Kryeministri Edi Rama në prezantimin zyrtar të programit të PS-së për shkollat dhe universitetin nëse fiton mandatin e tretë qeverisës të vendit, tha se do të nisë menjëherë futja e gjuhës angleze që nga klasa e parë, në gjithë shkollat e vendit, e më pas fokusimi në njohuritë teknologjike dhe dixhitale.
“Gjuha angleze do nisë të mësohet kudo në gjithë shkollat e vendit që në klasën e parë.
Është koha që të gjithë të mësohen me gjuhën bazë të komunikimit digjital, qysh sot ne duhet ta pajisim brezin me dijet bazë në të dyja e ta zhdërvjelltësojmë sistemin e ngrirë arsimor në shkenca inxhinieri e matematikë.
Bazuar në modelin e parë të ngritur në Tiranë që do zhvillohet më tej te Piramida e diktatorit e kthyer në një epiqendër të Shqipërisë së të ardhmes ne do çelim programin kombëtar 10 vjecar të kodimit për nxënësit e klasave 12-18, e do hapim qendra të specializuara të botës digjitale jo në iphone e ipad por në botën digjitale ku fëmijëve do u prezantohen themelet e saj.
Do u mësohet graviteti i saj, do u jepen njohuri për ndërveprimet e saj.
Qendra e parë është kjo e Tiranës, të tjerat në Shkodër Vlorë, Dibër Korcë Kukës e Berat e hap pas hapi në krejt Shqipërinë.
Do çelim programin kombëtar për artet e zejet për shkollat e mesme, me kushte e detyra për të usthruar mendjen e duart përmes krijimtarisë në projekte si detyrim që bota e iphone e ipad mos marrë peng mendjen, shqisat e trupin e tyre.
Sportet do zënë vend më të rëndësishëm që nga klasa e parë deri në universitet, na duhet një profil i ri i drejtuesit të shkollave”, tha Rama.
360grade.al