Nga Adela Kolea
Si e informuar mbi biografitë e shumë artistëve italianë, lidhja e Adriano Celentano-s me nënën, më ka tërhequr përherë.
Adriano Celentano ka qenë shumë i afruar me nënën e vet dhe janë të pafundme dedikimet që ai, në forma të ndryshme, si në libër, në këngë, me foto-tregime nëpër media, intervista, nëpër kanalet social etj, i ka përkushtuar asaj.
Adriano ka lindur në Milano më 6 janar 1938. Prindërit e tij ishin me origjinë nga jugu i Italisë, Foggia, krahina Puglia por, patën ardhur në Veri të Italisë si emigrantë, për të kërkuar punë në krahinën Piemonte e më pas, Lombardi.
E ëma e Adrianos quhej Giuditta dhe ishte rrobaqepëse.
Giuditta qepte në shtëpi me porosi dhe Adrianon, i cili mbeti jetim nga babai, Leontino, që kur djaloshi ishte 13 vjeç, nëna e ka mbështetur në çdo pasion e nismë që ai ka ndërmarrë, përfshirë muzikën.
Sepse, Adriano që fare i ri nisi të punonte fillimisht si orëndreqës, si zeje familjare.
Por, e ëma, Giuditta i ndërroi jetën e të ardhmen, kur i pati dhuruar djalit një disk “Rock Around The Clock” të Bill Haley, risi e asaj epoke, që qe shtysa e Adrianos për t’iu përkushtuar muzikës e për të arritur aty ku është sot në majë të panoramës artistike italiane.
Mama Giuditta ishte shumë e dashur dhe e respektuar nga tërë miqtë e dashamirësit e Adrianos.
“Nëna ime ishte në tërë rrethin familjar si një “rrufepritëse”, – thotë Adriano. Te ajo shkonin të gjithë fëmijët, të afërmit, miqtë, për t’u rrëfyer, konfiduar e për të shkarkuar halle e tensione të tyre aq sa, sapo ndodhte diçka mes tyre, thoshin:
“Hajdeni të shkojmë te Giuditta, të marrim mendimin e saj!”
Kjo, ngaqë e konsideronin grua të mençur e të matur.
“Më përqafonte e më dukej se kishte 100 krahë, më dukej një mal, gjigande.”- shprehet Adriano.
E vazhdon:
“Kur ndonjëherë shkoja ta takoja, kisha halle e ngatërresa të miat por, para saj bëhesha si i gëzuar, i shkujdesshëm, ajo e kuptonte e më thoshte:
Kot e ke që shtiresh. Ti, ose je zënë me Claudia-n, ose ke këtë apo atë siklet…!”
Në fakt kur ajo vdiq, edhe shumë relacione familjare tonat u shkërmoqën, ngaqë ishte ajo që ruante ekuilibrin në ndërveprimet në farefis.
Pas vdekjes së saj, më qe dukur se edhe malet rreth meje, papritur qenë sheshuar…” – shkruan Adriano.
“Clan Adriano” quhet shtëpia diskografike e Adrianos, themeluar në vitet ’60.
“Kur nëna vdiq,- thotë Adriano – ashtu sikurse rëndom ndodh, të mbërrijnë shumë mesazhe ngushëllimi, për ne personat publikë shkruhet nga mediat dhe, një titull gazete, i cili më pati prekur veçanërisht, qe:
“Sot u largua nga jeta vajza e vërtetë, më e rëndësishmja e Clan Celentano-“.
Dhe kishin të drejtë.
Ajo qe zanafilla, mbështetësja dhe frymëzuesja e artit tim.”