Home Gjeo-Ekonomia KFOR, thirrje Prishtinës e Beogradit të ulen në bisedime

KFOR, thirrje Prishtinës e Beogradit të ulen në bisedime

Shefi i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Gjenerali Angelo Michele Ristuccia, u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që ulen në bisedime për të ulur tensionet.

Sipas tij, kjo është rruga e vetme për të zgjidhur këtë situatë.

“I ftoj sërish të dyja palët që të shmangin retorikën e kotë dhe të përballen me këtë sfidë në tavolinë të negociatave, pasi kjo është rruga e vetme për ta zgjidhur këtë situatë”, u ka thënë ai gazetarëve në selinë e KFOR-it në Prishtinë.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe për pasojë ka pasur protesta të vazhdueshme.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka ftuar përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë këtë javë në Bruksel, në një takim urgjent për menaxhim të krizave.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka refuzuar të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ndërsa ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit./Opinion.al

Share: