Arbreshët kanë një fuqi magnetike tejet të madhe, saqë kur largohesh së andejmi, është thuajse e pamundur ta vijosh jetën ndamas me ta, pasi i ke njohur mirë. Teksa kthehesh në të përditshmen tënde, të duket se ke lënë matanë gjysmën e vetes sate. Dhe jo një gjysmë të thjeshtë, por pikërisht atë gjysmë që të jep përgjigje për shumicën e pyetjeve të tua ekzistenciale.
Çdo bujtje me ta është një shtëllungë mjegulle që të zhdavaritet. Gjuhësisht dhe etnografikisht.
Në të pastë marrë malli me u prrallë sërish me gjyshen e stërgjyshen, buj te arbreshët dhe prrallu me ta.
Në paç pikëpyetje mbi shtegëtimet e formave të gjuhës shqipe dhe mbi pështjellimet e kuptimeve te këtyre formave, buj te arbreshët dhe fol me ta.
Në daç ta përqafësh shpirtin tënd etnik të lashtë e përherë të ri, buj te arbreshët dhe shkëmbehu me ta.
Në daç ta kuptosh pse ke ngrënë atë që ke ngrënë nga dora e gjyshes, buj te arbreshët dhe shtrohu me ta.
Në daç t’i kuptosh ritet e mitet e prrallzat e urtitë që gjyshat t’i kanë trashëguar si urdhëresa dorëzanie të pashpjeguara (se urtia nuk diskutohet me shpjegime), buj prapë te arbreshët e matu me ta.
Në daç t’i qetësosh disi ndjesitë e tua kontradiktore, pse ndjehesh ashtu siç ndjehesh dhe nuk di cilës ndjesi t’i çelësh udhë, buj te arbreshët dhe dorëzoje veten te ta.
Në daç ta provosh mallin e paemër, mallin e fortë pa i dhënë dot një emër të saktë, buj te arbreshët e pastaj përshëndetu me ta dhe “ec us!”.
Bujta te ta disa herë, në të përditshmen e të përnatshmen e tyre të natyrshme e tani gjendem përherë diku mes Arbanës së Tiranës dhe Arbërisë së Rurit, Purkanunit e Munxhufunit. Kjo gjendje kapërcyellore është bekimi më i madh që arbreshët vendosën të ma jepnin.