I dërguari i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, bisedoi online të hënën, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, si dhe për pandeminë COVID-19.
Palmer tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin procesin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe shtoi se ai pret që vazhdimi i dialogut të pasojë së shpejti, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e Vuçiç.
Sipas saj, Palmer tha se stabiliteti dhe siguria e Ballkanit Perëndimor janë një nga interesat parësore të SHBA-së.
Vuçiç, në anën tjetër, citohet të ketë thënë se “Serbia është dhe do të jetë gjithmonë e përkushtuar ndaj paqes, prosperitetit dhe mirëqenies së të gjithë njerëzve që jetojnë në Ballkanin Perëndimor”.
“Në këtë kontekst, vendi ynë është vazhdimisht i përkushtuar ndaj dialogut, solidaritetit, projekteve dhe bashkëpunimit, që synojnë lidhjen e popujve, kulturave dhe ekonomive”, tha Vuçiç.
Ai shtoi se Serbia “do të vazhdojë të mbështesë një kompromis të vërtetë dhe të qëndrueshëm në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duke mbrojtur interesat e serbëve atje, si dhe duke ruajtur interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë”.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë , i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur qysh në mars të vitit 2011 dhe do të duhej të përfundonte me një marrëveshje të detyrueshme gjithëpërfshirëse midis dy vendeve.
BE-ja ka thënë më herët se takimin e radhës midis Kosovës dhe Serbisë do ta thërrasë pas formimit të institucioneve të reja në Kosovë, të dala nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
Palmer raportohet se përgëzoi Serbinë edhe për suksesin e saj në vaksinimin kundër koronavirusit, si dhe për shpërndarjen e vaksinave në vendet fqinje.
Serbia thuhet se prin në rajon sa i përket vaksinimit kundër koronavirusit. Ajo ka shpërndarë disa doza vaksinash në Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnje e Hercegovinë./Opinion.al