Home Gjeo-Ekonomia Lavrov nuk pranon destabilizimin e Ballkanit: Blinken e Borrell, frikacakë!

Lavrov nuk pranon destabilizimin e Ballkanit: Blinken e Borrell, frikacakë!

I pyetur gjatë samitit të OSBE-së në Shkup nëse Rusia është e përfshirë në udhëzimin e Serbisë për të destabilizuar Ballkanin, duke iu referuar sulmit të armatosur të 24 shtatorit në veri të Kosovës, shefi i diplomacisë ruse Sergei Lavrov e zhveshi vendin e tij nga çdo përgjegjësi. 

Ministri i jashtëm rus mohoi çdo përfshirje të Moskës në episodin e dhunshëm të Banjskës. Me Serbinë, tha ai, është nënshkruar një plan konsultimi në Nju Jork, por që nuk ka të bëj me harmonizimin e politikave mes saj dhe Rusisë. Ai akuzoi Perëndimin duke thënë se gjithmonë ka pasur interes që të nxisë kombet kundër njëri-tjetrit.

“Unë jam i bindur se popujt e hemisferës ballkanike kanë kaluar nëpër tranzicione të vështira historike, kanë një kod të përbashkët dhe nuk duhet të mposhten dhe të lejojnë që Perëndimi t’i bëjë armiq të njëri-tjetrit”, u shpreh Lavrov teksa nënvizoi edhe një herë se Rusia mbështet çdo marrëveshje që është e përshtatshme për serbët dhe fqinjët e tyre.

Duke folur për situatën e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë, kryediplomati rus u ndal tek përpjekjet për shkëmbim territoresh mes palëve dhe një ujdi të mundshme, për të cilën tha se e mbështet për aq kohë sa është në interes të Beogradit.

“Kohët e fundit ka pasur konsiderata serioze për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Serbisë Jugore dhe Kosovës. Nëse po flasim për ndonjë marrëveshje që do të ishte e përshtatshme për serbët dhe fqinjët e tyre, atëherë mendoj se të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë edhe ne, do të ishin të lumtur dhe do ta mbështesnin këtë. Ndoshta jo të gjitha vendet, por shumica”, u shpreh Lavrov.

Ai sakaq nuk i kurseu kritikat  ndaj kolegëve perëndimorë duke i quajtur frikacakë ata që refuzuan të bisedojnë me të, përfshirë Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinkenin e Amerikës dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrellin. Mësohet se Blinken është larguar nga Maqedonia e Veriut para se të vinte Lavrov, duke shmangur kështu përballjen me diplomatin rus. Po ashtu, ministrat e Jashtëm të Baltikut, Polonisë dhe Ukrainës kanë refuzuar të shkojnë në Shkup, për shkak të pranisë së Lavrovit.

Top Channel

Share: