Home KRYESORE Sulmi ndaj EULEX është një sulm kundër Europës

Sulmi ndaj EULEX është një sulm kundër Europës

Nga Lavdrim Lita

Kreu i EULEX-it në Kosovë, Gabriele Meucci, në një intervistë për RTK, ka deklaruar se politikanë të caktuar në Prishtinë po i bëjnë presion sistemit të drejtësisë, ndërsa ka kritikuar edhe disa prej portaleve në vend, që sipas tij, përmes anonimitetit shpërndajnë lajme me metoda Sigurimi apo UDB-je. Z. Meucci gabon nga mosnjohja kur barazon UDB me Sigurimin, pasi kjo e fundit ishte një filial i së parës në Tiranë.

Mirëpo ankesa e kreut të Eulex në Kosovë është shumë shqetësuese dhe do të meritonte një solidarizim të përgjithshëm. Opinioni publik në Kosovë po furnizohen prej ditësh me sulme të koordinuara prej ministrave të qeverisë “Mustafa” dhe shtojcave të tyre në punëtoritë mediatike, që ndërmjet “lajmit” për Kim Kardashian dhe kërkesës për azil të vëllait të kryeministrit, i fusin edhe ndonjë shashkë për Eulex. Është e papranueshme për një vend normal që ministri i Drejtësisë të komentojë vendimet e Gjykatave të Republikës sepse Kushtetuta parasheh ndarjen e pushteteve dhe rolin e secilit. Nuk mendoj që ministrat e qeverisë së Kosovës kanë një deficit në njohjen e Kushtetutës, apo kanë vështirësi të lexojnë drejt deklaratën e ambasadës amerikane, që “Autoritetet e Kosovës duhet të sigurohen se gjyqësori merr mbështetje për të gjykuar në një mjedis të qetë”.

Është e vërtetë që “dështimet” procedurale në shumë çështjeve të rëndësishme nga ana e prokurorëve të Eulex dhe mbyllja e disa dosjeve penale kanë ngritur nivelin e alarmit përsa i përket eficensës së këtij misionit për sundimin e ligjit përkundrejt fondeve evropiane të harxhuara për të forcuar këtë institucion. Ndonëse, mund të imagjinohet fare lehët çfarë do të ishte drejtësia në Kosovë pa një mision të huaj si Eulex. Ajo do të ishte as më shumë e as më pak një drejtësi e dërrmuar nga korrupsioni, siç është në Shqipëri.

Qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar që modeli i politikës në Prishtinë është i njëjtë me modelin e politikës në Tiranë, çka nuk do të thotë që domosdoshmërish të kenë një drejtësi si në Shqipëri, ku ka drejtësi, por ajo është e shtrenjtë. Kosova nuk e ka luksin të dyshojë për përfaqësuesit e ligjit të misionit Europian, ashtu siç nuk e kanë luksin institucionet vendimmarrëse të BE-së të përfshihen në skandale që do të minonte besueshmërinë e saj. 111 milion euro të shpenzuara çdo vit nga taksapaguesit evropian për të vënë sundimin e ligjit në Kosovë dhe vende të tjera nuk mund të hidhen në erë sepse ndonjë ministri nuk i pëlqejnë vendimet me burg të shokëve.

Nga ana tjetër, Zoti Meucci duhet të rifitojë menjëherë besimin e atyre njerëzve që kanë humbur besimit tek Eulex dhe tu flasë atyre me gjuhën që kuptojnë më mire. Njerëzit kanë nevojë të dinë të vërtetën sido që të jetë ajo. Ai duhet të restaurojë besimin mbi institucionet ndërkombëtare.

*Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. MA në Kolegjin Europës.

Share: