Home Gjeo-Ekonomia Mevi Rafuna: Kosova dhe Izraeli, nga miqësia tek investimet

Mevi Rafuna: Kosova dhe Izraeli, nga miqësia tek investimet

Janë të shumta ku dy shtetet tona mund të lidhin marrëdhënie dhe të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme.

Nga Mevi Rafuna

Njohja e shtetit të Kosovës nga shteti i Izraelit me 4 shtator 2020 dhe hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem me 1 shkurt 2021 janë dy momente kyçe në historinë më të re mes popullit të Kosovës dhe popullit të Izraelit.

Pa dashur të hyj thellë në të kaluarën e largët për mua dhe popullin e Kosovës një personalitet i dashur gruaje e cila u bë shëmbëlltyrë në misionin tonë për liri dhe pavarësi është Sekretarja e Parë Femër e SHBA-ve, Zonja Madeleine Korbel Albright me prejardhje hebreje.

Zonja Albright u bë zëri ynë në kohët e errëta dhe golgotën të cilën e përjetuam me 1999, një vit i cili shënon fundin e shekullit XX, shekull i cili i solli popullin hebre dhe popullin shqiptarë drejtë zhdukjes.

Zonja Albright i qëndroi afër popullit të Kosovës edhe pasi e mbaroi detyrën e saj dhe në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës: në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë u inaugurua shtatorja e saj e punuar nga skulptori Luan Mulliqi.

Kjo është më e pakta që populli ynë ka mundur të bëjë në shenjë nderimi dhe respekti ndaj personalitetit të Zonjës Albright por emri dhe vepra e saj humane dhe e të gjithë atyre hebrejve që na ndihmuan do mbesin përjetësisht në shpirtin dhe historinë e popullit dhe shtetit tonë.

Disa herë në biseda me miq kur kemi diskutuar për politikën dhe shtetndërtimin e Kosovës, modelin e shtetit të Izraelit e kemi përmendur çdoherë.
Edhe pse të bëhem reale njeriu mund të ëndërroj por realiteti i prekshëm shpeshherë na thumbon.

Gjatë luftës unë me familjen time qëndruam si refugjatë në qytetin e Lezhës, në një fabrikë të braktisur e cila ishte shndërruar në kamp refugjatësh.

Më kujtohet se pasi që u çlirua Kosova të gjithë refugjatët e atij kampi u kthyen me entuziazëm dhe gëzim në Kosovë, sepse shpresat për tu kthyer ishin fare të pakta.

Kur u kthyem në vendin tim, çdo gjë ishte shkatërruar, çdo gjë që kishim ishte shndërruar në shkrumb e hi por u ndiem me fat se arritëm të mbijetojmë, pasi që mijëra njerëz ishin vrarë dhe masakruar në mënyrë barbare.

Historikisht shqiptarët nuk kanë pasur kurrë kushte më të mira materiale se tani. Koha kur u kthyem dhe qëndruam nëpër tenda e fjetëm aty në kushte të vështira dhe koha e tanishme janë dy botë krejt të ndryshme, por shtetndërtimi nuk arrihet vetëm përmes gjërave materiale. Më vjen keq, ta pranoj por entuziazmin kur u kthyem pas luftës, tani nuk e shoh dhe pa një mision shtetndërtues nuk mund të krijohet një shtet stabil. Mjerisht, këtë gjë nuk arriti ta bëjë klasa politike e Kosovës, pasi që ishin të zënë në luftën e brendshme për pushtet.

Dhe e harruan se shumë shpejtë gjeneratat ndërrohen, se fëmijët e luftës tani janë burra dhe gra, janë bërë edhe prindër dhe ata duan një Kosovë ku mund ta realizojnë veten dhe ëndrrat e tyre dhe kur e shohin që kjo gjë duket si një betejë e pamundur ata marrin rrugët e botës, të dëshpëruar dhe të zhgënjyer…

Kam përcjellur me vëmendje vizitat e zyrtarëve izraelit në Kosovë, poashtu takimet e nivelit të lartë të ambasadores së Izraelit në shtetin e Kosovës Zonjës Tamar Ziv me udhëheqesit shtetëror të Kosovës.

Besoj që mundësitë janë të shumta ku dy shtetet tona mund të lidhin marrëdhënie dhe të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme.

Sipas meje katër fusha me rëndësi ku dy shtetet tona mund të bashkëpunojnë janë:

1. Arsimi
2. Shëndetësia
3. Kultura dhe Sporti
4. Teknologjia

1. Sa i përket arsimit kisha dashur që institucionet arsimore të Kosovës të marrin shembull universitetet e Izraelit në ngritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së arsimit në shtetin e Kosovës, pasi që arsimi tek ne ka stagnuar dhe si qëllim më nuk është Dija por marrja e një diplome çfarëdo qoftë ajo, qoftë nga universitetet private apo edhe ato shtetërore.Nuk mund të ketë shtetndërtim të mirëfilltë nëse arsimi nuk nxjerrë kapacitete të larta të cilat do t’i shërbejnë jo vetëm shtetit të tyre por do ta përdorin dijen dhe njohuritë e tyre për të mirën e shoqërisë njerëzore në përgjithësi. 

Poashtu kisha dashur që të ketë bashkëpunime dhe vizita të ndërsjella në mes të studentëve të shtetit të Kosovës dhe studentëve të shtetit të Izraelit, që t’i shkëmbejnë përvojat dhe dijen e tyre, të mësojnë për historinë e dy shteteve tona, të ndërtojnë raporte miqësie. Poashtu profesorët e shtetit të Kosovës të munden ta vizitojnë shtetin e Izraelit dhe universitetet e tij të marrin njohuri nga atje dhe ato përvoja dhe njohuri t’i sjellin në universitet tona. Ndërsa edhe profesorët e universiteteve nga Izraeli të mund të vijnë dhe të ligjërojnë para studentëve tanë. Të jepen bursa për studentë, të mbështeten ide dhe krijime të ndryshme etj.

2. Ajo çfarë kam parë dhe çfarë kam lexuar është trajtimi mbreslënës që iu bëhet njerëzve me aftësi të kufizuara në shtetin e Izraelit.Kisha dashur që institucionet e shëndetësisë të marrin njohuri nga shteti i Izraelit se si të trajtohen me dinitet njerëzit me aftësi të veçanta.Më vjen keq që e them por në shtetin e Kosovës, njerëzit me aftësi të veçanta nuk përkrahen siç duhet.Ata përdoren nga politika vetëm gjatë fushatave elektorale por jo edhe në ditët tjera.Madje edhe familjarët e tyre kanë vështërsi të shumta sepse nuk ekzistojnë ende kushtet adekuate për këta njerëz me nevojë.Vlenë ta falenderojmë ambasadoren e shtetit të Izraelit Zonjën Tamar Ziv, që në emrin e miqësisë mes dy shteteve, vitin që shkoi dhuruan 70 karroca në shoqatën “Hendikos” për njerëz me aftësi të kufizuara.

3. Besoj që përmes kulturës dhe sportit njerëzit bashkohen edhe më shumë. Kultura dhe Sporti janë shpirti i një shteti. Shumë artistë dhe sportistë nga Kosova qoftë në mënyrë individuale apo grupore kanë arritur që emrin e shtetit të ri të Kosovës ta ngrisin në piedestale të larta.Edhe pse në shumë raste përkrahja institucionale ka munguar, prapë dëshira dhe vullneti i madh i artistëve dhe sportistëve tanë ka bërë që ata të kapin majat e sukseseve ndërkombëtare.

Kemi rastin e klubit të xhudos “Kano” nga Peja që me punë dhe vullnet ka bërë mrekulli. Xhudistet nga ky klub siç janë Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi etj kanë arritur të fitojnë medalje të arta nëpër kampionate Olimpike si dhe trajneri i tyre Driton Kuka është shpallur trajneri më i mire në botë. E përmenda si shembull se nga një shtet i ri si Kosova mund të dalin mrekulli.

Kisha dashur që mes dy shteteve tona të ketë shkëmbime kulturore dhe sportive, të marrim dhe të japim eskperienca të mira dhe motivuese të cilat shërbejnë si model mes dy shteteve tona.

Ne si shtete dhe si kombe të lashta kemi shumë për të dhënë dhe shumë për të mësuar dhe shkëmbyer nga historitë tona të lashta.
E mendoj që një Festival i Kulturës mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Izraelit do të kishte një karakter pozitiv.

Do mund të promovoheshin artistë,poetë dhe shkrimtarë nga të dy shtetet, do të përktheheshin libra në të dy gjuhët e dy shetetve tona dhe do e njihnim më nga afër kulturën e të dyja shteteve.

4. Nga shkrimet që po i lexoj nëpër gazeta dhe veçanërisht gazetën e botuar në Tiranë “Izraeli Sot” po e shoh që shteti i Izraelit prinë në vendin e parë në botë sa i përket teknologjisë dhe inovacionit.

Kisha dashur që shumë të rinj të shtetit të Kosovës të cilët kanë njohuri dhe dëshirë të mirren me tekonologji të kenë mundësi që të përkrahen nga shteti i Izraelit. Do të kishte qenë një shtysë e madhe pasi që në mungesë të mbështetjes shumë fëmijë të talentuar nuk arrijnë t’i realizojnë ëndrrat dhe idetë e tyre.

Shpresoj që miqësia dhe krijimi i raporteve diplomatike mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Izraelit do të sjellë fryte të suksesshme.
Mbesë me shpresë që e ardhmja do jetë e ndritur për popujt tanë.

Shqiptarët e të gjitha religjioneve, por edhe ata agnostikë dhe ateistë kanë respeket të veçantë për popullin hebre./IzraeliSot

Share: