Pas 19 ditësh nga vendosja e barrikadave, ditën e sotme ato janë hequr.
Media serbe “Danas” ka publikuar një artikull ku pasqyrohet situata dhe parashikohet ajo që pritet të ndodhë, në një kohë që situata me targat nuk është zgjidhur ende.
Artikulli i plotë:
Heqja e barrikadave në veri të Kosovës pas plot 19 ditësh do të normalizojë lëvizjen e qytetarëve në veri të Kosovës, por problemet e vjetra mbeten të pazgjidhura deri në fund. Ende mbetet i pazgjidhur problemi që lindi nga detyrimi i qytetarëve me targa të Serbisë për t’i riregjistruar, i cili nisi një cikël të ri krizash në Kosovë, po ashtu ka një vakum sigurie dhe institucional që mund të jetë shkak për tensione të reja.
Përkundër heqjes së barrikadave, shumë probleme të serbëve në veri mbeten dhe kanë të bëjnë para së gjithash me vakumin e sigurisë dhe institucional që u krijua pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës
Marrëveshja e arritur për targa është një zgjidhje e përkohshme që tregon se çështja do të zgjidhet sërish në kuadër të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila pritet të nënshkruhet në vitin 2023.
Ndërkohë, pritet që të mos ketë probleme me përdorimin e targave ekzistuese. Qeveria e Serbisë tashmë ka miratuar një dekret sipas të cilit nuk do të lëshohen dokumentacione të reja regjistrimi për automjetet e regjistruara në qytetet e Kosovës. Ky regjim ka qenë i vlefshëm edhe para barrikadave, ndaj pritet të vazhdojë aplikimi i tij edhe pas heqjes së barrikadave.
Në javët dhe muajt në vijim pritet të shohim një ringritje të tensioneve për faktin se çështja e vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e targave është shtyrë publikisht dhe praktikisht. Kjo do të thotë se do të jetë në agjendë jo vetëm në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit, Prishtinës dhe bashkësisë ndërkombëtare, por do të ketë edhe pasoja praktike në terren në veri të Kosovës.
Qytetarët që lëvizin në katër komunat në veri nuk janë të gatshëm të riregjistrojnë targat e tyre nëse nuk ka ndonjë sugjerim nga Beogradi. Gjithashtu Qeveria e Kosovës do të jetë sërish nën presion për të ofruar disa rrethana lehtësuese lidhur me riregjistrimin, gjegjësisht që tarifat dhe taksat do të ulen gjatë riregjistrimit.
(BalkanWeb)