Home KRYESORE Në vend të pyetësorit vendosa të postoj këtë letër.

Në vend të pyetësorit vendosa të postoj këtë letër.

Troç nga Iva Çaushaj


Z. Kryeministër,

Në kohën kur ju u shfaqët në jetën politike shqiptare, unë isha një prej atyre mijëra adoleshentëve, të cilët, ju shihnin e ndiqnin me dritë në sy e shpresa të mëdha. Mirëpo, kaluan vitet, adoleshentët u maturuan, u rritën, drita në sytë e tyre u zbeh dhe shpresat e mëdha u kandisën në dilema çorientuese, deri kur, morën trajtën përfundimtare të një realiteti sfilitës e dëshpërues.

Vijmë tek nisma juaj, e cila, në dukje, është një iniciativë që çdo vend perëndimor do ta kish zili për nga përmbajtja dhe forma. Mirëpo, unë mendoj se, çka parashtroni ka mangësi të thella në përqasje me gjindjen aktuale të shoqërisë së cilës i drejtohet, pra, asaj shqiptare.
Sidoqoftë, letrën, prej jush firmosur, e lexova me kujdes, tok me pyetësorin mbi “Këshillimin Kombëtar” me diciturën “Le të dëgjojmë njëri-tjetrin”.

Bukuri! Le ta dëgjojmë atëherë!

  1. Z. Kryeministër, pjesa dërrmuese e shqiptarëve nuk kanë as bukën e përditshme për të mbush’ barkun e fëmijëve dhe të tyrin, gjithashtu.
    A jeni ndalur ndonjeherë, Z. Kryeministër, ndër dyqanet e lagjeve, aty ku listat e borxhlinjve fukarenj janë teje të gjata e të dhimbshme?!
    Ndoshta, do të mjaftonte veç njeri prej ekraneve çoroditëse nëpër kryqëzimet e Tiranës, që i bën fresk kryeqytetit europian të rinisë, për të shlyer qindra familje nga skamja, mjerimi e barra dëshpëruese e borxhit! (Njëra prej zgjidhjeve kjo. Por, mund t’ju sjell shumë të tjera në ndihmë, nëse stafit tuaj i është ndryshkur truri dhe zemra.)
  2. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve nuk siguron dot as vizitat, as barnat dhe as terapitë trajtuese e kuruese, Z. Kryeministër.
    Nisma juaj në fushën e mjekësisë dështoi, ngase, tjetër u premtua, të tjera u zbatuan dhe, në mesin e kësaj katrahure shëndetësore, disa syresh u pasuruan.
  3. Fëmijëve shqiptarë nuk i është siguruar ende një arsimim i denjë dhe cilësor, andaj, brezat rriten e mbruhen me ëndrra arratisëse përtej Adriatikut dhe nëntëdhjetë për qind e shqiptarëve gjakojnë t’ia mbathin nga sytë këmbët për kah perëndimi, apo më larg.
  4. Shqiptarët janë një popull kryesisht analfabet, injorant, një popull që jeton ende dhe ushqehet me parimin se, “ligjin e bën i forti”, një popull që dergjet në skamje ose makutëri dhe ngado ta kthejmë stekën i tillë milet është lehtësisht i komandueshëm dhe i manipulueshëm.
  5. Z. Kryeministër, një pjesë e madhe e shqiptarëve nuk ju mbështet për mënyrën me të cilën po e qeverisni këtë vend. Disa syresh guxojnë, duke e shpalosur mospërputhjen përmes analizave, shkrimeve, komenteve apo protestave, porse, ata janë vazhdimisht nën presionin dhe shënjestrën e klikës suaj.
  6. Populli juaj, Z.Kryeministër, është një popull që nuk gëzon të drejtën e votës, protestës, fjalës së lirë, mendimit të lirë, sepse, vidhet dhe/ose blihet rregullisht, kërcënohet me gjoba tatimore, me mohimin e vendit të punës në administradë… me fjalë të tjera: të nxihet jeta, nëse vetëm shprehesh kundër jush, Z. Kryeministër! Sigurisht, gjithçka stisur dhe endur nën lehtësinë e papërballueshme të ligjit në duart e Maliqit!
  7. Gazetarë, analistë, artistë, njerëz të letrave, thuajse e gjithë shtresa e lëçitur e shoqërisë sonë heshtin dhe ulin kokën. Dhe, teksa, një pjesë nuk duan të flasin ngase mund t’iu prishen interesat dhe ekuilibrat e asaj mirëqënieje që buron nga “heshtja dhe favoret”, pjesa tjetër nuk mund të shprehet ngase duhet doemos të byr muajin me rrogën shtetare.
  8. Administrata juaj, Z.Kryeministër endet virtualisht me profile të dyfishta, ku njeri është personal dhe tjetri i shërben propagandës suaj të turpshme partiake. Profili i fejsbukut për partinë është me urdhër të prerë, Z. Kryeministër, se përndryshe, nuk puq në administradën tuaj.
  9. Shqipëria, duket sikur po përjeton epokën e përndryshimeve të mëdha, sidomos në sektorin e gjyqësorit. E tillë serviret, e parë nga jashtë! Po punohet me ritëm galopant, por, po punohet duke zbatuar me përpikmëri urdhëresat që vijnë nga “Rruga Elbasanit” për të bërë davanë e “Rrugës së Elbasanit” që përzgjedh sipas kriterit, “ky na bën, ndërsa, ai s’na bën punë” dhe çka mbetet për këtë vend janë veç grimca drejtësie.
  10. Z. Kryeministër, ju, përmes pyetësorit tuaj, kërkoni të vendosen pikat mbi “i” përsa u përket bizneseve informale dhe evazionit fiskal. Shumë mirë bëni! Doemos, duhet! Mirëpo, më së pari, duhet vënë rregull, që të kemi një konkurencë të ndershme mes bizneseve. Shumica e bizneseve të vogla e të mesme informalizohen e vjedhin për të mbijetuar. Andaj, siguroni më parë një treg të ndershëm, konkurues, pa ngërthimën monopoliste që të mbin në derë dhe, më pas, shtroni edhe pyetjen numër 8 mbi evazionin fiskal.
  11. Z.Kryeministër, referuar pyetjes numër 6, çfarë kanabisi kërkoni të legalizoni në një vend ku treçerekut të popullatës nuk i sigurohet dot as jetesa minimale, ku populli dergjet kafeneve i papunë dhe shtresa e mesme e tij thuajse nuk ekziston më?!
  12. Z. Kryeministër, përse në pyetësorin tuaj nuk ka asnjë pyetje, se ç’mendojnë qytetarët e Tiranës mbi përdhunimin e njekohëshëm të tokës e qiellit të kryeqytetit të tyre?
    Personalisht, kam për të ulëritur shumë gjëma të pakthyeshme, të cilat, tanimë, janë të parikuperueshme.

Z. Kryeministër, ndoshta, ekspertët tuaj, kur kanë përpiluar pyetësorin, nuk e kanë menduar me mendjen e duhur dhe aty ku asaj i ka hije të jetë! Andaj, dymbëdhjetë pyetjeve që parashtroni në pyetësor, u jam përgjigjur, jo më kot, me dymbëdhjetë çështje shumë herë më jetike për situatën dhe ardhmërinë e vendit tonë.

Le ta dëgjojmë njëri-tjetrin Z.Kryeministër!

Iva Çaushaj (Vaso)

Shënim: “Ka njerëz që thonë se” ky vend është përçudnuar.
Do bënit mirë t’i dëgjoni edhe këta, Z. Kryeministër!

Share: