Home Gjeo-Ekonomia “Pse po shpenzon Serbia 150 milionë euro mes askundit? Zhvillim i rrezikshëm...

“Pse po shpenzon Serbia 150 milionë euro mes askundit? Zhvillim i rrezikshëm dhe me pasoja, sidomos për 4 shtetet e NATO-s në rajon”

Nga Shaban Murati

Botuar në DITA

Bazë e re ajrore serbo-ruse në Trebinje të Bosnjës:

Serbia po nxiton të krijojë edhe krahun ushtarak të projektit të saj të “Ballkanit të hapur”. Për herë parë Serbia po ndërton një bazë ajrore jashtë kufijve të saj, në një shtet tjetër, dhe konkretisht një aeroport të madh ndërkombëtar në qytetin e vogël të Trebinjës, që ndodhet në pjesën e të ashtuquajturës “serpska republika” në shtetin e Bosnje-Hercegovinës.

Hapi i ri ambicioz i Serbisë ka ngjallur një shqetësim të madh në Kroaci, ku dyshimet janë të mëdha për qëllimet e errëta dhe strategjinë ballkanike të Serbisë. Në 30 gusht media e Bosnje-Hercegovinës “Sarajevo Times”, me titullin “Qeveria kroate po i kërkon shpjegime Bosnje-Hercegovinës për aeroportin e Trebinjes”, njoftonte se “aeroporti i Trebinjës ta tërhequr vëmendjen e autoriteteve kroate, të cilat po i kërkojnë tani shpjegime Bosnjë-Hercegovinës që të sqarojë se çfarë është planifikuar ekzaktësisht të ndërtohet në atë zonë kufitare me Kroacinë”.

Në mesin e muajit gusht ministri i Ekonomisë i Kroacisë, Tomislav Coric, i dërgoi një letër zyrtare ministres së jashtme të Bosnje-Hercegovinës, Bisera Turkoviç, në të cilën i kërkon informacione zyrtare për karakterin e projektit të aeroportit të Trebinjës, duke theksuar “lutemi na jepni informacione ne si shtet i interesuar”. Sipas “Sarajevo times” deri në 30 gusht Ministria e Jashtme e Bosnje-Hercegovinës nuk i ishte përgjigjur kërkesës kroate, por portali “seebiz” shkruante se “Kroacia nuk do të heqë dorë, kur është fjala për këtë projekt”.

Shqetësimi i Kroacisë për aeroportin e madh ndërkombëtar, që po ndërton Serbia me paratë e veta, që do të jetë pronë e Serbisë dhe do të menaxhohet nga Serbia, është i ligjshëm, sepse aeroporti po ndërtohet në kufi me Kroacinë. Meriton respekt ndjeshmëria dhe vigjilenca shtetërore dhe kombëtare e shtetit kroat për mbrojtjen e interesave të veta jetike përballë agresivitetit, lëvizjeve dhe veprimeve provokuese të Serbisë.

Është rasti për të kujtuar këtu se qeveria e Kroacisë është e para në Ballkan, e cila qysh në vitin 2004 i ka tërhequr vëmendjen e BE për ambicjet e Serbisë për të rikrijuar Jugosllavinë e vjetër nëpërmjet projektit të “zonës së përbashkët ekonomike”, që myteberet e “Ballkanit të hapur” po e shesin në tregun e vjetërsirave diplomatike si fustan të ri.

Dyshimet gjeopolitike për ndërtimin e këtij objekti serb, të cilin kryeministrja e Serbisë, Ana Bernabiç, në një fjalim në Nova Topola në 13 nëntor 2020 e cilësoi “projekt i ri dhe i madh strategjik, që ju do ta ndjeni fuqinë e Serbisë këtu në “serpska republika”, janë të shumta dhe dhe të bazuara.

Zona ku do ndërtohet aeroporti

Dyshimi i parë vjen nga fakti që Serbia po ndërton një objekt të rëndësishëm strategjik në territorin e një shteti tjetër, pa e pyetur atë shtet dhe patur lejen e atij shteti, që është Bosnje-Hercegovina. Burime të mirë informuara zyrtare nga Sarajeva i deklaruan me këtë rast gazetës “Dita” se “Këshilli i Ministrave i shtetit të Bosnje-Hercegovinës nuk ka dhënë leje për ndërtimin nga Serbia të aeroportit në zonën e Trebinjës”.

Me arrogancën e shtetit shovinist, që nuk respekton sovranitetin dhe integritetin e shtetit fqinjë të Bosnjë-Hercegovina, Serbia nuk e ka përfillur refuzimin e qeverisë së Sarajevës. Defakto kjo mund të quhet pushtim nga Serbia i territorit të Bosnje-Hercegovinës. Për aeroportin Serbia ka bërë marrëveshje të paligjshme me një entitet separatist si “serpska republika”, në një kohë që marrëveshje të tilla ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me territorin e shtetit dhe sovranitetin e tij, janë kompetencë e qeverisë qendrore të Sarajevës.

Vendimin politik për ndërtimin e aeroportit të madh ndërkombëtar të Trebinjës e shpallën në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Serbisë dhe të qeverisë së “serpska republikës” në 22 prill të këtij viti. Po në prill Serbia shpalli tender ndërkombëtar për përgatitjen e dokumentacionit projektueso-teknik të aeroportit të Trebinjës, akt që përbënte një shkelje flagrante të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Bosnje-Hercegovinës, sepse një shtet i huaj, Serbia, shpallte tender për një territor të një shteti tjetër.

Sipas presidentit serb Vuçiç fluturimi i parë nga aeroporti i Trebinjes do të jetë në mars 2022.

Me aeroportin e ndërtuar, financuar dhe poseduar prej saj në Trebinje, Serbia shkel sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit të Bosnje-Hercegovinës. Nga ana tjetër Beogradi mbështet statusin separatist të “serpska republikës”, sepse e konsideron shtet më vete dhe bën marrëveshje të paligjshme me të për territorin dhe ndërtimin e aeroportit. Kemi aktin e dhunimit flagrant të sovranitetit dhe të integritetit territorial të shtetit të Bosnje-Hercegovinës, në një kohë që Beogradi me demagogji e fton të bëhet pjesë e projektit të “Ballkanit të hapur”.

Dyshimi i dytë për aeroportin e madh ndërkombëtar të Trebinjes, të financuar, të poseduar e të menaxhuar prej Serbisë, është se sipas ekspertëve të fushës ky aeroport nuk ka asnjë logjikë financiare, ekonomike dhe tregëtare që të ndërtohet. Aeroporti do t’i kushtojë Serbisë 150 milionë euro dhe nuk ka asnjë të dhënë apo parashikim që të mbështesë ndonjë mundësi efikasiteti ekonomik apo përfitimi financiar.

Aeroporti i madh ndërkombëtar i Trebinjes po ndërtohet në një zonë të prapambetur malore pa asnjë resurs, pranë qytetit të vogël të Trebinjës me 30 mijë banorë. Nuk ka asnjë argumentim zhvillimi ekonomik apo turistik dhe askush nuk është në gjendje të thotë se kush do të fluturojë në atë aeroport. Aeroporti i Trebinjes po ndërtohet, siç shkruan shtypi kroat “në mes të askundit”, në një kohë që rreth e rrotull tij në një rreze prej 50 kilometrash janë katër aeroporte ndërkombëtare si Dubrovniku, Mostari, Pogdorica dhe Tivati. Distanca nga Trebinja në Dubrovnik është 22 kilometra larg.

Nuk mund të mos lindë pyetja se përse një shtet si Serbia do të hedhë në erë 150 milion euro për ndërtimin e një aeroporti të madh ndërkombëtar, nga i cili nuk do marrë asnjë përfitim ekonomik apo financiar. Përse po i shpenzon Serbia gjithë ato para?

Ahere vijmë te dyshimi i tretë i madh dhe kryesor, që Serbia po e ndërton aeroportin e madh ndërkombëtar për qëllime ushtarake. Gazeta serbe “Telegraf” shkruante në 27 korrik se “Mediat kroate kanë shprehur frikën se Beogradi planifikon të dislokojë gjuajtës rusë dhe serbë në Trebinje”. Media kroate “dubrovackislobodnadalmacija.hr” shkruante në 6 gusht se “mediat e “serpska republikës” flasin për mundësinë e përdorimit ushtarak të aeroportit për forcat ushtarako-ajrore të Serbisë dhe ndoshta të Rusisë”.

Mediat flasin për mundësinë e përdorimit ushtarak të aeroportit

Gazeta “Slobodna dalmacija” shkruante në 22 maj se “Nuk ka as logjikë ekonomike dhe as tregëtare për aeroportin e Trebinjës, por ka një logjikë tjetër që bëhet nga qëllimet e fshehta të ardhëshme ushtarake të këtij projekti. Ndoshta në Hercegovinën Lindore do të jetë një pistë, që synon të strehojë gjuajtësit rusë ose serbë”.

Me sa duket është kjo strategji ushtarake serbe, e mbështetur nga Rusia, që çon në shpenzimin e një shume kolosale parash për ndërtimin e një aeroporti të madh ndërkombëtar në Trebinje, që do të jetë pronë e Serbisë dhe do të drejtohet prej saj. Praktikisht Serbia po ndërton një bazë ajrore për forcat ushtarako-ajrore serbe dhe ruse.

Ekspertët kroatë shprehen se në funksion të qëllimit ushtarak pista e aeroportit të Trebinjes është projektuar të jetë më e gjatë se pista e aeroporteve ndërkombëtare të Zagrebit dhe të Beogradit, dhe e skicuar posaçërisht për pritjen e aeroplanëve të mëdhenj rusë të transportit ushtarak “Antonov”.

Në këtë optikë strategjike ndërtimi nga Serbia i aeroportit të madh ndërkombëtar në Trebinje, paraqet një sfidë dhe kërcënim ndaj Bosnje-Hercegovinës dhe ndaj faktorit perëndimor, i cili mbështet unicitetin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Ndërtimi i kësaj baze ajrore serb sjell dhe duhet të sjellë një shqetësim më të gjërë se sa vetëm në Kroaci, por në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe më gjërë rreth tij.

Një shqetësim për këtë bazë ajrore serbe shihet edhe në Hungari, ku media hungareze “balkmagazin” në 25 maj jepte alarmin me titullin: “A do të ndërtohet një bazë ushtarake ruse afër Dubvrovnikut me ndihmën e Serbisë?”.

Media e mësipërme hungareze i kujtonte opinionit se si nisi baza ruse e quajtur “Qendra humanitare ruso-serbe” që vepron në aeroportin e Nishit, Serbi, dhe për të cilën ministri rus i emergjencave njoftoi në 15 maj se do të ketë zgjerim të mëtejshëm. “Balkmagazin” konkludon se “Nuk është vështirë të kuptosh që aeroporti i Trebinjës është aktualisht një bazë e ardhshme ushtarake ruse”.

Beogradi e konsideron “serpska republikën” pjesë dhe territor të Serbisë dhe i jep vetes të drejtën të ndërtojë pa leje bazë ushtarako-ajrore atje. Një bazë ruse Serbia e ka lejuar që në vitin 2009 në Nish dhe tani po ndërton bazën tjetër në “serpska republika”. Nuk duhet harruar se udhëheqësi ultranacionalist serb Milorad Dodik ka deklaruar prej kohësh se ai planifikon që t’i japë Rusisë një bazë ushtarake në territorin e “serpska republikës”. Tani shohim që kjo bazë ushtarake ruse e premtuar nga miku i Putinit, Dodik, po bëhet realitet nga Serbia në Trebinje.

Aeroporti i Trebinjës paraqet një plasdarm të ri të ndërhyrjes dhe të shantazhit ushtarak ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor

Jemi para një zhvillimi të rrezikshëm dhe me pasoja për vendet e rajonit dhe sidomos për shtetet anëtare të NATO-s në rajon si Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Një bazë e re ushtarake serbo-ruse në Trebinje nuk ndërtohet për mbrëmjet rinore të vallëzimit ballkaniko-perëndimor dhe as për të çfaqur filmat e realizmit socialist të telenovelës “Ballkan i hapur”.

Aeroporti i Trebinjës paraqet një plasdarm të ri të ndërhyrjes dhe të shantazhit ushtarak ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Asistojmë në një valë të freskët të ambicieve ushtarake të Serbisë në rajon dhe të forcimit të fuqisë së saj ushtarale në funksion të realizimt të planit serbomadh të “botës serbe” të bashkimit në një shtet të vetëm serb të të gjithë serbëve të rajonit bashkë me territoret ku jetojnë. Këtë plan mund ta realizojë vetëm forca ushtarake.

Serbia po ndërton aeroportin e Trebinjës në mënyrë të paligjshme dhe praktikisht po e pushton territorin e Bosnje-Hercegovinës, ku po ndërton aeroportin. Beogradi dërgoi para disa ditësh në territorin e Malit të Zi forcat speciale serbe dhe njësitë e shërbimit sekret serb për të siguruar fronëzimin e peshkopit të kishës ortodokse serbe në Mal të Zi nga protestat masive të popullit malazez. Është një formë e pashpallur e ndërhyrjes ushtarake dhe e pranisë ushtarake. Serbia në heshtje po përgatit terrenin që në Ballkanin Perëndimor apo në “Ballkanin e hapur” të kemi rrëshqitjen strategjike drejt pranimit të pranisë ushtarake serbe.

Nuk e dimë nëse ka narcistë në Tiranë dhe në Shkup, që ende rrinë para pasqyrës serbe dhe thërrasin “sa i bukur është “Ballkani i hapur” serb”. Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me dalldisje emotive krerësh, por kemi të bëjmë me lidhje okulte serbe dhe ruse në Tiranë dhe në Shkup.

Kemi një element të ri, që lidhet me aspektin ushtarak të projektit serb të “mini Shengenit apo të Ballkanit të hapur”. Kemi tërhequr vëmendjen qysh në pranverën e vitit të kaluar se kalorësit serbë të “mini Shengenit” kanë hedhur idenë e një force të përbashkët policore dhe ushtarake të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pra të “mini Shengenit”. (Gazeta “Dita”, 12 mars 2020, ”A do ta sjellë “mini Shengeni” ushtrinë serbe në Shqipëri?”).

Në datën 9 mars 2020, presidentja e “serpska republikës” në Bosnjë-Hercegovinë, Zhelka Cvijanoviç, deklaroi në Banja Luka në konferencë shtypi, se ajo mbështet idenë e formimit të një force të përzier policore dhe ushtarake të përbashkët, të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila do të dislokohet në kufijtë e jashtëm të Ballkanit Perëndimor, për të ndalur valën e madhe të emigrantëve. Burime diplomatike nga Beogradi konfirmuan se ideja nuk ishte e saj, por ishte e presidentit të Serbisë Vuçiç.

Pretekstet me të cilat mvesh Serbia planet e saj janë shumëngjyrëshe, që nga etiketa humanitare për bazën e Nishit, etiketa turistike për aeroportin e Trebinjës, dhe etiketa e refugjatëve për dislokimin e forcave serbe në kufijtë jashtëm të “Ballkanit të hapur”, ku ka hyrë edhe Shqipëria e mjerë. Në kohën e satelitizmit të Shqipërisë nga Jugosllavia, Beogradi kërkoi të dislokonte dy divizione ushtarake jugosllave në Shqipëri nën pretekstin e mbrojtjes miqësore. Syleshëve është lehtë t’ua përsëritësh historinë dhe udhëheqësit e Shqipërisë i përkasin asaj kategorie.

Ardhja e një baze ajrore serbo-ruse në Trebinje përbën një zhvillim që duhet të verë në lëvizje vendet e NATO-s në rajon, siç po vepron Kroacia. Duhet të zgjojë edhe Shqipërinë, që vazhdon ende të jetë në moshën e pubertetit shtetëror dhe ëndërron dashurinë e vjetër për Serbinë dhe për udhëheqësit serbë. Do të jetë për të ardhur keq nëse me bazën ajrore të Trebinjës ndodh e njejta gjë si me bazën ruse të Nishit në Serbi.

Kur u nënshkrua në 2009 marrëveshja për bazën midis Rusisë dhe Serbisë, as vendet e rajonit, as vendet e BE dhe as vendet e NATO nuk u ndjenë dhe nuk e kuptuan, por u zgjuan pas pesë vjetësh kur njësitet ushtarake ruse me uniformat e zjarrfikësve nisën të dislokohen me qindra në bazën e Nishit. Ndaj kundërshtimi i bazës së re ajrore serbo-ruse të Trebinjës vjen si detyre e çdo vendi të NATO-s në rajon, përfshirë edhe Shqipërinë./Dita

Share: