Home Gjeo-Ekonomia Berlini kritika ndaj Rusisë pas publikimit të audio regjistrimit

Berlini kritika ndaj Rusisë pas publikimit të audio regjistrimit

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha sot se Rusia po kryente një luftë informacioni që synon të nxisë përçarje në Gjermani.

Ky ishte reagimi i tij i parë rreth publikimit në Rusi të një regjistrimi zanor të një takimi të zyrtarëve të lartë ushtarakë gjermanë.

“Incidenti është shumë më tepër se regjistrim dhe publikim i një bisede… Është pjesë e një lufte informacioni që po bën Putini”, tha ministri Pistorius. “Është një sulm dezinformimi. Synon të dëmtojë bashkimin tonë. Për rrjedhojë, duhet të reagojmë ndaj tij me kujdes të veçantë, por jo me më pak vendosmëri”.

Ministri gjerman shtoi se askush nuk beson se kjo ishte thjesht një rastësi në javën pas shërbimit funeral për udhëheqësin opozitar rus Alexei Navalny.

Të shtunën, Gjermania njoftoi se kishte filluar hetimet për atë që dyshohet se është përgjim i një bisede telefonike, pasi Moska tha se regjistrimi i një oficeri gjerman tregonte se ai po fliste rreth armatimeve për Ukrainën dhe sulmeve të mundshme nga Kievi në një urë në Krime.

Po dje, duke folur gjatë një vizite në Romë, Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se “çështja po shqyrtohej me shumë kujdes”.

Regjistrimi u postua në rrjetin social Telegram nga Margarita Simonyan, një gazetare e televizionit shtetëror rus dhe drejtuese e kanalit “Russia Today”.

Agjencia e lajmeve Reuters dëgjoi regjistrimin 38-minutësh, por nuk mundi të konfirmonte në mënyrë të pavarur vërtetësinë e tij.

Në bisedë, personat e përfshirë diskutojnë dërgimin e mundshëm të raketave Taurus në Kiev, një pretendim që kancelari Scholz deri më tani nuk e ka pranuar.

Ata gjithashtu flasin për stërvitjen e ushtarëve ukrainas dhe objektivat e mundshme ushtarake.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov foli me gazetarët të shtunën për “planet dinake të ushtrisë gjermane, të cilat u bënë të dukshme për shkak të publikimit të këtij regjistrimi. Ky është një veprim flagrant”, tha zoti Lavrov. /VOA

Share: