Home Gjeo-Ekonomia Kujtimet s’kanë nevojë për valixhe! Copëza Jugu

Kujtimet s’kanë nevojë për valixhe! Copëza Jugu

Nga Eva Hoxha

Asnjëherë nuk mundem të rri e ngujuar gjatë gjithë pushimeve në çadër. Më pëlqen të lëviz, eksploroj në afërsi të fshatrave bregdetarë ku pushoj.
Atë ditë mendova të ngjitem në fshat, ku shtëpitë e gurta, portat herë të kafenjta, të mjalta, apo blu, fasada lyer me të bardhë anash më thërrisnin të ngjitesha. Nëpër avllitë vareshin lulet “Bougainvillea”me të purpurtën e ndezur e sikur feksnin më shumë me bardhësinë e mureve. Në një nga portat hasa një zonjë të moshuar me shami të zezë e me një valëzim të lehtë thinjash mbi ballë.

  • Si të quajnë më pyeti?
  • Eva!
  • A Evanthi,- më tha.
    Eh, kisha dëgjuar variante të emrit tim: Evushka, Evu, Evuqe, Effa, Ev,
    që më thërrasin me përkëdheli mike, po u shtua dhe Evanthi!😁
    Nga brenda shtëpisë vinte aroma e gatimit të mishit me erëza e hudhër.
    Aty ishte një çift skocez, që kishin ardhur për pushime e kishin vendosur të rrinin ca kohë këtu.
    Eshtë një jetë që rritet ngadalë, dashuria për tokën është e trashëguar si pasuri e madhe.
    Më bëri përshtypje që për aq pak kohë kishin bërë souvenir të thurura bukur, lule të thata aromatike
    Vaji i ullirit në disa shishe interesante të qelqta, e bënte t’a kundroje e sikur lëshonte aromën e ullirit të jeshiltë.
    Teksa rrinim, e huaja këndonte një melodi shqiptare.
    Më përshkoi trupin tej melodia dhe emocioni.
    Çdo gur, çdo lule e egër, çdo rreze dielli, rrëfen histori mbijetese.
    Era i këndon maleve, por ti gjen paqe, me diellin që përgatiste perëndimin e unë doja t’a shikoja deri në fund, ku e arta, e portokallta, e verdha të treteshin në horizontin e pafund bashkë me meditimet e përjetimet e mia.
    Në këtë vend të magjishëm dielli zbret i fundit. 💥
    Porto Palermo
    Dikur e ndërtuar si pikë strategjike për ëndrrat ambicioze të Ali Pashait, sot është një stacion magjepës për vizitorët që të prekin historinë me sy e zemër, si një roje e heshtur.
    Gurët e saj kanë dëgjuar urdhëra, betime e psherëtima dashurie.
    Deti është një mrekulli, i parë nga lartësia e mureve.
    Fotografia pushon dhe përjetimi fillon këtu.
    Nuk e di, në mendje më erdhën tingujt e violinës së Olen Çezarit të tingullta, me një thellësi të fshehtë, që i kisha dëgjuar më parë këtu.
    M’u duk sikur më ftonte në hijet e së kaluarës në një valle të qetë mbi det.
    Një qëndresë e bukuri e heshtur.
    Pak më tej kur zbres ulem e shikoj disa peshkatarë që bënin gati rrjetat.
    Nuk di pse rrjetat në agimin e lagësht janë zemër buta.
    Doja të bisedoja me dallgën dhe në një çast m’u duk që m’u përgjigj.
    Mbajta frymën! Kush e di ç’më tha me zhurmë të plotë e që u shua ngadalë!
    U përshëndeta me peshkatarët dhe bujarisht më flisnin e tregonin për çka i pyesja.
    Dhe ata ndiheshin më të fortë e të sigurt në det 🌊 se në tokë.
    Gjithmonë kapele të veçanta dhe një rreshkje të lëkurës nga kripa e dielli.
    M’u fanit Anthony Quiin me ” Plaku dhe deti” dhe me atë shprehi mendimi u ndava me ta.
    Ecja dhe ora kish kaluar.⏳
    Për pak do të shkoja në hotel, po kisha mbresa të veçanta.
    Udhëtim me shije deti e gurë të vjetër.
    Se ç’kisha një dëshirë të ecja me shpirtin zbathur!
    Pilur
    Tek ngjiteshim me makine rrugës për në Pilur, në majën e sipërme dhe në rrugën e ngushtë e me aq lartësi, duhej kurajo të fotografoje atë peisazh të mrekullueshëm, që shikohej poshtë.
    Me të mbërritur në qendër të Pilurit shikon dy lokale tipike fshati, ku në njerën shkruhej : ” Bejkë e bardhë”
    Eh, qesha me vete dhe në mend më erdhi polifonia e asaj kënge.
    Vendosa të ecja e sodisja më tej.
    Zhegu ish përvëlues dhe në rrugën me zhavorr e përzier me dhè ecja për të kërkuar më tej.
    Vura kapelen si e vetmja mundësi për të shpëtuar nga ai diell përvëlues.
    Përpara m’u shfaq një hark gurësh e nën të një portë e mbuluar nga ferrat.
    Kush e di sa kohë ka pa vënë dorë!
    Vazhdova të ecja me ngulm edhe se rruga ish e pluhurosur, me diell, zhuritje.
    . Sa mirë që vesha atletet, se sandalet këtu do më ishin këputur.
    Befas një portë e bukur në krah kish një gdhendje të bukur ne gur : “Taverna Çipa”
    U gëzova. Hyra dhe e zonja e shtëpisë mendoi se isha e huaj, ngaqë isha vetëm! Më priti aq ëmbëlsisht në atë pastërti vezulluese.
    Më solli një gotë çaj mali të ftohtë, që ja kam shijen e njelmët edhe sot.
    Më pas biseduam dhe me të zotin e shtëpisë që me shënim më dhuroi librin e tij.
    U ndava aq miqësisht sikur ishim njohur prej kohësh.
    Kur kthehesha qeni më shoqëroi deri në qendër si shok besnik.
    E pra deti, pishina, bikini, koktejle, të mira janë, por edhe ca gjëra që të afrojnë me natyrën të bëjnë më origjinal, të bëjnë të bësh histori meditative tënden, të japin adrenalinë, emocion spontan, më sportiv se një posturë e ngrirë në shezlong.
    eva H korrik ‘ 25