Home KRYESORE Poezi nga Gladiola Busulla

Poezi nga Gladiola Busulla

Krijesë e brishtë
Koha ndalet në sytë e saj.
Një grua e trishtuar – është historia
e mijëra grave zemërngrira.
Buzëqeshjet mbyten në lumenj lotësh.
Flokët e mëndafshtë struken në diell.
Dëshirat femërore shtegtojnë larg…
Përtej kufijve të asaj bote,
që e mbiquajti gruan,
krijesë të brishtë.

Retro
Koha shkokëlohet
në kopshtin tim sekret.
Ngjitem në qiell
dhe bëhem re e bardhë.
Jeta i ngjan
flakës së qiririt,
lules së Xanës
që zverdhon krenare.
Frymëmarrje të shuara,
pluhurizë eshtrash,
hije të braktisura,
emra të përveçëm
nën Tokën gjumëndjellëse.
Kambanoret heshtin …
Ëndrrat e mia.
Ditët e mia.
Lutjet e mia.
Si dhembje amorfe kridhen,
në detin e leksikut të pakuptimshëm.
Udhëtoj në kohë.
Lis tragjik, i plakur, i moçëm.
Petël e mëndafshtë.
Kurorë dafine.
Kumbull e harbuar.
Aromë jasemini dhe barbarozë.
Retro – në kopshtin tim
kohëshkokëluar.

Kuptimi i ëndrrave
Kuptimi i ëndrrave
shtjellohet në librin e përndjekjeve.
Kur sytë e natës shqyen madhështinë,
kur makutëria shenjtëroi krimin,
kur e vërteta u kryqëzua mbi altarin e urrejtjes.
Ndëshkuan fuqinë e mendjes,
afshin e shpirtit,
pushtetin e dijes!
Britmat e terrorit
tronditën qiellin.
Dhe makthi nga gjumi u zgjua.
Dhe të gjithë i harruan ëndrrat.
Dhe holokausti i dritës nuk njohu kufi.

Duart i mbusha me lot.
Për gjithçka humba në shakullinë e jetës.
Të dashurit, ëndrrat, pjalmin e zemrës.
Mos më pyesni për lotët që rrjedhin,
as për parajsën e zbehur eliziane.
Buzëmbrëmjet vetmitare përndriten.
Lule Bahu, qirinj flakëvagëllues,
pakëz muzikë dhome në sfond,
një shtrat i trishtë,
i hijeshuar me mbulesa kadifeje luksi.
Dhe pikëllimi endet në ajër,
si një brerore e shndritshme,
që përqesh lumturinë.

Share: