Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Mendimi im për ekspertët e huaj dhe skemën si funksionojnë ata!

Mendimi im për ekspertët e huaj dhe skemën si funksionojnë ata!

Pak logjikë, por pa debat!

Nga Artur Beu

Sikur të isha një nga të ashtuquajturit ekspertë të huaj në Shqipëri, do të kisha shumë privilegje, rrogë shumë të majme, shtëpi të bukur, akses në shumë dyer të rëndësishme etj., etj..

I referohem specifikisht disa projekteve dhe përfaqësive të partnerëve kryesorë e sidomos të BE-së. Ata, përfaqësuesit e huaj, kanë edhe shtesa në paga sepse Shqipëria, helbete, nuk është pjesë e BE-së dhe konsiderohet vend me vështirësi të lartë. Po përdor fjalën vështirësi për të mos përdorur ndonjë term tjetër që nuk na pëlqen. Po këta ekspertë dërgojnë raporte e analiza në BE dhe kohëzgjatja e punës së tyre ashtu si edhe projektet që ndjekin, varen në një raport të drejtëpërdrejtë me këto analiza e raporte që vetë ata përgatisin. Shpesh analizat janë copy/paste të viteve të shkuara e nuk ndryshojnë veçse vitin.

Tani, konsideruar shtëpitë ku jetojnë në Tiranë, pagat e tyre, sigurinë që u ofrohet, rëndësinë që u jepet duke patur akses kudo e kurdoherë në nivelet më të larta, jetën e bukur dhe të larmishme që bëjnë, krejtësisht ndryshe nga çdo vend tjetër ku ata kanë shërbyer apo nga vijnë, etj.etj., si mendoni ju do të hartojnë raportet e analizat tyre? Çfarë do shkruajnë në këto raporte?

Me pak logjikë e në hipotezën më të mirë, do të shkruajnë se ka pak progres, por se ka nevojë për më shumë projekte për Shqipërinë.

Nga projekti “n” do të lindin n+1 të tjera me të njëjtat emra e objektiva…

Ja kështu, me pak logjikë, përse do të donin të konsiderohemi të aftë e të zotë!?

E fillova me “sikur”, sepse i huaj s’jam, por ekspert padyshim në fushën time dhe me krenari e them jam e me bindje pohoj se shpesh s’kemi nevojë për ekspertizën e tyre, por për bashkëpunimin me ta, si partnerë e si profesionistë që luftojnë e përpiqen për të njëjtat objektiva e qëllime. Kur do të ndodhë një gjë të tillë do thoni ju? Mendoj se kjo do të ndodhë kur projektet do t’i shkruajmë ne e jo ata, ose sëbashku të paktën. Kur analizat do t’i bëjmë bashkë e jo vetëm ata e jo në modelin si “nxënësi” para “mësuesit”, sepse ju siguroj se shpesh “mësuesit” dijnë shumë, po shumë më pak se nxënësit.

Natyrisht që ka implikime të tjera në këtë mes, por të paktën ekspertët do të duhej të ishin të drejtë e të mirë. Mendoj se para se të pranojmë një projekt apo një ekspert do duhej të kishte një kontroll të figurave që e përfaqësojnë, sepse shpesh përfaqësimi i partnerëve lë për të dëshiruar shumë, si nga forma ashtu edhe nga përmbajtja.

Nëse do të më pyesni a ka ekspertë të huaj të mirë tek ne, do t’ju përgjigjem pozitivisht, sepse kemi patur e kemi kolegë kaq të mirë e që e duan vendin tonë sa nuk e imagjinoni, por kjo përbën një pjesë shumë po shumë të vogël që nuk e ndryshon dot situatën.

Një fundjavë të mbarë!

Share: