Home Gjeo-Ekonomia Vizita në Romë, Rama pritet me ceremoni nga kryeministrja Meloni

Vizita në Romë, Rama pritet me ceremoni nga kryeministrja Meloni

Kryeministri Edi Rama u mikprit sot nga Kryeministrja e Republikës së Italisë Giorgia Meloni, në kuadër të vizitës së nivelit të lartë, që po zhvillon në Itali.

Takimi kokë me kokë i Kryeministrit Rama dhe homologes italiane Meloni në Palazzo Chigi, u pasua nga një takim i përbashkët mes dy delegacioneve respektive.

Miqësia tradicionale Shqipëri – Itali dhe vullneti për të thelluar bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve, ku padiskutim ka një potencial të madh për të bërë shumë më tepër akoma, u rikonfirmua njëzëri edhe në këtë takim.

Forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve në fushën ekonomike, ishte një tjetër temë e diskutuar gjerësisht në takim, ku Italia si partnere strategjike e Shqipërisë, ka një rol tejet të rëndësishëm në këtë drejtim edhe përmes prezencës gjithnjë në rritje të sipërmarrjeve italiane në vendin tone.

Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë e investimit që ofron Shqipëria në shumë sektorë potenciale, si energjia, infrastruktura, bujqësia, e veçanërisht turizmi, i cili këtë vit shënoi një rekord të vërtetë rritjeje, duke u kthyer në një nga fushat më atraktive për investime.

Sa i përket integrimit europian të Shqipërisë, në takim u theksua se Italia do të vijojë të mbështesë fuqishëm procesin, në të gjitha etapat e tij, ashtu si deri më tani.

Top Channel

Share: