Nga Nikollaq Neranxi
Sot kam qenë i ftuar në Athinë nga Shoqata Bashkimi Himariot. Himariotët që jetojnë në Greqi janë shumë të shqetësuar për ngjarjet e fundit në Himarë. Gjatë konferencës, u lidhëm me skype me Shoqatën Bashkimi Himariot i Amerikës i drejtuar nga Pader Karavella. Ishte një takim që më mbushi me shpresë.
Himara ka burra të fortë dhe të vendosur dhe këtë do ta demonstrojmë shumë shpejt tek ata të cilët kishin krijuar tjetër ide dhe mendonin se do ta shkatërronin vendlindjen tonë. Në Konferencë u vendos që me 14 gusht të bëhet një miting i madh në Himarë ku do të kundërshtohet me forcë cdo lloj plani rregullues i cili bëhet pa pyetur banorët si dhe cdo lloj grabitje prone dhe cënim të identitetit dhe historisë tonë.
Ndërkohë me 21 gusht, do të vijnë nga Amerika në Himarë, një grup i madh i kësaj shoqate i drejtuar nga Pader Karavella. Jam shpresë plotë se ne do i rikthejmë Himarës dinjitetin të cilin për vite të tëra kanë kërkuar t’ia nëpërkëmbin barbarët. Himariotët janë më të bashkuar se kurrë dhe më të vendosur se kurrë për të mbrojtur trojet e tyre! Më poshtë keni fjalën time, të mbajtur sot në këtë takim, si bir i Himarës në rradhë të parë dhe si Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës Komuniteti Himariot.
Të dashur bashkëqytetarë të Himarës! Ju, njerëz të mirë e punëtorë që asnjëherë nuk i ratë në qafë askujt, por punuat me djersë e ndershmëri si në Himarën tuaj ashtu edhe në emigracion. Ju të gjithë keni krijuar tashmë një jetë të re këtu dhe keni rutinën e ditës tuaj prej vitesh, duke punuar dhe duke u kujdesur për familjet tuaja.
Por kam ardhur t’ju them se është momenti që të dilni nga kjo rutinë. Jo unë Nikollaq Neranxi, sepse unë jam si ju, por historia ju thërret dhe ju duhet të lini cdo gjë e të vini në tokën dhe në shtëpitë e paraardhësve tuaj. Pushteti qendror dhe ai vendor, thonë që po bëjmë investime, por deri tani kanë zbuar nga dheu i tyre disa familje, projektet nuk na i tregojnë dhe na akuzojnë pastaj se nuk i duam investimet!
Nuk është e vërtetë, ne i duam investimet, por nuk duam dhe nuk pranojmë grabitjen dhe denigrimin që ata kanë në plan të bëjnë, me forcën që ju jep pushteti. Prandaj duhet të vini pranë atyre pronave që janë bërë me djersë e me gjak nga gjyshërit e stërgjyshërit tanë, të cilët në shumë raste lanë kockat nëpër miniera e punë të rëndomta nëpër botë.
Ajo tokë e shenjtë ku ne patëm fatin të lindim, ato gurë e sokakë që rrefejnë historinë tonë, ai emër i madh, ajo markë që e njohu bota edhe atëherë kur Shqipëria nuk ishte akoma shtet, Himara jonë pra, sot është në rrezik! Mafia e pronave, e ndihmuar nga pushteti, ka një plan të kobshëm, ajo do të na grabisë pronat, të kompensojë tek tuk me ndonjë qindarkë dhe të na përzërë nga ai vend, duke sjellë buldozerë pranë vatrave tona që në ditët e para të shtatorit. Krahas fitimeve marramendëse që do kenë duke investuar në trojet tona, ata do të kryejnë edhe një mision tjetër, atë të zhbërjes së atij vendi, pa lënë nam e as nishan.
Ata kanë kohë që na provokojnë, kanë prekur objektet e kultit, duke fyer ndjenjat tona, besimin tonë ortodoks pas të cilit zona jonë është shumë e lidhur e që me siguri dikë edhe mund ta bezdisë.
Këto kohë ne nuk kemi ndenjur duarkryq. Si fillim i kemi bërë me dije institucioneve dhe përfaqësitë e huaja me anë të një letre të firmosur nga të gjithë banorët, se ne nuk jemi dakord me ato që po ndodhin në Himarë. Kam një lajm të mirë për ju, nga përgjigjet që kanë dhënë dhe nga disa takime që kemi zhvilluar, të gjitha forcat politike, me përjashtim të atyre që janë në pushtet, na kanë premtuar që do të jenë krah nesh në luftën tonë.
Ambasada të rëndësishme në Tiranë, kanë treguar që janë në krahun tonë. Ambasadorja greke në Tiranë, na premtoi se do të jetë në ndihmë të komunitetit himariot. Të gjithë janë me ne, por ne duhet të jemi më të bashkuar se kurrë, sepse pavarësisht përkrahjes, lufta është e jona.
Prandaj po e përsëris vëllezërit e mi, hajdeni në Himarë! Duhet të jemi aty të gjithë, të bashkuar, për të shpëtuar Himarën. Pa dashje ne po hyjmë në histori, nesër do të flitet për ne. Varet nga ju nëse do flitet për mirë apo për keq. Ta dini mirë, se ai që shkatërron dhe ai që nuk reagon teksa kjo ndodh, janë njëlloj fajtorë! Nuk ka më kohë vëllezërit e mi!
Himara është në rrezik, o sot o kurrë! Të gjithë bashkë, për të shpëtuar vendlindjen dhe historinë e saj! Kjo është një luftë e drejtë dhe dinjitoze, prandaj ne do e fitojmë! Faleminderit!
PS: Fjala e mbajtur ne takimin e Athines organizuar nga Shoqata Bashkimi Himariot i Athines.