Nga Frano Kulli
Nuk është se po shpiket rrota, që kumti kryeministror i para pak ditëve: “i takon çdo shteti që t’i hapë rrugë mundësisë, që çdo fëmijë të ushqehet edhe me kulturën e feve”, ka ngjallur kaq shumë debat. Sado sipërfaqësisht ta njohësh historinë e Shqipërisë, veçmas atë të viteve ’20-40 dhe specifikisht mardhënien e shtetit shqiptar me besimin dhe ndërvarësisht edhe me shkollën, të duket se teza e hedhur nga Kryeministri, Z. Edi Rama për futjen e një lënde mësimi a edukimi fetar, anashkalon gjithë atë marrëdhënie dinamike mes shtetit e fesë dhe shkollës të 80 a 90 viteve më parë, kohë që përkon edhe me konsolidimin e shkollave shqipe dhe intonimit të tyre me simotrat europiane.
Natyrisht është krejt tjetër e sotmja e gati një shekulli më pas, por as nuk është pra se kjo mardhënie është në embrion dhe po lind sot. Statusi i shtetit,edhe askohe ishte laik, shteti njihte dhe lejonte shkollat fetare,megjith ulje-ngritjet e shënuara në këtë mardhënie.
Në verën e vitit 1932, siç njoftonte shend e verë “Hylli i Dritës”, revista më autoritare kulturore në vend, “Një urdhën i N.M së Tij, mbretit tonë, lajmoi tash do ditë se tekstet shkollore do të mbarohen mbrenda dy vjetëve”.(H.D, v.8.n.10/1932, fq.492).Por as një vit më vonë, pati edhe mbyllje të shkollave private, të cilat , siç dihet, ishin kryesisht krijesa dhe të mbarshtuara nga kleri,sipas Dekretit të 22 prillit 1933, në bazë të të cilit mbylleshin të gjitha shkollat private, duke ia akorduar këtë të drejtë shtetit.
Edhe për partizanët e laicizmit skajor, si me thënë, që urdhëruan mbylljen e shkollave fetare (katolike), prap se prap edhe kjo nuk zgjati, falë ndërhyrjes energjike të klerikëve energjikë dhe faktor autoritarë si përfaqësues popullor, në kancelaritë diplomatike …
…si rezultat i vendimit të Gjykatës se Hagës në favor të pakicës greke të cilët edha ata kishin dërguar çështjen e shkollave në Hag, dhe vendimi i Këshillit të Lidhjes së Kombeve në favor të Kishës Katolike si dhe interesi bilateral ekonomik i Zogut më Italinë, bënë që në shtator të vitit 1936, shkollat Katolike të hapën serish. Markus W.E.Peters “Përballjet e historisë së Kishës katolike në Shqipëri 1919-1996, fq. 84.
Dhe arsye fondamentale ka qenë dobia e pakontestueshme e këtyre shkollave në dobi të iluminimit të popullit dhe njësimit të kombit e , pse jo edhe të shtetit shqiptar.Kurse debati asokohe ka pasë për palë personalitete që kanë bërë Shqipërinë, ka pasë shtetarë si Hilë Mosi, Marash Ivanaj, Medi Frashëri dhe përballë në debat, françeskanët e mëdhenj, prirë nga Fishta, shkollat e themeluara prej të cilëve kanë qenë më cilësoret, në akord me shkollat e mira të Europës perëndimore. Madje, linja të debatit kanë qenë edhe përballja ndërmjet pikpamjeve të tilla si ,a do të ruajmë si nostalgji të shkuarën e lindjes (reminishencat e Perandorisë osmane) apo do të mbajmë drejtimin perëndimor të shkollës.
Shteti shqiptar, vetëm në periudhën e tij më të errët, atë të diktaturës komuniste, ndërmori aktin e dhunshëm,unikal në planet për ndalimin kushtetues të besimit.Dhe masakren e vet e filloi pikërisht me shkollat e drejtuesit e tyre. (Kujtojmë që të pushkatuarit e parë në grup prej diktaturës kanë qenë:Rektori i Seminarit jezuit At Danjel Dajani dhe dy profesorë të tjerë të atij seminari, At Gjon Shllaku e At Giovanni Fausti, italian. E bashkë me to një nxënës seminarist, Mark Çuni.Kohët e tjera, kanë qenë përgjithsisht mirëkuptuese ndërmjet shtetit dhe fesë(besimit) dhe shkollave të saj.Së paku juridikisht , por edhe si praktikë.
Mardhëniet e shtetit me fenë ,sot nuk është se kanë ndonjë krisje, as me shkollat e besimeve, gjithashtu.Në reformën arsimore,të ndërmarrë nga qeveria, ato, nëse nuk gaboj nuk kanë shënuar gjë për t’u prekur…Madje edhe sipas opinionit publik, ato janë ndër më cilësoret e sistemit arsimor dhe jo vetëm ndër shkollat jopublike..Si të tilla, ato e mëkojnë mirë “ushqimin me kulturën e feve të fëmijëve”.Ndërsa për t’u aplikuar si një projekt për gjithë sistemin…
Gjendja e sotme lënguese e arsimit në Shqipëri a mund ta mbajë edhe një kurikul të re, posë të tjerash, edhe delikate ?…Gjithësesi, kumti i kryeministrit, më shumë se si një risi, si një gjest, për t’u lehtësuar nga ngërçet e qeverisjes, vlen se hapi një debat të dobishëm.