Home Gjeo-Ekonomia Narko-xhihadi:Filli i përbashkët që lidh kartelet meksikane të drogës me Hamasin

Narko-xhihadi:Filli i përbashkët që lidh kartelet meksikane të drogës me Hamasin

Nga Valerio Chiappaino “Il Giornale”

Sulmi ushtarak i nisur nga Izraeli kundër Hamasit pas sulmit të paprecedentë të 7 tetorit, ka nxjerrë në pah rëndësinë që ka kontrolli i botës së nëndheshme të krimit në luftërat e shekullit XXI-të, sidomos në kontekstin e operacioneve ushtarake të kryera në mjedise urbane.

Këtë fakt e njihnin shumë mirë milicët e Al Kaedës dhe talebanëve në Afganistan, apo edhe vietkongët komunistë në Azinë Juglindore. Sepse ata i përdorën në masë tunelet, për t’u shpëtuar atyre që po i ndiqnin për t’i eliminuar. Organizata që kontrollon Rripin e Gazës që nga viti 2007, nuk është e vetmja sot që ka monopolin në këtë fushë.

Në fakt për befasinë e shumëkujt, islamikët sunitë të territorit palestinez, patën nënshkruar një marrëveshje me kartelet meksikane të drogës për t’i transferuar këtyre të fundit njohuritë dhe teknologjitë për ta shfrytëzuar nëntokën në avantazhin e veprimtarisë së tyre të paligjshme.

Ismael “El Mayo” Zambada Garcia, është bosi aktual i kartelit Sinaloa, i konsideruar nga shumë njerëz si trashëgimtari i El Chapo Guzman, dhe për të cilin autoritet kanë vënë në dispozicion një shpërblim të majmë prej 15 milionë dollarësh për atë që ndihmon në kapjen e tij.

Rreth 10 vjet më parë, ishte pikërisht ai që krijoi një aleancë të hekurt me miltantët e Hamasit. Sipas marrëveshjes, Hamasi do të ndihmonte “kushërinjtë” e tij jashtë shtetit për të ndërtuar rrjete tunelesh nëntokësore në zonat kufitare, për të bërë të mundur transferimin e drogës në Shtetet e Bashkuara, si dhe për t’u tallur me kontrollet e agjencive amerikane dhe meksikane kundër drogës.

Për më tepër, tunelet do të përdoreshin edhe për t’i shpëtuar sulmeve apo hakmarrjes nga grupet rivale. Lëvizja islamike, ka një përvojë të konsiderueshme në ndërtimin e tuneleve – e ashtuquajtura ‘Metro’ e Gazës ka një gjatësi që vlerësohet në gati 500 kilometra – dhe që të paktën nga viti 2001, ajo i ka përdorur ato për të kontrabanduar në enklavë mallra nga Egjipti, por edhe për të nisur sulme në territorin izraelit.

Shteti hebre e ka monitoruar gjithmonë këtë kërcënim. Dhe duke nisur nga viti 2004, njësia ushtarake Samur e Forcave Mbrojtës së Izraelit (IDF) është e specializuar enkas në gjurmimin dhe shkatërrimin e rrjeteve nëntokësore të armikut.

Ajo e ka bërë shpeshherë këtë përmes përdorimit të robotëve, për të shmangur rreziqet për jetën e ushtarëve. Kjo strategji është përdorur gjerësisht edhe në operacionin tokësor që po zhvillohet aktualisht në Gaza nga ushtria izraelite, dhe që ditët e fundit ka çuar në identifikimin e tunelit më të madh të zbuluar deri më tani nga forcat e shtetit hebre.

Lajmi i parë mbi marrëveshjen e fshehtë midis Hamasit dhe “El Mayo”-s u zbulua në vitin 2018 kur Dany Tirza, një ish-kolonel i ushtrisë izraelite, deklaroi në një intervistë për mediat se islamikët radikalë në Gaza “fitojnë para, duke mbështetur grupet kriminale meksikane për ndërtimin e tuneleve që drejtojnë nga Tijuana në San Diego për trafikimin e drogës”.

Po atë vit, agjentët e Mossad-it rindërtuan lëvizjet e 3 militantëve, të cilët pasi kaluan nga kryeqyteti spanjoll Madrid, takuan në Tijuana të Meksikës disa nga njerëzit më të afërt të Zambadës. Në këmbim të transferimit të aftësive të tyre në trafikun e drogës, përfshirë ndërtimin e bombave artizanale, islamikët u furnizuan me armë dhe pajisje amerikane.

Po ashtu atyre iu siguruan disa ngarkesa droge si dhe trajnime nga “kimistët” meksikanë për prodhimin dhe tregtimin e kaptagonit. Në këto aktivitete të paligjshme, u përfshinë edhe milicitët shiitë të lëvizjes Hezbollah me qendër në Libanin fqinj.

Kaptagon që tani njihet gjerësisht si “droga e xhihadit”, u gjet në trupat e disa terroristë të vrarë pas sulmit masiv të 7 tetorit në jug të Izraelit. Pilulat e amfetaminës, janë sot veçanërisht të përhapura në vendet e Lindjes e Mesme. Ka të dhëna se Siria fqinje menaxhon një pjesë të rëndësishme të këtij tregu narkotikësh.

Aq sa ka fituar titullin e narkoshtetit më të ri të botës. Marrëveshja midis Hamasit dhe kartelit famëkeq meksikan të drogës Sinaloa, është vetëm e fundit në një seri të gjatë bashkëpunimesh midis organizatave terroriste dhe grupeve të pamëshirshme kriminale, të mbrojtura shpesh nga marrëveshjet e fshehta dhe elementët devijantë brenda qeverive të vendeve me siguri të brishtaëpor edhe më gjerë.

Megjithatë, ngjarjet në Gaza dhe shpërthimet e vazhdueshme të dhunës vetëm pak hapa larg kufirit me Shtetet e Bashkuara, u kujtojnë çdo ditë vendimmarrësve politikë rreziqet me të cilat duhet të përballen teksa i shpërfillin këto kërcënime ndërkombëtare.

360grade.al

Share: