Home KRYESORE DITA E AMERIKËS…

DITA E AMERIKËS…

Nga Artan Mullaj

Vështirë që ndonjë ngjarje në të kaluarën të ketë elektrizuar vëmendjen e shqiptarëve aq masivisht sa dita e 3 majit, shpalljes së fituesve të lotarisë amerikane… Asnjë emocion nuk ka të krahasuar me drithërimën e pritjes dhe padurimit të atij momenti ku në shumë kuptime ndahen historitë për çdo aplikues. Më shumë se kaq, ishte një ankth kombëtar, në një çast pas të cilit pasoja është e qartë për të gjithë. Rezultati rrekej të përballej me një dramë të dhimbshme, në të cilën, shumë pak nga ata që synuan fatin, dolën të fituar. Një shoqëri e tërë, 200 mijë aplikues, njerëz të zakonshëm të një kombi të tërë, që nuk është shumë herë më i madh se kjo shifër, interferuan fuqishëm vëmendjen në një ditë të vetme të fatit, në 3 maj. Kjo ishte dhe është dita e Amerikës. Në realitetin shqiptar përkthehet dita e shpresës; në realitetin e fituesve të lotarisë, dita e ëndrrës; për shumicën e zhgënjyer, dita e mallkimit. Në këtë ditë të shpalljes së fituesve të lotarisë amerikane, që është njëfarësoj dita e përballjes me fatin dhe njëherësh me ironinë e tij, turma shqiptare iu nënshtrua ligjeve të rastësisë që u ofron kjo lotari jetike. Shpirtra të dëshpëruar u bashkuan në të njëjtin ankth pritjeje, pas të cilit, disa për të shijuar fatin e artë, të tjerët, që janë shumica e madhe, për të duruar mungesën e tij.

Është e kobshme, një mynxyrë vajtuese që një shoqëri e tërë sheh si mundësi të vetme ikjen nga vendi i tyre. Asgjë nuk shpjegon më qartë dështimin e politikës shqiptare sesa ky pasion i trishtë njerëzish që urrejnë të jetojnë në vendin e tyre. E parë ftohtë, ngjan me një masakër. Disa njerëz kanë vrarë ëndrrat e njerëzve prej të cilëve ju dha pushtet për të bwrw tw kundërtën. Ky është realiteti shqiptar, qartësia e të cilit buzëqesh hidhur para fytyrave tona. Shqiptarët duan të ikin a thua se jetojnë në një vend ku bëhet luftë; duan të ikin të rinjtë e papunë, por jo vetëm ata. Një masë e frikshme qytetarësh, që e shikon të njehsuar ëndrrën e saj me Amerikën, e ka kthyer këtë ëndërr vit pas viti në njw legjendë.

Ky është një realitet i trishtë, që vërteton se sa thellë e ka shkatërruar elita shqiptare vendin e vet gjatë këtyre viteve. Ky realitet shpjegon këtë ankth; dëshirën instinktive për të braktisur vendin, mohimin tinëzar e dramatik të vetvetes, shpërfilljen e origjinës dhe historisë.

Emocioni i pritjes dhe fuqia e zhgënjimit -shpërthyese të dyja- që shoqëruan shpalljen e fituesve të kësaj lotarie, teksa vetëm një numër i vogël kapën ëndrrën, e vërtetojnë këtë gjë.

Prandaj 3 maji, brenda limiteve kohore të tij, e shpërfilli kohën dhe fitoi me shpejtësi përmasën e një simboli kohe të dyfishtë. 3 maji, në mbyllje, ishte lumturi për disa, dhimbje për disa të tjerë, për shumicën. Nuk ishte thjesht një moment takimi i shqiptarëve me një simbol, por një çast meditimi për fuqinë iluzive të përfytyrimit që prodhon çdo ëndërr, e realizuar për disa, e mbetur ëndërr për disa të tjerë, pwr shumicwn….

* * *

Në perceptimin e të rinjve shqiptarë, ku mbretëron pesimizmi dhe mosbesimi, “ëndrra amerikane” është më shumë se kaq; është më shumë se një mundësi dhe, natyrisht, më shumë se një shpresë. Me sa duket, të rinjtë shqiptarë, të hutuar e të shkujdesur si paraardhësit e tyre, por edhe ata vetë, kanë të injektuar në shpirtin e tyre psikozën e shtypjes dhe fatalitetit, që shpesh degjeneron në terror psikologjik.

Kam takuar plot njerëz të dëshpëruar këto ditë, të cilët nuk e patën këtë mundësi; njerëz që psherëtijnë dhimbjen e mungesës së fatit, që matet thjesht e vetëm në datën 3 maj, ditën e Amerikës. Nuk ka ditë të tjera gjatë vitit; mundësitë janë mistere të shkruara në heshtje për këdo. Gjatë një viti, në vend të mundësive dhe hapësirave, njerëzit do të ndeshin jo fatin, por barbarinë e mungesës së tij. Jetojnë në një vend ku nuk ka punë, por ka shumë kriminelë; ku nuk ka shpresë, por ka shumë korrupsion; ku nuk ka ëndrra, por ka shumë abuzime… Të gjitha këto kanë shpërfytyruar filozofinë e jetës. Qartazi ne jemi një shoqëri e dëmtuar psikologjikisht: një popull që reagon ashpër ndaj problemeve dhe stinën tjetër bën paqe me to, pa analizuar kushtet, shkaqet dhe duke duruar pasojat… Jemi një komb i varfër të cilin e varfëron edhe më shumë paaftësia për të qenë i denjë në përballjen me vetveten; paaftësia për të reaguar dhe për të refuzuar; paaftësia në kontrollin e emocioneve; në krijimin e kulturës publike që i edukon masat të sillen në mënyrë të civilizuar sa si ndaj vlerave, aq ashtu edhe ndaj padrejtësive… Ne jemi një komunitet të cilit i ka humbur vetëdija kolektive e përballjes me të keqen dhe i mungon reagimi vetëmbrojtës ndaj të papriturave, ndaj të këqijave, ndaj abuzimeve. Një shpjegim, njëherësh edhe pasojë, është përulësia, e tjerrë në vite, ajo që shpjegon shumëçka, edhe gjendjen e terrtë psikologjike, edhe aftësinë e paqenë për të qeverisur, edhe instinktin e munguar të rebelimit, që nxit reagimet popullore për mizerjen skamjen dhe jetën e mbrapshtë…

Së fundi, përulësia e një kombi shpjegon gjendjen e tij emocionale, po aq sa zhgënjimi i tij përkufizon aftësinë shkatërruese të elitës së tij….

Çdo krahasim do të ishte i vështirë për ta përshkruar! Në ditën e Amerikës, emocionet e pritjes së rezultatit ishin më të forta se ato të provimeve shkollore, që nuk i ndihmojnë kurrë për asgjë, dhe më të mprehta se drithërimat e puthjes së parë. 3 maji ishte tronditës! Joshja amerikane është më e fuqishme se çdo shkulm që mund t’i ndodhë kujtdo pjesë e kësaj turme, që është në thelb një shoqëri e pashpresë dhe pa të ardhme.

Të gjitha këto rrëfejnë në mënyrë të përsëritur furinë e pabesueshme të ankthit pritës ditën e Amerikës.

* * *

Sa më e shenjtë është lumturia e fituesve të shpallur në datën 3 maj, aq më i thellë është dëshpërimi i të tjerëve. Drita në fund të tunelit fillon e shuhet për shumicën dhe shpresat nderen në terr. Më 4 maj nisën të bien një nga një kolonat e besimit popullor. Pesimizmi filloi të regëtijë sërish në çdo skaj. Vit pas viti probabiliteti i lotarisë amerikane zvogëlohet aq më shumë sa rriten kërkesat. Është një popull i tërë që çuditshëm kërkon sërish e sërish të ikë nga dheu i vet. Një lumë dëshirash e dhimbjesh që kërkon të dalë nga shtrati për të gjetur një tjetër. Shpresat për të ikur nga ky vend, nga e shkuara, nga kujtimet, nga vetvetja, ashtu si dëshirat, janë shumë të mëdha, për të mos u kthyer në dhimbje të thella zhgënjimi, sepse shumica nuk mund të shkojë askund.

Fituesit janë të paktë. Sa më të rrallë, aq më qiellorë ata përndritin në sytë e turmës që ata lanë pas me fatin e tyre. Kjo turmë e zhgënjyer, ndërsa ndihet e pafat, mes tunelit të errët, i duhet të përballet me rutinën e shkërdhyer të gjërave dhe të presë 3 majin tjetër; varkën e vogël të fatit që vjen në bregun shqiptar një herë në vit. Ndërkohë që fituesit e paktë pas disa muajsh do të fluturojnë larg këtij vendi ku, si gruaja e ëndrrës, i pret parajsa, siguria, normaliteti, të tjerët i pret një peizazh i zi i mallkimit, rutina e poshtër e ekzistencës në një vend ku nuk ka punë, nuk ka shpresë dhe nuk fiton kollaj lotarinë… Ky mallkim është i prekshëm, i dukshëm, si lëndë; humbësit e lotarisë, të lëshuar e fatbrishtë do t’u kthehen gjërave kapitale që sundojnë jetën e tyre: monotonisë, varfërisë, papunësisë, dëshpërimit. Do t’u kthehen varësive, jetës së kafeneve, pabeve, rrjeteve sociale, të vetmet suresalizma në botë që, teksa nuk e ngopin njeriun me bukë, e ngopin me iluzione.

Shqiptarët kanë emigruar gjithmonë, aq sa, shfaqur si babëzi, vështirë se varfëria ka qenë e vetmja arsye që i ka shtyrë ata në këtë masivitet të përbindshëm që të duan të largohen nga vendi i tyre, ashtu siç braktisin banorët shtëpinë ku u shfaqen fantazma.

Edhe më parë, edhe më vonë, edhe tani, edhe në të ardhmen, emigrimi duket se do të jetë një dukuri tipike e shqiptarëve, me imazhin gri të mallkimit. Gjithmonë kanë dashur, duan dhe do të duan të ikin përmes emocioneve që u jep premtimi i së ardhmes në vende të tjera, sepse e ardhmja nuk ekziston më në vendin e tyre.

Share: