Home KRYESORE Dumani tregon dosjet e bujshme! Kreu i SPAK flet për CEZ-DIA, IPARD,...

Dumani tregon dosjet e bujshme! Kreu i SPAK flet për CEZ-DIA, IPARD, SKY dhe zyrtarët e lartë

Altin Dumani paralajmëroi surpriza të reja në dosje me pritshmëri të lartë, sidomos ato që ju përkasin korrupsionit, dhe si prioritare konsideroi dosjen CEZ – Dia, një tjetër ndaj ish-presidentit Meta, që e konsideroi në pritje të letërporosive nga të huajt, mes tyre edhe nga amerikanët.

Por se cilat ishin të rejat e kësaj vjeshte, kryeprokurori Dumani konfirmoi se prokurorët e posaçëm kanë regjistruar denoncimin e “Nismës Thurje” dhe kanë nisur hetimet mbi abuzimet me fondet e IPARD, dhënë për fermerët shqiptarë nga Bashkimi Europian nga 2014- 2020.

Prej arratisë së ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmehaj, ndaj të cilit është dhënë masë sigurie në mungesë për disa vepra penela, numri një i SPAK pranoi se nuk disponohen të dhëna konkrete se ku ndodhet ish-funksionari.

“Por është verifikuar dhe e kemi të qartë”, shtoi Dumani, “se ka dalë nga Shqipëria, ka plot zhvillime të reja dhe surpriza”, tha shkurt kreu i SPAK mbi çështjen e inceneratorëve, duke këmbëngulur se sakaq po verifikohen të dhënat edhe për ish-ministrin Damian Gjiknuri.

Dumani e konsideroi fitore dënimin e ish-ministrit Koka dhe të një ish-deputeti Alqi Bllako në këtë fashikull, por pranoi se po reflektohet mbi qëndrimin e gjykatës që shpalli disa pafajësi. SPAK po reflekton gjithashtu edhe për dy ish ministra, atë të Shëndetësisë dhe të Financave për të cilët një gjyqtar antikorrupsion zgjeroi të ushtrohet ndjekja penale.

Sugjerimet e gjyqtarit, Dumani i konsideroi si një e drejtë e tij, ndërkohë që shtoi se hetimi pasuror që u kërkua ndaj Ilir Beqes po kryhet jo vetëm ndaj ish-ministrit por edhe ndaj çdo zyrtari tjetër nën verifikim apo atyre që i përkasin krimit të organizuar. Për ish-ministren Olta Xhaçka e kallëzuar për pronat e ushtrisë nëse është apo jo nën hetim, për pronat e ushtrisë, Dumani u përgjigj “nuk mund të them asgjë për këtë çështje”.

Duke u kujdesur të ruajë sekretin e hetimeve, dhe çështjet që kanë nën hetim kolegët e tij, kryeprokurori Dumani nënvizoi se SPAK nuk është çudi të kapërcejë modelin rumun, që përmes Prokurorisë Speciale ngriti akuza ndaj dhjetëra ministrave dhe zyrtarëve më të lartë. Megjithatë për Dumanin e rëndësishme është provueshmëria kur akuzat ngrihen.

Fredi Belerin, dorëzuar nën akuzë për korrupsion në zgjedhje, Dumani e konsideroi siç do i pandehur tjetër, të cilit i është garantuar çdo e drejtë dhe garanci proceduriale. Duke u kthyer tek dosja metamorfoza, kryeprokurori theksoi se rasti i zbulimit të një zyrtari policie dhe një prokurori të implikuar në grupet kriminale, tregoi se si avokatët u bënë bashkë për të mbrojtur tezën nëse janë të përdorshme apo jo të dhënat e përftuara nga ky aplikacion.

Praktika ndërkombëtare dhe disa gjykata të huaja kanë vendosur vlefshmërinë e të dhënave nga SKY dhe ndaj në Shqipëri ato janë të vlefshme për hetimin, këmbënguli Dumani.

Top Channel

Share: