Home KRYESORE Kufizimi i lëvizjes së mjeteve të rënda në Tiranë/ Policia: Ka lehtësim...

Kufizimi i lëvizjes së mjeteve të rënda në Tiranë/ Policia: Ka lehtësim të dukshëm të trafikut

Vendimi i Bashkisë së Tiranës për kufizimin e qarkullimit të mjeteve të rënda dhe betoniereve gjatë ditës, por sidomos në orët e mëngjesit, kur fëmijët shkojnë në shkollë, ka dhënë efektet e para pozitive.

Një fakt i tillë pohohet nga Shefi i Parandalimit dhe Sigurisë në Trafikun Urban, Komisar Taulant Gjoka. Në një intervistë për emisionin “Breaking” në Top News, Gjoka tha se sinjalet e para pozitive janë të dukshme në terren.

Nëpërmjet Qendrës së Kontrollit të Trafikut, por edhe burimeve njerëzore që ne kemi në terren çdo ditë, për rregullimin e trafikut, ka një fakt pozitiv dhe një lehtësim të lëvizjes së mjeteve dhe qytetarëve. Sinjalet e para pozitive janë të dukshme në terren dhe qytetarët që përdorin mjetet e tyre çdo ditë, sidomos në oraret e mëngjesit dhe pasdites, mund të jenë më objektivë dhe për ta prekur këtë lehtësim të trafikut”, tha ai.

Të njëjtin mendim ndan dhe Drejtori i Drejtorisë së Transportit dhe Trafikut Rrugor në Bashkinë e Tiranës Enton Punavija. Ai konfirmoi se nga monitorimi i qarkullimit vihet re një lehtësim i lëvizjes gjatë ditës. “Impakti është ndjerë jo vetëm tek mjetet private, por edhe tek linjat e transportit publik, nga komunikimi me ta e kemi mësuar. Në kuadër të riorganizimit në transportin publik, për shkak të pandemisë dhe masave që ne kishim marrë, në bisedën e fundit që patëm me ta, na u tha që numri i mjeteve të parashikuara është më i madh, për shkak se shpejtësia e lëvizjes është shumë më ndryshe nga sa ishte më parë. Mendoj se impakti që ka dhënë është shumë i rëndësishëm. Janë masa të njohura, që nuk merren vetëm në Tiranë, por që janë shembuj që janë marrë edhe në qytete të tjera. Thelbi është i ndarjes së orareve dhe i ndarjes së lëvizjes. Pra, nëse shkollat nisin paradite, dhe me situatën e Covid zgjatin gjatë gjithë ditës, me orare të caktuara, është shumë e rëndësishme që kjo hapësirë kohore t’i jepet lëvizjes në funksion të shkollave, apo mjeteve private për punë. Ashtu si në orarin kur shkolla ka përfunduar, mjetet private kanë përfunduar punët e tyre, i jepet përparësi mjeteve në funksion të ndërtimit apo furnizimit”, thekson Punavija. Ai nënvizoi se ka një bashkëpunim shumë të rëndësishëm me Policinë e Qarkullimit Rrugor dhe me strukturat e Policisë Bashkiake.

Komisar Taulant Gjoka deklaron se kontrollohet po vijojnë në bashkëpunim të ngushtë dhe me Bashkinë e Tiranës për normalizimin e situatës së qarkullimit. “Ne kemi filluar me kontrollet dhe masat administrative. Ka pasur një tendencë për të qarkulluar ditët e para të Janarit, por ditët e fundit ka rënë ndjeshëm dhe impakti i masave administrative dhe kontrolli i Policisë Rrugore, përfshirë edhe bashkinë Tiranë, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë Bashkiake, kanë dhënë impakt. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me bashkinë e Tiranës që mos të bëhemi edhe pengesë, por për të lejuar edhe industrinë e ndërtimit të zhvillojnë punimet e tyre që i kanë emergjente, po pa krijuar edhe ngarkesa në trafik”, nënvizon Gjoka, Shef i Parandalimit dhe Sigurisë në Trafikun Urban.

Top Channel

Share: