Home KRYESORE Prapaskenat e përplasjes Rama-Ahmetaj/ Kryeministri “braktisi” “tigrin” në Vlorë dhe ‘kafja’ e...

Prapaskenat e përplasjes Rama-Ahmetaj/ Kryeministri “braktisi” “tigrin” në Vlorë dhe ‘kafja’ e hidhur…

Largimi i Ilir Metës nga Presidenca, flirtet gjatë këtyre viteve me ish-presidentin dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, si dhe afera e inceneratorëve , duket se kanë qenë arsyet kryesore që detyruan kryeministrin Edi Rama të shkarkonte nga detyra e zv/kryeministrit dhe ministrit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj. Gazeta e ka deklaruar gjatë kësaj kohe se kryeministri Rama ishte shumë i pakënaqur me punën e disa ministrave dhe në korridoret e selisë rozë, thuhej se Arben Ahmetaj ishte vënë në syrin e ciklonit. Por e djeshme ka qenë momenti kur kjo “luftë” e heshtur në prapaskenë, është bërë publike. Qysh në mëngjes kryeministri njoftoi se Arben Ahmetaj nuk do të ishte më numri 2 i qeverisë së drejtuar prej tij dhe ndërkohë edhe ministër, duke e zëvendësuar kështu me Belinda Ballukun. Mësohet se Rama e ka marrë këtë vendim qysh në mesnatën e datës 24 pasi Meta i kaloi stafetën presidentit të ri, Bajram Begaj, edhe pse thuhet se ai ja kish bërë benë që në mars. Dhe ka qenë kjo arsyeja e parë se përse vendimi ka qëndruar në sirtar, nga frika se mos ish-Kreu i Shtetit, që njihet për raportet e mira që ka me Ahmetajn, bllokonte shkarkimin e tij dhe dekretimin e propozimit të ri, nga frika se mund t’i binte qeveria. Pra, sapo Meta iku nga Presidenca, Rama i dha goditjen e fortë Ahmetaj, për të cilin thuhet se është ai personi që i dha dosjen e inceneratorëve LSI, duke punuar kështu kundër Partisë Socialiste, qysh para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, kështu që nisur nga këto arsye të forta, Rama e pa të udhës që të largonte Ahmetajn. Madje, mësohet se një tejetej arsye se përse Rama shkarkoi Metën është edhe fakti se ish-zv/kryeministri ka qenë i “përkëdhelur” i Metës, të cilin ish-presidenti e etiketon me pseudonimin “Tigri” dhe që i lidhin bashkë shumë pazare.

Përplasja Rama-Ahmetaj u reflektua në Delvinë

Ndërkohë sinjali luftës mes numrit 1 të qeverisë dhe vartësit të tij u reflektua pak ditë më parë, ku në prani të kryeministrit Rama, ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, deputetëve të zonës dhe kryebashkiakëve të qarkut, u inaugurua rruga e re Kardhiq-Delvinë, e cila shkurton kohën e udhëtimit drejt Sarandës me 45 minuta. Me një gjatësi prej 33 km, përfundimi i rrugës Kardhiq-Delvinë e shkurton me 3 orë kohën e udhëtimit nga Tirana në Sarandë, duke i dhënë një hov të mëtejshëm zhvillimit shumëdimensional të zonës dhe vendit. Por ajo që rra në sy në këtë ceremoni që u trumbetua shumë në media, ishte fakti se mungonte Arben Ahmetaj, i cili sot që flasim mban postin e drejtuesit politik të Partisë Socialiste në Vlorë. Mësohet se Rama nuk e ka ftuar Ahmetajn me vetëdije, për shkak se ky i fundit nuk është më i pëlqyer i shefit të qeverisë për shumë arsye, ku dështimi me rindërtimin dhe flirtet në rritje të ish-zv/ kryeministrit me ish-presidentin në ikje, janë “patatet e nxehta” që kanë thyer raportet. Pra sikundër pohuan për gazetën “SOT” burime të sigurta nga selia rozë, mësohet se mënjanimi i Ahmetajt nga ana e Ramës lidhet me faktin se ai është shndërruar në një kosto për Partinë Socialiste, ku nuk gëzon më as mbështetjen e vetë socialistëve që e kanë votuar, por edhe për procesin e rindërtimit, si dhe për shkak të hetimeve të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionin sa i takon aferës së inceratorëve, ku zv/kryeministri është një ndër zyrtarët më të akuzuar nga qytetarët dhe opozita.

Rama injoron Ahmetajn, nuk shkon në takimet e asamblesë së PS në Vlorë

Ndërkohë për të treguar se ka pasur një krisje të raporteve mes Ramës dhe Ahmetaj, gazeta po sjellë edhe disa episode të tjerë që tregojnë qartë se në horizont ka nisur “lufta”. Pak ditë më parë zv/kryeministri Arben Ahmetaj, ishte në orën 19:00 në asamblenë e Zgjeruar Socialiste të Bashkisë Vlorë në kuadër të takimeve për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj vendor në 61 bashkitë e vendit. Në fjalën e tij nga takimi në Vlorë për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të degëve, bëri me dije se Partia Socialiste ka nisur fushatën për mandatin e katërt qeverisës. Por ajo që Ahmetaj harroi t’u thoshte socialistëve të Vlorës ishte se Rama nuk erdhi sot sepse nuk ka marrëdhënie të mira me të. Socialistët e Vlorës ishin lajmëruar nga strukturat se kryeministri Rama do ishte në 25 qershor në qytetin e Vlorës, por prezenca e Ahmetajt duket se nuk është mirëpritur mirë nga Rama. Zv/kryeministri të cilit iu besua rindërtimi nga pasojat e tërmetit duket se nuk gëzon më mbështetjen e shefit të vet. Ahmetaj nuk është perceptuar si një njeri i lidhur fort me Partinë Socialiste, por pas 2013-s ka qenë i lidhur fort me qeverisjen e socialistëve. Dora e tij qëndron pas disa vendimeve e politikave të kontestuara edhe nga vetë deputetët e shumicës. Ndërkohë mësohet se Arben Ahmetaj është lënë mënjanë në dy mbledhjet më të rëndësishme të socialistëve brenda disa muaj më parë dhe si për të vulosur perceptimin se ai nuk gëzon më mbështetjen e Ramës, ra në sy edhe mungesa gjatë seancë së posaçme parlamentare për mesazhin e Presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenski. Dhe ajo që e ka mbushur kupën është marrëdhënia e mirë e Ilir Metës, me Arben Ahmetaj pasi ai e prezantoi atë para ambasadorit britanik me pseudonimin “tigri”

Ja si Rama shigjetoi Ahmetajn tek ndërtesat e rindërtuara

Edhe më herët kryeministri Edi Rama ka leshura kritika të hapura ndaj zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. Zoti Rama ndodhej në Manzë të Durrësit, ku u nguruan disa shtëpi të reja, ndërsa u prit me ëmbëlsira në një familje. Teksa iu ofrua karamele në shenjë mirëseardhje në shtëpinë e një çifti të moshuarish, Rama theksoi se nuk do sepse është “i ëmbël vetë”, duke kërkuar t’i jepeshin dy karamele ministrit Arben Ahmetaj, sipas tij, ai është i hidhur. “Jam shumë i ëmbël vetë, jepja këtij dy se ky është i hidhur”, deklaroi ai. Pra nëse shihet me kujdes, retorika e përdorur nga Rama, kjo deklaratë, jo vetëm që është injorim dhe sulm ndaj zv/kryeministrit Ahmetaj, por tregon se ai nuk është më i preferuara i shefit të qeverisë. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht./sot

Share: