-
Nga Dr. Enver Bytyçi
Në Shqipëri është miratuar një ligj për dekriminalizimin e Parlamentit. Në Maqedoni presidenti ka amnistuar dhe anulluar gjykimin e disa deputetëve dhe ministrave për aferat e tyre korruptive e të abuzimit me pushtetin. Në Kosovë një deputet me peshë, ish-shefi I UÇK-së, Azem Syla, është në kërkim për t’u arrestuar, sepse duke pasur mbështetjen e shtetit ka tjetërsuar pronat, duke përfituar së paku 30 milion euro. Së bashku me këtë deputet janë në kërkim edhe 50 përsona të tjerë, ndër ta jo pak serbë, si bashkëpunëtorë të tij. Kjo do të thotë se sëmundja e kriminalizimit të politikës është shumë e thellë. Kriminelët i kemi në parlamentet e shteteve tona, ku shqiptarët ose janë në pushtet ose bashkëqeverisin si në rastin e Maqedonisë.
Dhe shpesh herë diskutojmë e flasim se pse konflikti politik është kaq i thellë ndër partitë politike shqiptare. Fakt është se ky konflikt ka dy pamje: Nga njëra anë politikanët dhe deputetët idealistë nuk pajtohen me krimin dhe kriminelët në parlament e politikë. Nga ana tjetër konflikti është i egër kur në të përfshihen grupet kriminale politike. Shihni Shullazin: Mbrojtësit e tij, përfshirë kryeministrin dhe ministrin e brendshëm, po shfaqin një arrogancë të tejskajshme këto ditë kundër opozitës dhe sidomos kundër ish-kryeministrit Berisha, gjithnjë në kërkim të shmangjes së të vërtetës e fshehjes së saj, sa i përket bashkëpunimit të tyre me bandën e Shullazit.
Ata që filmojnë çdo qytetar edhe në rastin e një konflikti banal me policët, këta pushtetarë kanë bllokuar çdo pamje e çdo provë, me të cilën vërtetohen akuzat e prokurorisë kundër kësaj bande. Madje e morën në mbrojtje kur banda u përplas në Rrugën e Kavajës e një polic me uniform pjestar I saj vrau një person. U morën në mbrojtje dhe falsifikua gjithashtu lajmi kur Shullazi u plagos në një përplasje në Qafë Kashar. Ndërkohë që krimet e Shullazit ministry I Brendshëm ia faturoi Gjutës e Brukajt. Shullazi ka prodhuar kështu shullazë të shumtë në qeveri e në parlament, sepse ka bashkëpunuar hapur me rilindasit gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij kriminale.
Shihni në Kosovë, presidenti Thaçi është distancuar nga deputeti i afërm i partisë së tij, i shpallur në kërkim për krime, por ndërkohë atij do t’i duhet të thellohet me një ndjesë të sinqertë, nëse është vetë i larë nga bëmat e dajës së tij, sepse administrata e Thaçit duket se është vënë në shërbim të Azem Sylës në veprimtarinë kriminale të tij. Ndërsa në Maqedoni Ali Ahmeti duket se është në anën e presidentit Ivanov e të ish-kryeministrit Gruevski, edhe pse për opinion publik thotë se distancohet prej dekretatit presidencial për amnistimin e krimit. Kemi tri pamje në të tri vendet tona: Në Shqipëri presidenti është shfaqur hapur e sinqerisht kundër kriminalizimit të politikës e parlamentit. Në Kosovë presidenti i vendit shfaqi një lloj distancimi nga ky lloj krimi, por jo në masën që do të sillte besimin e qytetarëve te ky institucion. Në Maqedoni presidenti ka marrë në mbrojtje krimin dhe kriminelët në politikë, në qeveri e në parlament. Megjithatë të tri këto vende po vuajnë në masë të caktuar helmin e kriminalizimit.
Stanjacioni dhe kriza e këtyre vendeve është para së gjithash krizë e politikës së lidhur me krimin, mafien dhe trafiqet. Domozdoshmërisht do të duhej kryer operacioni i thellë i këtij kanceri, i cili po përhap me shpejtësi metastazat e tij në trupin e shoqërive tona. Dhe lufta për dekriminalizimin duket se është pakthim. Kriminelët në pushtet janë në kulmin e rezistencës për të mos u njësuar publikisht me krimin. Por edhe janë të nervozuar e të shqetësuar, sepse ende nuk besojnë se mund t’i shpëtojnë ndëshkimit politik e juridik. Sa kohë që ata do të besojnë se mund t’i mbulojnë krimet e tyre, aq kohë do të rezistojnë me arrogancë dhe nuk do të ndalen për të ndotur kundërshtarët e tyre, së paku me formulën e gjetur tashmë nga shërbëtorët e gazetarisë e opinionistëve, të të qenit të të gjithë krahëve të politikës njësoj. Zërat që denoncojnë krimin intimidohen me metodat e arrogancës verbale e presione të shumta, duke synuar së paku vënien e shenjave të barazimit midis denoncuesit dhe të akuzuarit.
Nga ana tjetër njerëzit me pushtet po bëjnë çmos që përmes presionit ndaj dëshmitarëve të mbyllin dosjet e krimit në favor të tyre dhe grupeve kriminale me të cilët ata bashkëpunojnë. Një i dyshuar si dëshmitar në Gjykatës Sepciale për krimet në Kosovë u vra para pak ditësh. Emiljano Shullazi dhe Shullazi ministër po ushtrojnë presion të pandërprerë ndaj dëshmitarëve të akteve krinimale, me qëllim që ata të mos dëshmojnë ose të ndryshojnë dëshmitë e tyre. Presioni fillon që nga pjestarët e familjes e deri te këta dëshmitarë. Presioni përfshin jo vetëm joshjen me para, por edhe arrogancën e likuidimit fizik të tyre. Nëse këta pushtetarë do të arrijnë të zhdukin provat dhe të nxjerrin nga qelia kriminelët e dëshmuar, atëherë ata do të vazhdojnë lojën e luftës kundër asaj që ata e konsiderojnë “shpifje” e radhës e opozitës dhe e Sali Berishës. Por mund të ndodhë që kriminelët të dënohen dhe lidhjet midis tyre e parashallarëve në pushtet të mos zbulohen. Në këtë rast këta pashallarë të inkriminuar do të bëhen më të rrezikshëm sesa janë sot.
Ata do të përpiqen të gjejnë ndonjë peshk të inkriminuar në radhët e opozitës ose te grupet rivale kriminale dhe do ta shpallin veten “Heronjtë e luftës kundër krimit”. Kriminelët do të marrin flamurin e luftës për dekrimanlizim, sepse deri atëherë opinioni publik do të ketë harruar se opozita dhe Lulzim Basha ishin iniciatorët dhe luftëtarët më të mëdhenj të dekriminalizimit të parlamentit shqiptar. Pas një viti ka mundësi që ky flamur të valvitet në fushatën elektorale të radhës dhe me këtë formulë kriminelët e sotëm në pushtet, pasi të kenë përdorur paratë e krimit të grumbulluara në arkën e rilindjes, të rifitojnë pozitat e sotme, pavarësisht të gjitha bëmave të tyre në këtë mandat qeverisës. Dikush mund të mendojë se ky është një paragjykim!
Të marrim rastin e luftës në Kosovë dhe fitoren e saj. Prej vitit 1991 e deri në vitin 1998 një pjesë e politikës shqiptare e pati kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. Të gjithë i njohin rekomandimet e kësaj pjese politike, midis të cilave më e pranishme ishte që “Kosova ta pranojë Beogradin si kryeqytet”, dmth që Kosova të hiqte dorë nga vetëqevrisja paralele e Rugovës, e cila kishte refuzuar njohjen e institucioneve serbe në Kosovë. Por kur ata panë se procesi është i pakthyeshëm morën menjëherë flamurin e luftës dhe shpallën politikën e pavarësimit të Kosovës. Krijuan strukturat e tyre politike me të cilat do të bashkëpunonin dhe luftëtarët e lirisë e të pavarësisë së Kosovës, përfshirë Rugovën e Berishën, i shpallën “tradhëtarë”.
Krijuan krahun e armatosur të parapërgatirur që në kohën e diktatorit Hoxha dhe shpallën si armike FARK-un e Ibrahim Rugovës, Ahmet Krasniqit, Agim Ramadanit etj. E sollën situatën në atë terexhe sa kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, si Fatos Klosin, për shkak të meritave të përçarjes së kësaj lufte dhe marrjes së flamurit të saj në momentet e fundit, ta bëjnë “veteran” të kësaj lufte dhe luftëtarët e njëmendtë, si Ibrahim Rugova, të cilët e kanë nisë luftën kundër Serbisë që në vitin 1986, me ato ballafaqimet brillante në kongreset e shkrimtarëve në Beograd, t’i shpallin të pavlerë. Aftësia për të manipuluar me realitetin objektiv dhe për ta zevendësuar atë me një realitet të improvizuar është karakteristikë e këtyre grupeve politike në Shqipëri, prej së cilës kanë mësuar disa grupe të tjera politike në Kosovë e Maqedoni. Edhe Albin Kurti është produkt i kësaj shkolle. Duke nënvizuar këtë mundësi, që kriminelë në pushtet të marrin në duart e tyre flamurin e luftës kundër krimit, shpreh nevojën që shoqëritë shqiptare në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, por edhe në Mal të Zi e Luginën e Preshevës, të mund të përgatiten për sfida të reja për të ardhmen.
Idealistë ka shumë. Ka dhe nga radhët e akademikëve. Mund të përmend Profesor Artan Fugën ose Profesor Përparim Kabën. Por nuk janë vetëm këta. Vetëm atëherë kur fatet e vendit t’i marrin në dorë idealistët, vetëm atëherë do të mundemi të ndërtojmë një shoqëri të vërtetë të demokracisë funksionale dhe liberale, si kusht për përparimin dhe zhvillimin tonë në harmoni me të drejtën, me lirinë tone e për pasojë për fitoren e sigurt të luftës kundër krimit e kriminelëve. Parlamentet e sotme shqiptare në të tri vendet janë të mbushur me deputetë kriminelë, trafikantë, fallsifikatorë, mafiozë, që kanë mbërritur në tempullin e demokracisë për shkak të meritave si kriminelë dhe jo për shkak të kontributeve në dobi të shoqërisë shqiptare e të kombit shqiptar. Ata kryetarë partish që u kanë dhënë mbështetjen këtyre politikanëve, deputetëve e administratorëve janë më të inkriminuar se vartësit e tyre kriminelë. Ata e kanë ditur që në fillim të promovimit ta tyre se po krijojnë rrjetën kriminale për t’i marrë frymën vendit në funksion të marrjes dhe ruajtjes me dhunë të pushtetit. Këta kryetarë partie më e pakta do të duhej të tërhiqeshin, së paku për t’i bërë të vetmin shërbim atdheut e kombit shqiptar. Çdo njeri mund të ndërrojë bindjet politike, madje dhe besimin fetar, por krimineli, hajduti, fallsifikatori, trafikanti do të mbetet gjithmonë i tillë. Një fjalë e urtë gjermane thotë: “Ein Mal Kriminael, immer Kriminael”, që do të thotë “Një herë kriminel, gjithmonë kriminel”.
Home KRYESORE Gjermanët thonë: “Ein Mal Kriminael, immer Kriminael”. (Një herë kriminel, gjithmonë kriminel).