Home Gjeo-Ekonomia Rruga e lashtë e mëndafshit shkëlqen me vitalitet të ri

Rruga e lashtë e mëndafshit shkëlqen me vitalitet të ri

Dunhuang, një ndalesë kryesore në Rrugën e lashtë të Mëndafshit, e cila dëshmoi tregtinë e mëndafshit dhe porcelanit mbi 2000 vjet më parë, po sheh vitalitet të ri dhe lulëzim të tregtisë së mallrave midis vendeve të nismës “Një brez, një rrugë”.

Në fund të gushtit, një grup ngarkesash, që përfshinte pjesë makinerish dhe lule të freskëta, u dërgua nga Lanzhou  në provincën Gansu të Kinës Veriperëndimore në Almaty në Kazakistan, duke shënuar hapjen e rrugës së parë në provincë të transportit ajror të mallrave që lidh Azinë Qendrore. Chen Mingyuan, një ekzekutiv në “Gansu Port Logistics Co., Ltd.”, është i emocionuar për të kapur mundësitë në zhvillim. Chen tha se një qendër e madhe e shpërndarjes së mallrave është ngritur në Almaty për të zgjeruar gamën e mallrave që kompania e tij mund të trajtojë.

Statistikat tregojnë se nga viti 2013 deri në vitin 2022, tregtia e mallrave të Kinës me vendet e nismës “Një brez, një rrugë” u rrit nga 1.04 trilionë dollarë amerikanë në 2.07 trilionë dollarë amerikanë dhe investimet e dyanshme kaluan 270 miliardë dollarë amerikanë.

Sipas një raporti kërkimor të Bankës Botërore, deri në vitin 2030, nisma “Një brez, një rrugë”do të rrisë tregtinë midis vendeve pjesëmarrëse me 2.8 për qind, në 9.7 për qind; tregtinë globale me 1.7 për qind për të arritur në 6.2 për qind dhe të ardhurat globale me 0.7 për qind, për t’i çuar në 2.9 për qind.

Në maj, Matmusaev Doniyor nga Uzbekistani krijoi kompaninë e tij tregtare në Xi’an, që ndodhet në provincën Shaanxi të Kinës Veriperëndimore. Pika e fillimit të Rrugës së lashtë të Mëndafshit në skajin lindor, Xi’an është sot një qendër montimi e shërbimeve të trenave të mallrave Kinë-Evropë.

“Produktet kineze, si automjetet e reja me energji, janë shumë të njohura jashtë shtetit dhe janë bërë mallra kryesore të eksportit për kompaninë”,- tha Doniyor, duke shtuar se tregtia midis vendeve të Azisë Qendrore dhe Kinës po zgjerohet dhe shumë nga miqtë e tij duan të bëjnë biznes me Kinën.

Nisma “Një brez, një rrugë” është një rrugë drejt prosperitetit ekonomik dhe zhvillimit të gjelbër. Kina ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Programin e Mjedisit të Kombeve të Bashkuara për ndërtimin e një nisme të gjelbër, ka krijuar Partneritetin e Energjisë së “Një brez, një rrugë” me 32 vende dhe ka trajnuar 3,000 njerëz nga më shumë se 120 vende nën Programin e Rrugës së Gjelbër të Mëndafshit.

Nisma “Një brez, një rrugë” ka gjithashtu tërheqje kulturore dhe turistike, duke përfshirë 80 për qind të vendeve të trashëgimisë kulturore botërore në mbi 60 vende dhe rajone me një popullsi prej 4.4 miliardë banorësh.

Gjatë tre muajve të fundit, agjencia ndërkombëtare e udhëtimeve “Xi’an Tianma” ka shtuar gjashtë rrugë të reja për ture në Azinë Qendrore.

“Është e qartë se interesi i turistëve kinezë në Azinë Qendrore po vazhdon të rritet”,- tha Wang Anren, kreu i agjencisë së udhëtimit.

Vendet përgjatë nismës “Një brez, një rrugë” kanë zbatuar një sërë masash për të rritur komoditetin për turistët kinezë. Për shembull, Kamboxhia kohët e fundit ka miratuar masa të reja për të siguruar hyrje të shpejtë për turistët kinezë dhe të gjitha aeroportet malajziane janë pajisur me personel që ofron shërbime në gjuhën kineze.

Zhvillimi i integruar i kulturës dhe turizmit është një fushë e rëndësishme e shkëmbimit dhe bashkëpunimit kulturor nën kuadrin e nismës “Një brez, një rrugë”.

Deri në vitin 2022, Kina kishte nënshkruar marrëveshje në fushën e turizmit kulturor me 142 vende të tjera të “Një brez, një rrugë”, duke nxitur aleanca me teatro, muze, festivale arti, biblioteka dhe galeri arti. /Foto dhe artikulli janë ofruar nga CRI.CN

Share: