Home KRYESORE Erdogani i frikshëm dhe turmat e “Arnautistan-it”

Erdogani i frikshëm dhe turmat e “Arnautistan-it”

Nga Azem Parllaku

Që nga reformat e Kemal Ataturkut që e shndërroi Turqinë në shtet sekular, ushtria ka qenë garantuese e sekularitetit të këtij shteti. Gjeneralët turq kanë ndërhyrë në proceset politike gjashtë herë që nga viti 1960 si reagim ndaj tensioneve politike dhe të sigurisë. E premtja ishte tentativa e katërt për grusht shteti e ushtrisë turke, të cilën themeluesi i Turqisë post-moderne, që doli e mposhtur nga Lufta a Parë Botërore, e vendosi si ruajtëse të strukturës së shtetit laik, kundër çdo tundimi fetar apo autoritar.
Një puçshtet i dështuar, apo një gishtshtet i sajuar, kjo ende nuk është bërë e qartë, ndonëse kryesorja që nuk duhet të ndodhte, pra legjitimimi i dhunës ndodhi gjithësesi.

Mbështetësit e Erdoganit ishin lehtësisht të deshifrueshëm, mjafton të dëgjoje britmat e tyre nëpër sheshe të njejta me ato të xhelatëve të ISIS-it, teksa terrorizojnë jetët e pafajshme. Turma te tilla histerike na sollën në kujtesë turmat e dikurshme gjermane para fjalimeve të Hitlerit. Në ndërkohë po kaq neveritëse ishin dhe tubimet, apo përkrahja që bënë disa shqiptarë të sëmurë mendërisht, a thua se Erdogani ishte shpëtimtari i botës dhe atdheu i tyre “arnautistani” ishte ai më i rrezikuari.

Erdogani adhurohet nga turq e joturq, po ashtu si shihet me përbuzje dhe mëri. Arsyet se pse nuk e duan janë të shumta. Në Egjypt ende nuk ia falin se pse ndihmoi Vëllazërinë Myslimane dhe e quajti rrëzimin e tyre një puç. Në Rusi nuk e duan për luftën kundër Asadit. Në SHBA se e shohin si islamist në një kohë kur krahu konservator amerikan është i alarmuar nga rritja e islamizmit e gërshetuar me sulmet terroriste. Këto, të gërshetuara edhe me krizën e refugjatëve kanë fuqizuar të djathtat ksenofobe në Europë.

Shqiptarët gjithashtu kanë arsyet e tyre. Disa e shohin si burim të rritjes së pranisë së Islamit në botën shqiptare. Të tjerë si një kthim të otomanizmit që kërcënon simbolet kombëtare shqiptare. Disa kanë simpati më të madhe ndaj Greqisë dhe e shohin afrimin me Turqinë si automatikisht negative. Disa janë thjesht alergjikë ndaj gjithshkaje lindore, pavarësisht nga feja dhe kombësia. Disa e shohin si shoferin dhe mik të Edi Ramës e disa si të Berishës.

Sjelljet autoritare të Erdoganit duke burgosur kundërshtarët, duke marrë nën kontroll mediat e majta e të djathta, e duke ndërtuar pallate në shkallën e një sulltani të çmendur apo të një kalifi aspirues tashmë kanë dalë jashtë kontrollit. Tensionet politike shumë shpejt do të jenë një problem shumë i madh për Turqinë, e cila është prekur nga lufta civile në Sirinë fqinje, duke ngritur përleshje me grupet separatiste kurde, me një ekonomi në rënie dhe me tregun në turistik në kolaps. Shpresat e mëdha të vetëm një dekade më parë se Turqia mund të shpërbente si një model rajonal për një shtet të zhvilluar e demokratik me shumicë myslimane do të shuhen gradualisht.

Me ardhjen e Rexhep Taip Erdoganit në krye të shtetit turk më 2002 e deri tani, është lexuar qartë qëllimi i tij, që ushtria të mos ishte garantuese e sekularitetit të shtetit. Kanë ndodhur herëpashere edhe arrestime të ushtarakëve të lartë turq, që akuzoheshin se planifikonin puç ushtarak. Në aspektin gjeopolitik e gjeostrategjik, Turqia nën Erdoganin ka pasur probleme që nga acarimi i gjuhës diplomatike me BE-në e deri te një lajm i pakonfirmuar për lejimin e një baze ushtarake turke për ushtrinë ruse që ta shfeytëzojë për sulme ndaj ISIS.

Ajo që ndodhi të premten e shkuar, për vetë dinamikën e ngjarjes, ka shumë anë të errëta dhe pikëpyetje të cilat mund t’i japin përgjigje vetëm shërbimet sekrete. Një President që nuk dihej se ku ishte, rrjete sociale dhe telefoni e bllokuar, një grup gjeneralësh të arrestuar, turma drejt bankomateve, imam dhe hoxhallarë nga minaretë që bënin thirrje për të mbrojtur shtetin, e vetëm në gati 1 orë avioni peresidencial përshkoi mijëra km, sa drejt Gjermanisë, Londrës, Italisë dhe me në fund “mbrriti” në Katar, ku Erdogan do të kërkonte “strehim politik”.

Nëse: me të vërtetë 5 gjeneralët dhe 29 kolonelët që thuhet se, u koordinuan për të rrëzuar Erdoganin, janë pjesë elitare që duan një Turqi Europiane, një shtet turk laik, jo shtetin fetar të cilin që nga viti 2003 po përpiqet t’a ndërtojë Erdogani, modeli tipik i tiranit, nuk ka pse t’i anatemojmë, ndërsa opinioni ndërkombëtar duhet të ndalojë dënimin e tyre me vdekje të cilin Erdogan po e flet.

Gjeneralët (yjeverdhët e Ushtrisë së Turqisë në NATO) që urdhëruan një pjesë e Forcave të Armatosura të dilnin nga kazermat në shesh, e që detyruan Erdoganin të mos gjente pistë ku të ulej, dëshmon mbështetjen ndërkombëtare të Sulltanatit.

Erdogani ironikisht i nënshtrohet teknologjisë dhe internetit, ndërkohë që e “ka ndaluar”, ndërsa imamët mbështetës të tij, e keqpërdorën Shtëpinë e Zotit, në mbrëmjen e të Premtes.

Nëse: vetë Erdogani si dikur qoftëlargu Enver Hoxha e ka kurdisur puçshtetin për t’u vetshpallur si i “Madhërishëmi Erdogan”, më keq ende. Turqia tashmë sapo është stacionuar në udhëkryq.

Erdogani është si çdo i vdekshëm tjetër brenda historisë së tiranëve. Nëse jo sot nesër edhe ai do të vdesë. Bota ska pse i ndrron parimet e saja që i ndërton me shekuj saherë që diku shfaqet ndonjë jetshkurtër. Ajo ç’ka është shqetësuese ka të bëjë me krijimin e modeleve të udhëheqësve të tipit Putin, Erdogan, Gruevski, dhe të këtyre tanëve, që me çdo kusht duhet të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet.

Share: