Nga Nikollaq Neranxi
Sa hap facebook-un, gjëja e parë që lexoj, është një status i av. Spartak Ngjelës ku teksti është gjithnjë i njëjtë: “Kur do e fusin në burg Berishën dhe Metën?” Për ditë i njëjti tekst. Sipas Ngjelës, reforma në drejtësi, ku janë investuar shumë amerikanët, bëhet vetëm për të futur në burg Berishën dhe Metën.
Kërkoj më kot që të gjej në faqen e avokat Ngjelës, ndonjë status që flet për ato temat e bukura e të dobishme që ai diskutonte dikur në emisionet e ndryshme, por edhe në biseda private me mua, mbi problemet e ekonomisë të tipit: “Çfarë po ndodh sot me ekonominë shqiptare? Si është gjendja e sipërmarrjs së lirë? Pse ka rënë kaq shumë fuqia blerëse? Pse u rritën kaq shumë taksat? A mund të flitet sot për liri tregu? Kush e ka fajin? Si mund të zgjidhet?” Nuk ka!
Një njeri që ka një reputacion në publik dhe që mbi të gjitha, që ka folur ndër të parët në këtë vend për ekonominë dhe lirinë e tregut, si ka mundësi që sot nuk thotë një fjalë? Një individi si Ngjela, iu mohua liria dhe u dergj në burgjet komuniste, sepse i kërkonte me të drejtë këto të liri në vendin ku jetonte!
Si ka mundësi që Ngjela veçon nga e gjithë klasa politike vetëm dy individë, si e keqja e këtij vendi? Pse vetëm ata të dy dhe jo të gjithë ata që e kanë rrjepur këtë vend për 25 vite, përfshirë këtu shumë kolegë të Ngjelës në drejtësi? A ka individë më të paduruar për tu bërë drejtësi në këtë vend se sa sipërmarrësit që kanë hedhur çdo qindarkë në këtë vend dhe nuk kanë asnjë siguri?
A ka individë më të paduruar në këtë vend për tu bërë drejtësi sesa njerëzit e thjeshtë të cilët ndjehen tashmë të pasigurtë në çdo gjë në jetën e tyre? Ata po vuajnë përditë realitetin dramatik që xhepat po iu zbrasen dhe jeta po iu mbushet me kriminelë që i gjen në çdo bar të qytetit tashmë? Në këtë realitet që po e prekim dhe e vuajmë të gjithë, ju nuk jeni në krahun tonë avokat Ngjela. Lojën e kujt po luani? Le ta gjejnë ata që te lexojnë.