Home KRYESORE Dita e “Shkopit të Bardhë”/ Të verbërit tregojnë shqetësimet dhe sfidat, me...

Dita e “Shkopit të Bardhë”/ Të verbërit tregojnë shqetësimet dhe sfidat, me të cilat përballen çdo ditë

Sot është Dita Botërore e Shkopit të Bardhë dhe shoqata e të verbërve në Shqipëri ka organizuar një marshim për të kërkuar zbatimin e të drejtave të tyre.

Për një ditë, gazetarja Kristi Gongo ishte shoqëruese e Jonidit, që ka humbur shikimin 3 muajsh, por që vështirësitë e 29-vjeçarit dhe të komunitetit të të verbërve janë të përditshme.

“Autonomia e lëvizjes për ne është e pamundur kur nuk ke shkopin apo shoqëruesin me vete”, thotë Jonid Ferhati.

Gjatë marshimit nga kryeministria drejt Bashkisë së Tiranës, në shenjë revolte për problemet e infrastrukturës që i pengon ata të lëvizin të vetëm në rrugë, të verbërit kaluan vijat e bardha gjatë kohës që semafori ishte i kuq.

“E shikoni çfarë mund t’i ndodhë një të verbëri nëse kalon semaforin pa akustikë? Bëhet burim aksidenti”, shprehet Ardjan Hysa.

Por infrastruktura nuk është problemi i vetëm, ata përballen me sfida në ndjekjen e arsimimit dhe ndihen të përjashtuar nga tregu i punës. Shqetësimet thellohen edhe më shumë  me kushtet e vështira ekonomike, ku hasin vështirësi edhe në gjetjen e ilaçeve.

Kam 5 vite që jam verbuar, kam pësuar goditje në tru. Dhe ilaçet nuk mi siguron shteti, jam bërë si lypëse mi sjellin të afërmit nga Greqia. Kërkoj të drejtën që më takon”, tregon Olgerta Ranxha.

Top Channel

Share: