Indeksi i çmimeve të konsumatorit pësoi rënie në muajin gusht. Inflacioni shënoi nivelin 4% dhe ishte 0.2% më i ulët se muaji paraardhës duke vijuar trajektoren rënëse që nga fillimi i vitit.
Ky është niveli më i ulët që kur nisi lufta në Ukrainë, shkurtin e vitit të kaluar, ndërsa më pas rritja e çmimeve të produkteve energjetike solli një kapërcim të inflacionit në rekorde.
Çmimet e ushqimeve gjatë gushtit u rritën me 2.78%, ndërsa nga nëngrupet, perimet ishin ato që u rritën me 20%. Ato vijojnë të jenë shtysa për inflacionin e lartë, ndërsa edhe grupi i hoteleve, kafeneve dhe restoranteve pësoi rritje. Transporti ka vijuar të tkurret me çmimet më të ulëta se vitin e kaluar.
Edhe pse me rënie, inflacioni vijon të qëndrojë mbi objektivin e bankës së Shqipërisë, që synon ta kthejë atë në 3%. Institucioni monetar i qëndron analizës së saj se inflacioni do të kthehet në objektiv në mesin e vitit të ardhshëm.
Ekonomia tashmë ka hyrë në një fazë të re. Çmimet e naftës janë në nivelin më të lartë në pesë muaj, ndërsa edhe kostot e prodhimit treguan rritje, gjë e cila sinjalizon presione nga tregu i brendshëm dhe rritje kostosh për të gjitha bizneset. Nga krahu tjetër forcimi i lekut ka ulur ndikimin e fortë nga produktet e importit.
Top Channel