Home KRYESORE Pena e Dantes

Pena e Dantes

(Në 700- vjetorin e vdekjes së poetit)

Nga Gladiola Busulla

Pasi ngjeu penën
në qiellin kaltëror të Firences,
Dante – pikturoi shtegtimin e shpirtit.

Në rrathët e Ferrit,
në mëkatet çoroditëse të Purgatorit,
në sferat e shndritshme të Parajsës.

Përshkroi botë të reja,
ku ëndrrat shtegtonin si të marra,
mbi gurgullimat e zjarrit.

Ditënata e pafrymë kërrusej nga lotët,
në koordinatat e skalitura
të agonisë përpëlitëse të vajit.

Tercinat thirrmore visheshin
me petkun e jargavantë të muzgut
tjetërsuar nga psherëtimat e mallit.

Në hapësira dhembjesh verbuese,
mjegulla shekullore e krijimit
kundërmonte aromë mirre.

Njëlloj si duart e Maria Magdalenës,
kur lante këmbët e Zotit
nën tisin shëlbues të përdëllimit.

Share: