Home Gjeo-Ekonomia Në 2024-ën ekonomia do ngadalësojë! Banka Botërore: Shqipëria të ketë fokusin te...

Në 2024-ën ekonomia do ngadalësojë! Banka Botërore: Shqipëria të ketë fokusin te bujqësia dhe gratë

Rritja ekonomike do të ngadalësohet vitin e ardhshëm thotë Banka Botërore.

Në raportin e saj të përvitshëm, institucioni evidenton se rritja do jetë në nivelin 3.2% në dy vitet e ardhshëm, ulje me 0.4% nga niveli i këtij viti. Burim i rritjes do jenë konsumi dhe investimet.

Ekonomia në indikatorët e saj kryesorë po performon mirë. Të ardhurat, punësimi dhe kreditimi u rritën. Nga krahu tjetër kjo ka sjellë uljen e varfërisë në nivelin 23.9%. Por, ekspertët e Bankës Botërore bënë thirrje që gratë të përfshihen më shumë në tregun e punës.

“Pjesëmarrja më e ulët e grave në tregun e punës nuk po lejon që varfëria të ulet në masën e duhur dhe të arrijë parametrat e dëshiruar”, tha Natasha Rovo, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore.

Banka Botërore në raportin e këtij viti vëmendje të veçantë i kushtoi bujqësisë. Për Shqipërinë, ky sektor ka kontributin më të lartë në krahasim me vendet e rajonit. Institucioni ndërkombëtar po asiston Ministrinë e Bujqësisë në një plan për rritjen e produktivitetit

“Meqenëse sektori i bujqësisë në Ballkanin Perëndimor po kalon një transformim të madh strukturor, përpjekjet për bujqësinë e gjelbër janë gjithashtu të rëndësishme për të siguruar akses në tregun e BE-së dhe për konkurrencën e bujqësisë, zhvillimin rural dhe sigurinë ushqimore. Kriza energjetike ka nxjerrë në pah nevojën për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër në të gjithë Evropën, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor, dhe me fokus në sektorët kyç, si bujqësia”, shtoi ekonomistja.

Banka Botërore evidentoi krizën e kostos së jetesës dhe ndryshimet klimatike, si dy rreziqe themelore për ekonominë tonë. Inflacioni nga krahu tjetër mbetet ende një rrezik konstant, ndërsa mungesa e krahut të punës po rrit me shpejtësi pagat dhe kostot e bizneseve. Ashtu si FMN, Banka Botërore parashikon që çmimet të kthehen në objektiv në 2025-ën.

Top Channel

Share: