tjera.

Derisa të kemi njerëz të tillë, që janë gatuar me brumin e shqiptarizmës, dera e vërtetë nuk ka për t’u gjetur dhe çelësi që do kemi në dorë do jetë gjithmonë fals.

Share: