Home Gjeo-Ekonomia “Korriku, muaj më i nxehtë i planetit në 120 mijë vjet”

“Korriku, muaj më i nxehtë i planetit në 120 mijë vjet”

Ndërsa territore të gjera të tre kontinenteve “piqen” nga temperaturat e larta dhe oqeanet nxehen në nivele të paprecedentë, shkencëtarët nga dy autoritete globale të klimës raportojnë se korriku i 2023-shit është deri më tani muaj më i nxeht në historinë e planetit.

Nxehtësia në korrik ka qenë aq ekstreme saqë është “praktikisht e sigurt” se ky muaj do të thyejë rekorde “me një diferencë të konsiderueshme“, thanë Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike i Bashkimit Evropian Copernicus dhe Organizata Botërore Meteorologjike në një raport të botuar sot, 4 ditë para përfundimit të muajit.

Ne sapo kemi jetuar periudhën më të nxehtë tre-javore të regjistruar në më shumë se njëqind mijë vjet.

Zakonisht këto rekorde, të cilat gjurmojnë temperaturën mesatare të ajrit në të gjithë botën, thyhen me të qindtat e një shkalle. Por temperatura për 23 ditët e para të korrikut ishte mesatarisht 16.95 gradë Celsius, më shumë mbi rekordin e mëparshëm prej 16.63 gradë Celsius të vendosur në korrik 2019, theksoi raporti.

Të dhënat e përdorura për të gjurmuar këto të dhëna shkojnë prapa në vitin 1940, por shumë shkencëtarë – përfshi edhe ata evropianë – thonë se është pothuajse e sigurt se këto temperatura janë më të ngrohtat që planeti ka parë në 120,000 vjet, bazuar në të dhënat mijëvjeçare të klimës të nxjerra nga unaza pemësh, shkëmbinj nënujorë koralorë dhe bërthama të sedimentit të thellë të detit.

“Këto janë temperaturat më të nxehta në historinë e njerëzimit” – tha Samantha Burgess, zëvendës drejtore në Copernicus.

E gjithë kjo i shtohet një vere përvëluese të hemisferës veriore, potencialisht e paprecedentë. “Shanset janë sigurisht të kemi një verë me shifra rekord të të nxehtit”– tha Carlo Buontempo, drejtori i Copernicus, megjithëse paralajmëroi që “është shumë herët për ta deklaruar këtë me besim”.

Numri i personave të vdekur nga nxehtësia është i madh. Ndërsa temperaturat janë rritur mbi 120 gradë Fahrenheit (50 gradë Celsius) në disa pjesë të SHBA-së, vdekjet nga nxehtësia janë rritur dhe njerëzit po vuajnë djegie të rrezikshme për jetën nga rënia në kontakt me tokën e nxehtë.

Në Mesdhe, më shumë se 40 njerëz kanë humbur jetën pasi zjarret të nxitura nga temperaturat e larta po djegin sipërfaqe anë e mbanë rajonit. Në Azi, valët e zgjatura dhe intensive të të nxehtit po marrin jetë dhe po kërcënojnë sigurinë ushqimore.

Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit janë shtytësi kryesor i kësaj vape të jashtëzakonshme, tha Burgess. “Temperatura globale e ajrit shkon në formë proporcionale me përqendrimin e gazeve serrë në atmosferë.”

Një studim i fundit zbuloi se ndryshimi i klimës luajti një rol “absolutisht dërrmues” në valët e të nxehtit në SHBA, Kinë dhe Evropën Jugore këtë verë.

Ardhja e El Niño, një luhatje natyrore klimatike me një ndikim të ngrohjes, nuk ka pasur një ndikim të madh në temperaturat pasi është ende në fazën e zhvillimit, tha Burgess. Megjithatë, zv. drejtorja e Copernicus paralajmëroi se El Niño do të luajë një rol shumë të madh vitin e ardhshëm, ku gjasat janë për një rritje më të lartë të temperaturave.

Lajmi se korriku do të jetë muaji më i nxehtë vjen mes një sërë rekordesh alarmante që tashmë janë thyer në mënyrë të përsëritur këtë verë. Muaji i kaluar ishte qershori më i nxehtë i regjistruar me një “diferencë të konsiderueshme”, sipas Copernicus.

Më pas, në korrik, bota përjetoi ditën e saj më të nxehtë të regjistruar. Më 6 korrik, temperatura mesatare globale u rrit në 17.08 gradë Celsius, sipas të dhënave të Copernicus, duke mposhtur rekordin e mëparshëm të temperaturës prej 16.8 gradë Celsius të vendosur në gusht 2016. Çdo ditë që nga 3 korriku ka qenë më e nxehtë se rekordi i vitit 2016.

“Jemi në muajin e shtatë të 2023 dhe pothuajse çdo muaj i këtij viti ka qenë në top pesëshen e muajve më të nxeht të regjistruar”- tha Burgess, duke shtuar se nëse tendencat vazhdojnë edhe në vjeshtë e dimër, 2023-shi ka të ngjarë të jetë ndër vitet më të ngrohta të regjistruara ndonjëherë.

Nxehtësia e oqeanit është gjithashtu në nivele rekord. Në mesin e majit, temperaturat globale të sipërfaqes së oqeanit arritën “nivele të paprecedentë” për këtë kohë të vitit. “Ajo që po shohim tani, nuk e kemi parë më parë,” tha Burgess.

Kim Cobb, një shkencëtare klimatike në Universitetin Brown, e cila nuk ishte e përfshirë në raport, e quajti më se evidente rekordin e ri të temperaturës së korrikut dhe  paralajmëroi se ai do të thyhet përsëri.

“Është e frikshme të kuptosh se në një dekadë tjetër, ky do të shihet si një vit relativisht i freskët”– tha Cobb, duke shtuar, “nëse njerëzve nuk u pëlqen ajo që po shohin këtë verë, ata do të jenë në mjaft tronditje në nivelet më të larta të ngrohjes drejt të cilave po shkojmë.”

Petteri Taalas, sekretari i përgjithshëm i WMO, tha se moti ekstrem i korrikut zbulon “realitetin e ashpër të ndryshimit të klimës”.

“Nevoja për të reduktuar emetimet e gazrave serrë është më urgjente se kurrë më parë”, tha ai në një deklaratë. “Veprimet klimatike nuk janë një luks, por një domosdoshmëri.”

360grade.al

Share: