Home KRYESORE Cikël poetik nga Gladiola Jorbus

Cikël poetik nga Gladiola Jorbus

Gruaja – ëndërr

Nga dritarja e botës,
jetën kundroj…
goditjet e ashpra, vallen e maskave,
teatrin absurd të rinive të vjedhura.
Ylberi, rrugët pikturon
me lotë gëzimi e malli.
Dielli, një pulëbardhë e zjarrtë,
fshihet pas horizontit.
Mund të vishemi me buzëqeshje.
Do të shkëlqenim më shumë
se diademat.

Grua,

je princesha mbi bizele.
Gjerdani i diamantit,
mbi gjoksin e damës mopasiane.
Je valkiria vikinge.
Zhan D’Arka vegimtare.
Shenjtorja dhe kurtizania
që grimohen me pluhurizë dashurie.
Sa dhembje mund të përshkruanin
pllakat e një trotuari!
Dhe fjalët shndërrohen
në lutje të cunguara.

Grua,
sa jetë pulson
e vdes brenda teje!
Emrat e shuar nga vrasësit – përbindësha
Qytetet do të mbushnin
me britma e klithma.
Mimozat dënesen në degë, në duar.
Gratë janë ëndrra që s’duhen lënduar…

Buzëqeshje

Një femër është hibridi
midis gruas dhe nënës.
Pas ninullës dhe puthjes
mbi krye…
ajo nis të dëgjojë
rrahjet e zemrës së saj.
Dhe gjumi e mbështjell
me flatra tyli.
Si mijëra gjilpërëza
që natën përshkojnë.
Mendimet e heshtura
I lexohen mbi ballë.
Teksa fryma nxiton të regëtijë.
E buzët reflektojnë
një buzëqeshje të qashtër, plot dritë.
Buzëqeshje që ndihet
në tokë, në qiell, në shpirt…

Kapriço

Gruaja duhet të jetë
durim, sakrificë, virtyt.
Por unë,
kam harruar të rritem.
Duke mbetur kështu,
një trill romantik,
përtej melankolisë së bruztë.
Sa inat!
Veç vajzukeve,
u lejohet të jenë kapriçoze.
E brenda qenies sime,
njëherazi.
lëvrijnë të dyja.
Dhe gruaja zbehet
nga tekat e vajzës.
Tekembramja,
kam mijëra të meta.
E di !
Por nuk dua të ndryshoj.
Preferoj të mbetem
versioni besnik
i vetvetes.
Dhe pse jo?!
Një kapriço
Më shumë…
në këtë botë.

Flutur e trishtë

Me sy të zhytur në abis,
një e paftuar në shtëpinë e saj.
Lule molle,
me aromë dashurie të harruar,
si Migeni golsuorthian.
Një trëndafil shpirtpërgjakur,
me petale të fishkura,
I pajetë.
Flutura e trishtë
e dimrit siberian.
Pret vdekjen e paralajmëruar.

Share: