Home KRYESORE UNË NUK MUND TË JEM MIRË KUR TI JE KEQ

UNË NUK MUND TË JEM MIRË KUR TI JE KEQ

Nga Alfons ÇUPAJ

Ne njerëzit përgjithësisht jemi egoistë. Nuk po arrijmë dot të mendojmë përtej hundës tonë. Shumica mendojmë vetëm për veten dhe në rastin më të mirë edhe për prindërit tonë. Egoizmi, lakmia, materializmi, pushteti, paraja, servilizmi e kanë mbytur shpirtëroren, humanen, shpresën, dialogun, ndërgjegjen, sinqeritetin, dhembshurinë e pastërtinë. Konflikti dhe lufta po sfidojnë dialogun e paqen dhe përpos çimentimit të një grupi të vogël të pasurish, pjesa më e madhe kërcënohet vazhdimisht nga varfëria, sëmundjet, pabarazia, mungesa e shërbimeve publike dhe elementët bazë për një jetë normale.

Miku im, të gjitha këto ndodhin sepse ne jemi egoistë dhe i nënshtrohemi kastës. Mbyllim gojën para padrejtësive, vetëm sepse këto padrejtësi nuk na cënojnë direkt, heshtim përballë të keqes sepse mendojmë se kjo e keqe nuk lidhet drejtpërdrejtë me ne. Bëjmë kompromise të dëmshme vetëm për interesa të ngushta personale, heshtim për kauza madhore në dëm të qytetarëve dhe vendit. Është detyrë e çdonjërit nga ne që të kundërshtojë të gjitha ato nisma dhe veprime në kurriz të qytetarit e të natyrës.

Është detyrë e çdonjërit nga ne që të kërkojmë që gjërat të bëhen edhe më mirë. Ndaj, ti që ke mundësi vendimmarrje, ti që je në një parti, ti duhet të reagosh i pari, sepse ty të është dhënë një mundësi. Harrojmë se jemi vetëm kalimtarë në këtë botë dhe kemi përballë një test të madh; të tundohemi deri në mëkat, apo t’i përmbahemi ekzistencialitetin tonë si qenie humane e që veprojmë me arsye? Të mendojmë vetëm për të tashmen, apo të kujdesemi edhe për miliona breza të tjerë që do të vijnë pas nesh? Bota nuk është e jona, vetëm momenti është i yni. Unë mendoj ndryshe.

Mendoj se lumturia ime është e lidhur ngushtësisht me lumturinë tënde. Nuk ka rëndësi ku ndodhesh apo ku jeton, fatet tona janë të kryqëzuara. Unë nuk mund të jem i lumtur, kur njeriu i parë që takoj çdo mëngjes, gjatë rrugës për në punë, është një mesoburrë i kërrusur nga i ftohti me dorën e shtrirë për lëmoshe. Unë nuk mund të jem i lumtur sa kohë që të varfrit nëpërkëmben, keqpërdoren, menjanohen, fyhen apo edhe dhunohen.

Unë nuk mund të jem i lumtur përsa kohë njerëzit nuk kanë me çfarë të ushqehen. Unë nuk mund të jem i lumtur kur miku im ekselent në mësime nuk ka mundësi të vazhdoje universitetin. Unë nuk mund të jem i lumtur kur njerëzit në kryeqendrat botërore jetojnë më frikën e ndonjë sulmi terrorist. Unë nuk mund të jem i lumtur kur mijëra njerëz vdesin nga varfëria në Afrikë. Unë nuk mund të jem i lumtur kur miliona njerëz në Lindjen e Mesme jetojnë me ankthin e vdekjes, ndërkohë që mijëra të tjera janë vrarë nga luftimet. Unë nuk mund të jem i lumtur përsa kohë ti je palumtur, i frikësuar, nën presion, i pasigurtë për jetën, për të ardhmen. Ndaj, duhet të mendojmë globalisht. Të mos mendojmë vetëm për sot. Të luftojmë për të miren e përbashkët, për paqen mes njerëzve.

Ti shtrijmë dorën të pamundurit, të menjanuarit, të nëpërkëmburit, të varfrit, të ndryshmit. Edhe nëse je i lumtur, mos harro se je i kërcënuar sa kohë që unë jam i palumtur dhe i shtypur. Mbarimi i resurseve natyrore, ngrohja globale, frika nga terrorizmi janë prezente në çdo vend të botës. Të gjithë kërcënohemi nga shkatërrimi që po i bëjmë globit. Të pasur e të varfër, pushtetarë dhe lypsarë, të gjithë janë të kërcënuar. Ka vetem nje arsye.

Mendojmë vetëm për veten. Ndaj, nëse do të jetosh i lumtur dhe në paqe, mendo edhe për lumturinë e tjetrit. Lumturia jonë është pashmangshmërisht e lidhur me lumturinë e tjetrit.

Share: