Nga Arian Galdini
Ishte viti 1989 kur regjizori i madh amerikan Oliver Stone bëri filmin ‘Lindur në 4 korrik’, qe do të trondiste botën e njëkohësisht do të fitonte edhe 2 çmime Oscar. Tom Cruise i magjepsi të gjithë anekënd globit me interpretimin e rolit të Ron Koviç. Filmi i dedikohej biografisë së një veterani të luftës në Vietnam, i cili luftoi si hero për vendin e tij, Amerikën, derisa u plagos rëndë në aksion. Ron Koviç mbeti i paralizuar keqazi dhe kështu u kthye në shtëpi. Më tej ai u ndje i tradhëtuar nga vendi i tij për të cilin luftoi e për pak dha jetën dhe u shndërrua në heroin më të spikatur kundër luftës dhe në aktivistin e zjarrtë pro të drejtave të njeriut. Madje në fund e gjithë Amerika e nderoi luftën e tij në Vietnam sikurse edhe aktivizmin e tij kundër luftës dhe pro të drejtave të njeriut. Ron Koviç u bë vetë Amerika.
Këtë histori po sillja ndërmend këtë fillim korriku, ndërsa SHBA janë në periudhë festive për 240 vjetorin e Pavarësisë. Kur kam qenë në Harvard si student pasuniversitar i një Kursi Ekzekutiv në Kennedy School of Government kam patur privilegjin që të kem shok dhome një Gjeneral Amerikan që quhej Frank Padilla. Frank Padilla është një hero lufte dhe i pluridekoruar. Ndërkohë që shokë klase kam patur disa Gjeneralë të tjerë të Ushtrisë Amerikane, si edhe Drejtues të Lartë të Departamentit të Mbrojtjes, Departamentit të Drejtësisë, Departamentit të Shtetit, Homeland Security, e pothuajse të të gjitha Institucioneve më të rëndësishme në SHBA. Ishim edhe ne një grusht të huaj. Bëheshim a s’bëheshim 10 të huaj. Ishte viti 2008 dhe amerikanët që kam njohur aty në atë shkollë më kanë befasuar me pathosin me të cilin flisnin për detyrën e tyre dhe përgjegjshmërinë e dashurinë e flaktë për Amerikën. Ishin kaq krenarë për Amerikën e tyre.
Kisha shkuar edhe më parë në Amerikë i ftuar në Konferenca e Aktivitete. Kam njohur e kam miq shumë amerikanë që janë a kanë qenë nga politikanë e Përfaqësues të Popullit në Kongres deri tek Ambasadorë, avokatë, biznesmenë, misionarë, pastorë kishash apo njerëz të thjeshtë. Ama kurrë nuk e kisha hasur këtë amerikanin e përgjegjshmërisë dhe dashurisë për detyrën dhe vendin, si këta shokët e klasës në Harvard. Mendoja se ky lloj amerikani ishte vetëm fryt i projeksioneve të Hollywoodit. Kur takova shokët e klasës sime në SMG – Senior Managers in Government 2008, besova se Amerika e vërtetë është edhe më e bukur sesa në Hollywood. Amerikani i vërtetë është heroi i përditësisë që e do sinqerisht e dlirësisht vendin e tij, që shkollën, punën e aktivizmat që kryen a ndërmer i ka si mision.
Mision për tu vetërealizuar, mision për të ndërtuar një jetë sa më të mirë nëpërmjet sakrificave, ndershmërisë, dijeve dhe kreativitetit, mision për tu bërë më i miri në punën që bën, mision për të shërbyer sa më denjësisht në detyrën që ka, mision mbi të gjitha për ta dashur vendin deri në gatishmëri për të dhënë edhe jetën. Amerika që njoha në SMG 2008 u kthye në dashuri të palëkundur për mua. Mësova nga leksionet që mora prej Profesorëve më të mirë të Universitetit të Harvardit, mësova pamasë edhe nga shokët qe njoha në klasën time. Kthimi im në shtëpi, në gushtin e vitit 2008 ka qenë si një rrapullimë ëndrrash të ngritura lart shumë lart, e paskëtaj të përplasura fort me një realitet mbytës që nuk lejonte vend as për ëndrra e as për fluturime. U ktheva që nën modelin e amerikanit që njoha në Harvard, të rivendosesha më i përgatitur në shërbim të vendit tim, ashtu me pastërti e pathos, kreativitet e ndershmëri, sikurse kisha mësuar në SHBA. Nuk doja të arrija kurrë asgjë të pamerituar. Gjithçka që synoja, e ndërtoja vetë me mund e integritet dhe e vendosja në përballje a konkurim që arritja të vinte e drejtë, të mos cënonte askënd padrejtësisht, e mbi të gjitha të krijonte të mirë publike. Ia dola në shumë mënyra e forma ti bëj të gjitha të mundshmet e mia, ndershmërisht dhe i papërlyer. Ia dola të mbërrij deri në sipërfaqen e njerëzve që duken, flasin, shkruajnë, aktivizohen e veprojnë publikisht.
Pasionin më të madh e përqëndrova në auditorët e Universitetit me studentët e mij. E megjithatë, zbulova se Shqipëria ime, nuk kishte vend për njerëzit e merituar e të virtytshëm. Në Shqipërinë të cilën unë doja e dua kaq shumë ti shërbej ta ndryshoj, i merituari është i dënuar, ndërsa i ndershmi është i vetmuar. Në Shqipërinë time, kush do që ta fitojë punën me zotësi e konkurim të lirë e të drejtë, ose përdoret si statistikë pakice për propagandë qeveritare, ose bëhet shumicë e dëshpëruar dhe e zhgënjyer keqazi. Në Shqipërinë time, merita nuk ekziston. Kreativiteti dhe imagjinata janë rrezik vital për njeriun që i mbart e ushtron. Ndershmëria është mallkim ose idiotësi. Po ia nise ta blesh notën tek mësuesja që në fillore e deri në Maturë, me kurse private të mirëpaguara a dhurata 7 marsi, e ke të lehtë të shkosh në Universitet me mendësinë për të blerë notën e diplomën, pa e çarë fare kokën për dijen.
Në Shqipërinë time, hyn në Universitet sepse kështu e ke një mundësi që me një kartë anëtarësie partie, me prapanicëlëpirje ndaj Udhëheqësve politikë, me një kushëri, taraf a miqësi, apo me një zarf me para të thata, sido që ta kesh bërë shkollën, nuk pyet njeri, se punën e gjen. Për ta mbajtur punën duhet të bëhesh skllav, gojëmbyllur, veshëmbyllur e symbyllur, ose firmëtar i bindur. Ose duhet të bëhesh hajdut i të mirës publike e të laguash kuotat tek Shefat. Kush lidh kokën me peshqir për të lexuar e studiuar deri në orët e vona të natës, për të dalë sa më mirë në provime e për të përthithur sa ma shumë dije, nëse ende ekziston këtu në Shqipëri, është ose i nëmuri e i veçuari, ose prishësi i marrëveshjes së grupit, pra ‘i ligu’. Kush do që të jetojë me zotësi, ndershmëri, virtyte, integritet, talent e kreativitet, ndihet në faj sepse të gjithë të tjerët ose e shpërfillin fare, fare ose e shohin si të huaj, të bezdisshëm, të poshtër që sfidon status quonë e prish gjithë rendin sesi funksionojnë gjërat. Në Shqipërinë time duhet blerë diploma dhe puna e duhet shitur vota dhe dinjiteti që të ndihesh i kohës dhe vendit. Në Shqipërinë time, nëse ke mend e ide, i bën dëm vetes, ndaj ose duhet të heshtësh që të numërohesh për kaqol, ose duhet të shtiresh si ‘lojtar i bindur i sistemit’. Militanti dhe kaqoli janë shërbëtori i Sistemit. Batakçiu e krimineli janë qehajai dhe administratori i sistemit.
Politikani plaçkitës, mashtrues, i koruptuar dhe sundimtar është Zoti i sistemit. Nëse nuk je as militant, as kaqol, as batakçi, as kriminel e as politikan plaçkites, nuk vlen asnjë qindarkë në këtë vend. Mendimtari katandiset në rrogëtar gojëmbyllur. Akademiku në ‘zejtar i mendjes’ për nevojat e politikës për tu dukur e ndriçuar dhe për bërë e shitshme a e përtypshme. Profesionisti i lirë ka përfunduar në shtegëtar pa adresë e pa interes për çka ndodh përreth. Sa më pak të flasësh e veprosh, aq më i sigurtë je, që nuk shkel rrezen e rrethit të lejuar të veprimit. Brenda rrethit je në rregull e mund të bësh edhe pasuri, edhe famë edhe miqësi. Guximi për të dalë nga rrethi, të shuan e zhbën si qënie. Në Amerikë që në lindje, amerikanit të ri i kërkohet nga prindi, mësuesi, shoqëria, që të sfidojë veten e dalë përtej rrethit duke mbrojtur me forcë integritetin e duke vënë në punë imagjinatën, kreativitetin, talentet e duke kërkuar vetëaktualizimin. Në Shqipëri, lindim e rritemi e madje edhe vdesim duke mësuar se nuk duhet as ta mendojmë e as provojmë daljen nga rrethi. Brenda rrethit vdesim veten që të jetojmë trupin. Ndërsa jashtë rrethit, kërkohet vetja dhe jetohet jeta. Ky është dallimi rrënjësor i dy botëve. Këtë dallim takova unë kur u ktheva nga SHBA në Shqipëri.
Pikërisht ky ishte edhe shkasi pse e ndava mendjen që të shkelja me vullnet të lirë rrethin tim të lejuar të veprimit. Shkova shumë përtej këtij rrethi. A jam i penduar? Aspak. Kurrësesi. Nuk jam bërë i pasur. Nuk kam miq ndër Sundimtarët. Nuk jam pjesë e parive a elitave të Kryeqytetit të vendit tim. Për të fuqishmit e vendit tim, jam një diagramë e pavlerë që u shfaqet në radar herë pas here. Për batakcinjtë dhe kriminelët jam një bezdi. Për militantët dhe kaqolët jam një i paudhë dhe delirant. Familjen time e mbaj me shumë sakrifica e mund. Tim biri kam filluar, të mendoj se duhet ta largoj nga vendi im, ose tia bëj atdheun më të mirë. Zgjidhje tjetër nuk kam më. Në rreth nuk rikthehem dot edhe sikur të dua. Kërkimi i vetvetes, me ka çuar aq larg rrethit, sa edhe nëse unë do të dua sot të fus bishtin ndër shalë për tu rikthyer në rreth, si qeni në kolibe, e di që nuk e gjej dot më rrethin. Më del më mirë llogaria e më shkon për shtat dhe jam mendjendarë që të vazhdoj udhëtimin tim përtej rrethit, në kërkim të vetvetes. Me këtë mendjendarje, ia dola bashkë me miq të mirë që të krijonim një Parti të re të qytetarëve të thjeshtë, të rregullt dhe të papërlyer. Ngase donim që Partia jonë ta kishte si stigmë që në emrin e saj, të ndryshmen, e quajtëm LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë. Me shumë gjasa jemi Partia e vetme në botë që kemi termin ETIKË në emërtim. Shumë na kanë shprehur habi, dyshim, shpoti për Etikën në emërtimin e partisë. E pavarësisht këtyre, ne nuk u mëdyshëm.
Ndër të tjera ne e konsiderojmë veten tonë edhe si besëlidhja e të mirëve dhe të merituarve. Rendja e ndërgjegjshme në këto shtigje vetëdeklarimi, ka ardhur si natyralitet i formës dhe përmbajtjes sonë, të cilat kemi bërë përpjekje titanike që ti mbajmë të përputhura, edhe pse ende jemi komunitet i vogël. Ditën që ne bëmë e shpallëm Koalicionin tonë si LDE me Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën, ndodhi pikë për pikë çka ndodh normalisht në Shqipërine time, në Shqipërinë tonë. Pati dyshimtarë që e konsideruan Koalicionin tonë si rikthim tonin në rreth. Pati edhe liganakë që sajuan histori e shpifje të ulëta me trafiqe e burg, sepse këto janë edhe historitë që ata dinë, njohin e përjetojnë çdo ditë. Pati edhe qëllim-mbarë që na përgëzuan. Atë ditë nisi edhe bashkëudhëtimi ynë me një Familje Politike të Sistemit. Na ftuan, na pranuan, na mirëpritën. Them se si kurrë më parë në këto 25 vite, na mirëpritën pa na kërkuar as kompromis me dinjitetin, integritetin e identitetin tonë, e as tjetërsim. Na dhanë të drejtën të jemi pjese e familjes politike opozitare duke qenë vetvetja. Kjo ka ndodhur në një kohë kur Shqipëria po gdhihet e ngryset me një debat mbi debatet, me një çështje mbi çështjet, me Reformën në Drejtësi. Çka po ndodh në të vërtetë, ka krijuar një klimë dramatike, që ndan njerëz, qëndrime, pozicione, role. E thënë me pak fjalë, kush dëgjon e lexon në media, krijon ndjesinë e ndoshta bindjen që ka dy palë në Shqipëri. Njëra palë e do Reformën në Drejtësi.
Pala tjetër nuk e do. Ndoshta edhe kjo ka të vërteta brenda. Ajo që e përforcon këtë ndarje në palë është edhe qëndrimi i Ambasadorit Amerikan Donald Lu dhe Ambasadores së BE Romana Vlahutin. Sinqerisht, unë nuk e di përse dhe nuk kuptoj dot qëllimësinë e tyre për të theksuar një ndarje si kjo në 2 palë të tillavendosura. Ndjesia ime si pedagog, qytetar, aktivist, opozitar, Kryetar i LDE dhe si anëtar i Koalicionit Opozitar të drejtuar nga PD, është se të gjithe janë deklaruar në mbështetje të domosdoshmërisë së miratimit të Reformës në Drejtësi. Rekomandimi nr 88 i Komisionit të Venezias, është bërë emblematik, jo si dëftues i dy palëve, njëra pro e tjetra kundër Reformës, por si lakuriqësues i një realiteti të kahershëm në Shqipërinë time. Udhëheqësit tanë nuk dinë e nuk duan të bashkëpunojnë e as bashkërendojnë, sepse duan të Sundojnë e bëjnë plaçkë mbi shtetin dhe shqiptarët. Qeverisjen e shohin si Triumf mbi kundërshtarët e gjithë shoqërinë. Opozitarizmin e shohin si dështim e humbje. Edhe Reformat e mëdha i shohin a i bëjnë, për të poshtëruar kundërshtarët, jo si vizione zhvillimore e të drejta. Ndaj në gati 104 vite Shtet shqiptar, ne ngahera kemi patur Udhëheqës që kanë përdorur Shqipërinë si plaçkë tregu për tu pasuruar vetë e për të përfituar miqësi e favore ndërkombëtarësh, për të Triumfuar mbi kundërshtarët dhe shoqërinë shqiptare. Udhëheqësi i rradhës në vendin tonë, ka qenë edhe i favorizuari i rradhës nga Ndërkombëtarët, e për rrjedhojë edhe Shtypësi ynë i plotfuqishëm i rradhës.
Vetëm kur ka ardhur ora e ndryshimit, Ndërkombëtarët i kanë bërë ca javë a muaj shoqëri Opozitës deri sa e kanë bërë Pushtet e Qeverisje. Diplomatikisht, kjo është korrekte. Vendet ndërlidhen mes tyre diplomatikisht që të kenë bashkëpunime ndërqeveritare. Krejt legjitime është kjo. Funksioni prishet, kur diplomatët bëhen të famshëm dhe negociojnë përtej natyrales së tyre. Ne nuk e kemi vënë re këtë prishje funksioni, sepse Lufta e Ftohtë dhe pasLufta e Ftohtë, neve na ka përplasur në dyert e Ambasadave Perëndimore, njëlloj si të na lëshonte fati në Dyert e Shtëpisë së Zotërve Shpëtimtarë. Dhe kështu ishte në fakt. Pa Perëndimin dhe pa Ambasadorët e Perëndimit, ne nuk do ta kishim rrëzuar dot kurrë Diktaturën, e nuk do ti kishim bërë dot këto transformime rrënjësore që kanë ndodhur në çdo fushë në vendin tonë.
Ndaj edhe mirënjohja jonë për Ambasadorët e Perëndimit ka qenë e mbetet e pakursyer dhe e pafundme. Por përtej mirënjohjes së padiskutueshme dhe respektit e dashurisë së sinqertë që kemi për ta, le ti hedhim sytë edhe në një këndvështrim tjetër, që është edhe këndvështrim kritik i shëndetshëm, i ndershëm dhe dashamirës. Ambasadorët u bënë njerëzit më të famshëm në vendin tonë. Shtrëngimi i dorës me një Ambasador Perëndimor në këto 25 vite ka qenë si status social e politik. Ftesa a buzëqeshja e një Ambasadori Perëndimor ka qenë dhe ende është si rankim në paritë e qytetit tonë politik, mediatik e kulturor. Miqësia dhe mbështetja private e publike e Ambasadorit Perëndimor ka qenë garancia e një karriere të sigurtë politike, mediatike, akademike dhe kulturore. Takimet e Ambasadorëve Perëndimorë me Udhëheqësit Politikë në Shqipëri, janë lajm mbi lajmet. Qëndrimet dhe daklaratat e Ambasadorëve Perëndimorë në Shqipëri, janë politikë mbi politikën. Dhe gjërat janë ngatërruar aq keq sa askush nuk kupton më asgjë. Në 25 vite ne kemi besuar si legjitimë dhe të gjithëfuqishëm politikanë e udhëheqës shqiptarë që përveçse na kanë vjedhur, plaçkitur, mashtruar, sunduar, vrare e prerë, kanë fituar pushtet e karrierë edhe në sajë të miqësisë e mbështetjes së Ambasadorëve Perëndimorë. Reformat, të gjitha Reformat, janë bërë nën mbikqyrjen, me mbështetjen dhe ekspertizën e Ambasadorëve Perëndimorë, ekspertëve perëndimorë, Komisionit të Venecias. E ja ku jemi përsëri në këtë ditë kur të gjithë shqiptarë e ndërkombëtarë themi se gjithçka ka shkuar e është bërë mbrapsht. Na e thonë edhe Ambasadorët Donald Lu e Romana Vlahutin, se ne e paskërkemi bërë gjithçka gabim e keq. Se ligjet janë të këqija e duhen ndryshuar.
Se Kushtetuta duhet ndryshuar. Se Gjykatësit dhe Prokurorët duhen ndryshuar. Se Sistemi i Drejtësisë duhet shkundur nga themelet e duhet ribërë nga e para. Krejt dakort. Me gjithë shpirt e zemër dakort. E kush nuk është dakort me këto fjalë. Kush? Çdo mendje e zemër shqiptari është jo 100% por 1000% dakort. Por….. Unë njoh Gjykatës dhe Konstitucionalistë Amerikanë, njoh ekspertë amerikanë, që kanë ndjekur e asistuar çdo ndryshim ligjor, kushtetues apo institucional të ndodhura në të 3 pushtetet e Shtetit shqiptar, në Ekzekutiv, Legjislativ dhe Drejtësi. Madje disa prej tyre edhe janë dekoruar në shenjë mirënjohjeje disa herë nga Presidentët e Republikës së Shqipërisë. Njoh Senatorë, Kongresmenë, Ambasadorë Perëndimorë që kanë mbështetur personalisht karriera politike, të shumë njerëzve që na kanë përfaqësuar e qeverisur në këto 25 vite. Njoh Ambasadorë Perendimorë që kanë mbështetur personalisht shkollimin, trajnimet, specializimet, emërimet, transferimet, karrierën e shumë njerëzve që janë bërë Gjykatës, Prokurorë apo Ushtarakë a Oficerë Policie në Shqipëri. Si është e mundur që fajin për këtë gropë ku kemi rënë e këtë katranosje 25 vjeçare e paskemi vetëm ne shqiptarët? Këta Gjykatës, Ekspertë, Senatorë, Kongresmenë e Ambasadorë Perëndimorë që kanë ardhur e kanë ikur, me gjithë çkanë bërë gjatë misionit e mandatit të tyre, nuk paskërkan asnjë përgjegjësi, asnjë faj? Apo faji na mbetet neve sepse vetë i kemi lejuar e pranuar? Çfarë ndryshon në misionin dhe mandatin e Donald Lu dhe Romana Vlahutin, që ne të mos dyshojmë për shkak të traditës 25 vjeçare, e të pyesim:
Po sikur pas 2 a 3 Ambasadorëve të tjerë Amerikanë, të na vijë një tjetër i tillë që të na thotë se gjithçka e kemi bërë keq e duhet bërë një Reformë e re historike? A e dini çfarë? Unë nuk e kam votuar Sali Berishën që pas vitit 1997. As Lulzim Bashën nuk e kam votuar në 8 maj 2011 kur u bë Kryetar Bashkie i Tiranës. As në 2013 e as në 2015 nuk e kam votuar PD. Aq më pak do ti votoj tani, sepse tani e në vijim do të votoj LDE. Të majtët as që e kam menduar ndonjëherë që ti votoj. Kurrë. Dhe çfarë kam parë unë, në gjithë këto vite rezistencë e përpjekje për të kërkuar vetveten. Kam parë Ambasadorë Amerikanë që më kanë thënë se Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta, Fatos Nano, Pandeli Majko, Edi Rama janë burra shteti, miq të Amerikës, burra të zotë, e që e duan dhe punojnë me përkushtim për Shqipërinë. Ditën që këta, secili prej tyre, kanë hyrë në zyra pushteti, kanë siguruar edhe gjithë mbështetjen e Ambasadorëve Amerikanë. Mungesa e votës sime për ta, ka qenë një vërë në ujë. Kush ka patur me vete Ambasadorin Amerikan është bërë President, Kryeministër, Ministër, Kryetar Partie, Kryetar Bashkie. Kush është bërë President, Kryeministër, Ministër, Kryetar Partie, Kryetar Bashkie, ka patur edhe mbështetjen e Ambasadorit Amerikan.
Vota dhe vullneti im, kanë qenë si prashitje në ujë, përballë dorështrëngimit, buzëqeshjes, ftesave, miqësisë dhe mbështetjes që u ka dhënë Ambasadori Amerikan këtyre zotërinjve që kanë qenë e janë Udhëheqës në Shqipërinë time, në Shqipërinë tonë. Ka 25 vite që ne shqiptarët e dimë kush janë udhëheqësit e koruptuar, plaçkitës e sundimtarë. Ka 25 vite që Ambasadori Amerikan na ka thënë se i ka miq, e se të gjithë këta e secili prej tyre janë miq të SHBA e burra shteti për ne. Çtë bëjmë ne shqiptarët e trysnuar nga Sundimtarët dhe të blerë nga udhëheqësit tanë plaçkitës? A kemi mundësi e shanse ne qytetarët e dobët shqiptarë që të pipëtijmë a dëgjohemi nëse flasim, kur të gjithë e secili prej atyre që na kanë udhëhequr e qeverisur në këto 25 vite, kanë fituar legjitimitet të palëkundshëm se na ĕshtë thënë se kanë qenë miq të Ambasadorit Amerikan? Nuk e besoj se neve qytetarëve na e fërshëllen kush. Kjo pra është sfida që kam unë sot për Ambasadorin Amerikan Donald Lu. Që ne të besojmë se Ambasadori Amerikan Donald Lu, ka mision e mandat ndryshe nga tradita 25 vjeçare në Shqipëri, a mund të kërkojë të falur Donald Lu për aq pjesë faji a përgjegjësie sa mund të kenë të gjithë Ambasadorët Amerikanë të mëparshëm për miqtë që kanë zgjedhur të mbështesin në Shqipëri si udhëheqës politikë, si gjykatës, prokurorë, ushtarakë a oficerë policie? Meqë Donald Lu e ka kthyer në mision e sfidë kaq personale e politike këtë Reformën në Drejtësi, sa bën edhe thirrje për rininë, flet me fjalë dashurie e sfide për një të nesërme më të mirë për vendin tonë, a mund të kërkojë Donald Lu të falur për të gjitha ligjet, e shkruara, ndryshuara, miratuara nën kujdesin, ekspertizën e herë pas here edhe edhe me mbështetjen financiare të taksapaguesve amerikanë, nëse këto ligje qenkan të këqija sot e duhen ribërë?
A duhet të kërkojë të falur Donald Lu për të gjitha ato reforma e zhvillimet që kanë ndodhur në sistemin e drejtësisë shqiptare në këto 25 vite, nën kujdesin, mbikqyrjen e herë pas here edhe me financimin e taksapaguesve amerikanë, nëse këto kanë dështuar e sot janë kaq të domosdoshme për tu reformuar? A duhet të kërkojë të falur Donald Lu për të gjithë ata Gjykatës, Prokurorë, Ushtarakë e Oficerë Policie në Shqipëri që janë shkolluar, specializuar, trajnuar në SHBA, e mbështetur institucionalisht dhe financiarisht nga taksapaguesit dhe Shteti Amerikan, nëse këta janë koruptuar, kthyer në korporatë kriminale, nuk japin drejtësi, dhe vrasin shpresën e shqiptarëve?
Unë them se po. Them se po, sepse unë besoj tek dlirësia dhe qëllim-mbarësia e Donald Lu.. Një Donald Lu jo politikan, por diplomat, jo palë mes palëve, por parimor, jo sfidues nopran si lojtar në fushë, por çlirues energjie dhe kulture perëndimore paqtuese, duhet të kërkojë të falur për sa më sipër, që ne të besojmë garancitë e tij për një Reformë në Drejtësi që nuk do të na lërë në mes të rrugës pas 3 Ambasadorësh të tjerë Amerikanë, pra brenda 1 dekade.
Ose le të mos i konsiderojë si palë ata që nuk mendojnë si ai. Nëse Donald Lu kërkon të falur për sa më sipër, une e sfidoj edhe më tej që të na thotë emër për emër, të gjithë politikanët, gjyqtarët, prokurorët, oficerët e policisë, ushtarakët shqiptarë, miq të SHBA që e kanë zhgënjyer SHBA e që kanë tradhëtuar besimin e SHBA njëlloj si edhe besimin e shqiptarëve. Le të na e thotë se na bën nder të jashtëzakonshëm neve qytetarëve shqiptarë, nëse na i thotë emrat e udhëheqësve e politikanëve të koruptuar, gjykatësve dhe prokurorëve të koruptuar. Ambasadori Donald Lu meqë e ka marë kaq personalisht këtë sfidë le të na e bëjë një nder historik neve shqiptarëve, e le të na tregojë me emër e mbiemër se kush janë politikanët plaçkitës e sundimtarë që e kanë mbajtur peng Shqipërinë në këto 25 vite. Përndryshe, nëse nuk ka ndërmend ta bëjë këtë, nëse nuk e bën dot këtë, atëherë më vjen keq, por është duke stërvitur miza si të bëhen astronaute. Unë do të jem i pari që do ti jap lajmin e do ti them Ambasadorit Donald Lu që nëse nuk i shkon deri në fund si duhet kësaj historie që ka nisur me Reformën në Drejtësi, nëse nuk kërkon të falur për atë pjesë të mundshme përgjegjësie e faji të ish Kolegëve të tij pararendës, e nëse nuk na thotë emrat e të koruptuarve tanë, të mos na kërkojë kot neve qytetarëve shqiptarë që të besojmë në retorikat e tij.
Ti z.Donald Lu do mbarosh mandatin si Ambasador i SHBA në Tiranë kur ti vijë koha, e do shkosh kushedi se ku. Ndërsa unë duhet ta rris tim bir në këtë vend, ku shokët e tu politikanë shqiptarë do vazhdojnë të na udhëheqin sepse Ambasadori që do të të zëvendësojë ty, do të vijë e do të na thotë se edhe ai i ka miq. Për atë Zot, ose fol e thuaji të gjitha të vërtetat ashtu si duhet, ose më lejo mua e ata si mua që të luftoj e luftojmë që im bir, që bijtë tanë te mos largohen nga ky vend, duke ua bërë atij/atyre atdheun më të mirë e më të drejtë. A më bën mua antiamerikan, ky reflektim, kjo përsiatje e sfidë që po bëj për 4 korrikun dhe celulën antiamerikane? Kurrësesi jo. Jam kulturalisht, thelbësisht, ndërgjegjësisht, vendosmërisht proamerikan dhe e dua SHBA e vlerat që ky vend e komb përfaqëson, me gjithë zemër e shpirt. Me këtë përsiatje që kam shkruar, mund edhe të themi njëfarësoj se simbolikisht unë sot jam Ron Koviç. Më shih kështu z. Ambasador. Më lexo kështu. Më kupto kështu. Dua të të sfidoj ty z. Ambasador Lu, që të të provoj se e dua sinqerisht dhe vërtetësisht SHBA. E dua SHBA sepse besoj tek SHBA. Aq shumë besoj tek SHBA sa nuk mund të mos i kërkoj një Ambasadori Amerikan që të mos lejojë që propaganda e kujtdoqoftë në vendin tim të konsiderojë si antiamerikanizëm qëndrimin a mendimin ndryshe.
Edhe sikur Presidenti dhe Departamenti Amerikan i Shtetit të dalin e pohojnë sot se çdo fjalë që Ambasadori Donald Lu ka thënë derisot, është edhe fjala e tyre, unë përsëri do tu bëja të njëjtën sfidë, që i kam bërë këtu më sipër Ambsadorit Lu. Më lejoni tju bëhem dëshmi, se në këtë vend ka njerëz që duan një epokë të re, transformim tërësor, njerëz të merituar e të virtytshëm të cilët nuk kundërshtojnë mbi interesa e frikëra, por sfidojnë e përballin apo konkurojnë mbi parime e me atdhedashuri të plotë. Mos lejoni tju përdorin palë të koruptuara për të mbytur opozitarizmin, kriticizmin dhe mendimin ndryshe nën etiketkmin si antiamerikanë, thjesht dhe vetëm pse jeni ju i kundërshtuari. Nëse e keni kthyer në sfidë me të koruptuarit e këtij vendi, na thoni emrat e të koruptuarve. Na e bëni këtë nder. Ama nëse e keni kthyer në sfidë personale këtë çështjen e Reformës në Drejtësi, atëherë thirrja ime për ju është e drejtpërdrejtë: bëhuni fisnik e pranoni më mirë dështimin tuaj personal, por mos ‘vrisni’ Ron Koviçët e shoqërisë shqiptare. Pse jua them unë juve të gjitha këto? Sepse e dua SHBA me gjithe shpirt, por më shumë dua Shqipërinë. Sepse do ta dua SHBA më shumë se Shqipërinë vetëm nëse do të pranoj unë dështimin tim në këtë vend, e do ta mar tim bir e ta sjell të jetojë në SHBA, për një jetë më të mirë. Sepse tani per tani, jam ende fortësisht i vendosur që tia bëj Shqipërinë tim biri, një Shqipëri të vlerave dhe meritës.
Por edhe sepse unë nuk dua të jem i suksesshëm në Shqipëri, thjesht dhe vetëm pse më buzëqesh apo jo Ambasadori Amerikan. A dua unë tia dal mbanë? Sigurisht që po. Vetëm si i merituar ama. Vetëm si i merituar e me integritet. A kam frikë nga dështimi? Jo aspak. Sepse këtë luftë po e bëj jo më për vete, por për tim bir. Nuk dua që im bir të iki nga ky vend i bekuar që quhet Shqipëri. Dua që tia bëj tim biri, atdheun më të bukur, më të drejtë, më solidar. E që ta kuptosh me drejtë gjithçka kam shkruar këtu, sot në këtë përsiatje, im bir quhet David. Dhe ti e ke shok. Gëzuar së bashku 4 korrikun.
Arian Galdini
Tiranë më, 4 korrik 2016