Ligji nuk ka fytyrën e njeriut, sepse fytyra e njeriut e përdhos ligjin. Ligji flet dhe vepron në emër të drejtësisë, e në saj të kësaj drejtësie, njeriu përfiton të mirat materiale dhe shpirtërore në jetën e tij.
Por ligji përdoret edhe si kopan në emër të njeriut, e ky kopan godet dhe vret jo trupin, por shpirtin.
Të godasësh në emër të ligjit, duhet mbështetja e vetë ligjit, i cili drejton atje ku gabohet duke shkelur ligjin. Por ligji nuk mund të mbrojë të keqen që duhet shkulur nga rrënjët. Ndaj ata që veprojnë në emër të ligjit, duhet të njohin çdo gërmë dhe formulim të tij, në mënyrë që vetë puna që bëjnë të japë fryte.
Kur kopani godet në emër të ligjit nuk ka ndjeshmëri. Dora që mban kopanin ka forcën e njeriut por jo të ligjit, e njeriu nuk duhet ta harrojë këtë mësim. Vlera e këtij mësimi, zemërimin e kthen në forcë mendimi, i cili të dhuron fuqinë e së drejtës edhe kur ajo shkelet nga pandjeshmëria e forcës së dorës që godet me kopan.
Kur njeriu lëndohet nga pandjeshmëria, është më e lehtë për të vepruar, sepse ligji i të drejtit zotëron më shumë fuqi se sa vetë padrejtësia.
Nuk ndodh që fuqia të barazohet nga dy rryma të ndryshme, përkundrazi, barazpesha e mendimit të të drejtit krijon forcë shtypëse kundër padrejtësisë së pandjeshmërisë, shkruar dhe vulosur nga ligji i drejtësisë, i cili nuk humbet dhe nuk zhduket, edhe se kopani mundohet të godasë nga të gjitha drejtimet duke humbur fuqinë e arsyetimit të të drejtit.
Trumbeta bie, por shurdhët nuk dëgjojnë! Duhet shembur muri i pandjeshmërisë, që zhurma e trumbetës që bie fort të dëgjohet për reflektim!