Home KRYESORE Misioni i panatyrshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Misioni i panatyrshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Nga Suzana Tahiri

Qysh nga zgjedhjet e fundit parlamentare, që u shoqërua edhe më një periudhë të gjatë kohë pa kompromis për qeverisje, Kosova ka tashmë një koalicion qeveritar me dy parti kryesore PDK-në e Thaçit dhe LDK-në e Mustafës, ndërsa kanë dalë në opozitë “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës” (AAK) e Haradainajt, “Lëvizja Vetëvendosja” (LV) e Ymerit dhe “Nisma” e Limajt.

Natyrisht në një skenë politike, qoftë edhe ajo në Kosovë, që është me pak traditë demokratike dhe ende shumë e brishtë, nuk mund të thuhet se të gjitha veprimet e pozitës kanë qenë më të mirat e mundshme, por kushdo ka parë dëshirën e mirë dhe përpjekjet e qeverisë Mustafa-Thaçi, që të punojë me të gjitha mundësitë për të ndërtuar një shoqëri të re, në aleancë të ngushtë me klubin e vendeve perëndimore dhe me një partneritet të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

Ndërkaq, në antitezë me veprimet e qeverisë, ato të opozitës më shumë kanë ngjarë me një opozicion të stisur, se sa me një përkjekje për të monitoruar qeverisjen dhe për të bërë atë në dobi të qytetarëve të Kosovës.

Sepse ka qenë e tillë, kjo opozitë ka marrë edhe një ndëshkim të madh nga faktori ndërkombëtar dhe sidomos nga dy aleatët më të rëndësishëm SHBA dhe BE.

Dhe pikërisht në këtë sjellje të opozitës është bashkuar edhe AAK, që është një formacion krejt tjetër, që ka dhënë kontribut të paçmuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ka dhënë gjithashtu ndihmesë në shtetin e ri të Europës duke bërë kohë më parë edhe koalicion qeverisës me LDK.

Akoma më tepër lideri i saj, Ramush Haradinaj, për shkak të periudhës qeverisëse, por edhe për arsyen tjetër që u ballafaqua dy herë në Hagë për akuzat kundër tij dhe doli botërisht i pafajshëm, ai mundi të shtojë miqtë perëndimorë sa në SHBA e deri në qendra më të mëdha perëndimore. Por kjo sjellje dhe mirënjohje perëndimore nuk ka sesi të vazhdojë pambarimisht, teksa e shohin atë dhe AAK në protestat e pandalshme dhe pa alternativë.

Në politkë asnjëherë nuk thuhet kurrë dhe ndarja e përkohshme mes AAK me PDK dhe me LDK, nuk do të thotë se nuk ka ende mundësi për të gjetur rrugët e bashkëpunimit ose duke zgjeruar koalicionin qeveritar, por edhe duke marrë një qëndrim tjetër opozitar që nuk nënkupton vetëm protestën, por monitorimin e rreptë të qeverisë me mjete dhe instrumente demokratikë. Është koha që Haradinaj dhe AAK të bëjë zgjedhjen e saj te misioni i saj ndërtues, pas ndërtimi i Paqes shpesh është më i vështirë se ai i Luftës.

Share: