Vëllimi me poezi: VARGJE PËR TY – 100 Lirika Dashurie, është një libër poetik i cili përmbledh një mori të pasur poezish, të shkruara nga autori i njohur Kujtim Hajdari. Nëpërmjet vargjeve, autori krijon një oaz galaksie, në të cilin dashuria, ndjenjat dhe meditimet, bashkohen në një harmoni dhe simbioz të veçantë e të vetëm. Përmbledhja përmban 100 poezi, secila prej të cilave është një reflektim i thellë dhe i domosdoshëm mbi: jetën e përditshme, natyrën, dhe vuajtjet për dashurinë.
Edhe pse, pothuajse të gjitha poezitë fokusohen tek dashuria e çiltër, gjithësesi paraqiten dhe janë të ndryshme në stil dhe tematikë, e megjithatë, kanë një qëllim të përbashkët: të zbulojnë ndjeshmërinë dhe shpirtin e autorit ndaj botës që vëzhgon përreth. Çdo varg dhe çdo poezi, është një shtegtim i veçantë nëpër ndjenjat e brendshme të individit dhe shoqërisë.
Disa poezi janë të mbushura me melankoli, ndërsa të tjera shprehin gëzimin që lind nga dashuria jo vetëm midis të dashuruarve, por edhe të ekzistencës sonë të përditshme, ndaj teksa e shfletojmë, vëmë re menjëherë se vepra përqendrohet pikërisht siç e thamë edhe më sipër, në aspektet e ndryshme të jetës dhe të përjetimeve njerëzore, duke filluar që nga dashuria e cila çel, shpërthen, shpërndahet dhe lulëzon në vargje të bukura, deri tek natyra që me madhështi dhe hijeshi, shpalos bukurinë dhe përjetësinë e saj; vepra, është një pasqyrë e pasur e përvojave njerëzore sepse temat që preken janë të shumta: jo vetëm dashuria e pafund, por edhe dëshira për paqe në vetvete, gëzim dhe rimëkëmbie.
Autori shkruan rrjedhshëm dhe shpeshherë përdor figura letrare të pasura, metafora që arrijnë të prekin e të hyjnë në vetë ndjenjat e brendësisë të lexuesit.
Gjuha është e pasur, por jo e “rënduar”, me vargje të lehta, të cilat shprehin ndjenja dhe mesazhe të mëdha, të mirëkompletuara. Poezitë janë të shkruara dhe të mirë organizuara, në mënyrë të tillë, që autori të flasë dhe komunikojë drejtpërdrejt me lexuesin, duke e bërë atë të përthithë çdo fjalë dhe varg, pa reshtur së lexuari.
Ndonëse është përmbledhje me 100 poezi, secila poezi ka forcën dhe penën e saj, dhe çdo varg është një mundësi për të përshkuar përvojat personale dhe ato kolektive në jetën tonë.
Ja pse me rimat e theksuara, janë të mbushura me mendime të thella, kujtime, nostalgji dhe ndjenja, të cilat nuk mund të mbeten pezull, në humbëtirë, pa tërhequr vëmendjen e lexuesit.
Pikërisht për këtë, është thelbësore ta nënvizojmë dhe evidencojmë se përmes çdo poezie, autori ka arritur të krijojë dhe të lidhë hallkat e forta dhe të sigurta me lexuesin, duke e bërë vetë atë, të mendojë për jetën dhe përvojat personale. Poezia është një mjet këmbëngulës, që mund të shërbejë si një pasqyrë kristali, të mirëmbajtur me shumë kujdes, për të ruajtur emocionet tona, edhe pse ndonjëherë të paarrira, për të kuptuar veten apo të tjerët.
Ajo që e bën këtë libër të veçantë është se pena e autorit shkruan dhe rrëfen qartë, përjetimet universale, duke e hapur shtegun e udhës të së kuptuarit dhe ndjesive, pa hasur vështirësi.
Duke ju ftuar ta keni në duar, ta shfletoni dhe të zhyteni në secilën lirikë këtë vepër, do ta vini re që nga vargjet e para e deri tek ato të fundit, se ky libër poetik ofron një këndvështrim dhe pasqyrim të pastër, në shpirtin e njeriut.
Përmbledhja është mjaft e arritshme në nivelin e letërsisë bashkëkohore shqiptare, po ashtu edhe tek çdo lexues e poet, që e adhurojnë vargëzimin dhe që kërkojnë të depërtojnë në botën e padukshme të mishërimit të shpirtit human.
Me muzën e tij të mirëfilltë, autori ia del të nxjerrë në pah, vëzhgimin e një bote shpirtërore, e cila kohët e fundit, edhe pse nga jashtë, po përjeton tragjedi dhe ndryshim stratosferik, gjithësesi ka hapësirë të lirë edhe për përjetim dashurie të mrekullueshme e paksa lumturi, në horizontin e kaltër, pa zhgënjime.
Nga: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese