Nga Luan Rama
(Memorialit të viktimave në Distomo u mungon memoriali i viktimave çame në Çamëri)
Ka një “non-sens” të madh sot në Greqinë republikane dhe demokratike: si mund të qëndrojë ende në këmbë permendorja e një krimineli të madh si e Napoleon Zervës në Igumenicë, dhe për më tepër pikërisht në vendin e krimit? Si mund të qëndrojnë vrasësit në sheshet dhe parqet e jetës publike sikur të duan të thonë se ne jemi mbrojtësit e lirisë dhe lumturisë tuaj? Është e habitshme që shteti grek e ka nderuar kaq shumë ketë kriminel te popullsisë çame, këtë bashkëpuntor të ngushtë të nazizmit që në periudhën qershor 1944-mars 1945 kreu një nga krimet më barbare që mund ti bëhet një populli? Si mund ta durojnë sot pushtetarët e Greqisë së Demokracisë këtë spektër të krimit të qëndroj si paralajmërues i ndonjë krimi të ri? Shteti grek e di mirë kush ishte Napoleon Zerva, i di mirë krimet e tij gjatë Luftës Civile ndaj ushtrisë së ELAS; di mirë që në kohën e pushtimit nazist ai e braktisi Rezistencën greke kundër pushtuesit nazist dhe me formacionin e tij ushtarak u bashkua me ushtrinë naziste, e megjithatë qeveritarët grekë e kanë lënë atë përmendore të qëndrojë me dekada e ndoshta për shekuj. Mjerisht krimineli i madh qëndron kështu i patundur e stoik edhe sot për historiografinë zyrtare greke.
Memoriali i viktimave greke në Distamo duhet të ngrihet dhe në Çamëri
Kur Greqia u pushtua nga Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore, më pas, më 10 qershor të vitit 1944 ushtria e Wermaht-it dogji për hakmarrje fshatin grek Distomo ku vdiqën rreth 270 viktima të pafajshme mes te cilëve foshnja, fëmijë, gra shtatzëna, gra të përdhunuara e pastaj të vrara, burra me koka të prera, pleq. Dhe është e habitshme se pikërisht në qershor të vitit 1944, dy javë më vonë, në Çamëri u bë një nga masakrat më të mëdha historike por jo nga nazistët por nga ushtria nacionaliste e Zervës, masakra që do të vazhdonin dhe në pranverën e vitit 1944 duke përfunduar me një spastrim etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre. Dhe kjo u krye nga kolonel Zerva dhe formacioni ushtarak që drejtonte. Rreth 3000 çamë u vranë dhe u prenë në të njëjën mënyrë ç’njerëzore si në Distomo: gra të përdhunuara e të vrara, fëmijë të vrarë me bajoneta, të varur në degët e pemëve, njerëz me koka të prera apo të djegur me benzinë. E njëjta barbari dhe urrejtje si nazistët në Distomo. Në nëntor të vitit 1944, revista amerikane “Life” botonte një shkrim mbi viktimat në Distomo bashkë me fotografinë e një vajze të re që qëndron në murin e shtëpisë duke parë e habitur dhe e tmerruar njëkohësisht barbarinë e vrasjes së familjes së saj. Quhej Maria Padiska. Në Çamëri askush nuk erdhi nga agjencitë e huaja atë kohë. “Life” nuk do të botonte si-motrat shqiptare të Maria Padiska-s. Dhe ato ishin shumë. Asnjë gazetë angleze apo greke nuk e relatoi këtë barbari të kolonelit Zerva i cili më vonë do na bëhej dhe gjeneral e ministër i Brendshëm, duke vazhduar vrasjet e tij ndaj armiqve te kampit të majtë si në kohën e Luftës Civile. Napoleon Zerva ishte bërë një mjeshtër i vrasjeve masive sepse ai e dinte që nesër, Greqia e madhe do ti ngrinte një përmendore lavdisë së tij. Dhe ashtu do të ndodhte.
Pas çlirimit të Greqisë, analistët dhe historianët grekë iu referuan gjerësisht tragjedisë në Distomo dhe atëherë u përdor termi në greqisht “olokaftoma”, ekuivalenti i fjalës “holokaust” që do të përdorej thuajse 30 vjet më pas nga intelektuali francez Claude Lanzman kur ai nisi të regjistronte nëpër botë dëshmitë e të mbijetuarve nga kampet naziste të shfarosjes që për më shumë se tri dekada nuk kishin mundur të flisnin për tragjedinë e tyre dhe tmerret që kishin përjetuar. Për ngjarjen në Distomo, poeti i madh Janis Ricos do të botonte poezinë “Epigram për Distomo-n” ku ai shkrunte:
“Ti kalimtar aty ku po ecën bëj kujdes / këtu është heshtja që fryn/ gjithçka fryn në kalldrëmin e çdo rruge / sakrifica dhe durimi i qenies njerëzore /gdhendur me emra të thjesht që nderi i lartëson /nga ngashërimi në ngashërim / shkallë më shkallë/ në këtë shkallare gjignde.”
Por intelektualët dhe historianët grekë nuk do të thonin asgjë për tragjedinë e ndodhur në Çamëri, gazetat nuk do të shkruanin asgjë për “Distoma-t” shqiptare në Çamëri. Gjithçka u mbajt në heshtje, u fsheh dhe nuk do të përmendej më dhe Lanzman nuk mundi të dëgjonte për këtë masakër të jashtzakonshme që të fillonte të regjistronte dëshmitë shqiptare. Edhe pse një tragjedi dhe shfarosje më e madhe se në Distomo, tragjeditë njerëzore në masë të shkaktuara nga urrejtja, pavarësisht nga numri, janë të njëjta. Për viktimat e Distoma-s do të shkruhej gjithnjë edhe nga mediat e huaja. Në vitin 2007 regjisori Stefan Haup realizoi filmin dokumentar per jetën dhe historinë e një fëmije që pa vdekjen e prindërve para syve të tij dhe që më pas përfundoi në një jetimore të Zvicrës. Ishte Argjiri Sfunturis të cilin e shohim në filmin “Ein Lied fûr Argyris” (“Një këngë për Argjirin”) dhe që pas lufte nuk i shpëtoi imazheve të barbarisë naziste. Fëmijë si Argjiri, kohët e fundit i kam takuar disa në Shqipëri. Madje një të tillë e takova dhe në Boston para tre javësh dhe që kujtonte barbarinë ndaj familjes së tij. Vetëm tani, kujtesa shqiptare po zgjohet dhe disa filma po tregojnë dëshmitë e atyre që u mbijetuan masakrave kur ata ishin fëmijë, pasi të tjerë tashmë nuk jetojnë më. Ata janë gjenerata e fundit e kujtesës vizive, dëshmitarë okularë dhe të pakundërshtueshëm edhe pse arkivat i mbajnë ende të fshehura fotografitë dhe dëshmitë e një progromi të tillë.
Në vitin 1970, eshtrat e të vrarëve dhe të masakruarve në Distomo u zhvarrosën dhe u vendosën me ceremoni në memorialin që u ngrit në homazh të kujtimit të tyre por të vrarët e kolonel Zervës vështirë ti mbledhësh për ti vendosur në këmbë të memorialit për të msakruarit e Çamërisë. E megjithatë varret janë aty ku kanë qenë por si mund të nderoheshin kur qeveria greke e pas luftës, qeveria e të famshmit Ligji i Luftës me Shqipërinë qëndron akoma dhe që është absurditeti më i madh në marrëniet ndërkombëtare. Qeveritë e njëpasnjëshme greke nuk i lanë çamët e ikur nga tmerri që të ktheheshin dhe të nderonin prindërit dhe familjarët e tyre. Nuk i la që të ngrinin një memorial në emër të tyre dhe të mos-harrimit.
Viktimat e Distoma-ve shqiptare nuk e kishin privilegjin të preheshin bashkë, në paqe dhe të ishin në prehrin e një memoriali. Në vitin 1998, presidenca greke nxorri dekretin presidencial duke njohur Distomo-n dhe disa vende të tjera të viktimave në masë, për ti konsideruar si vende të kujtesës, si homazh i viktimave të luftës, siç ishin dhe emrat e fshatrave Doxato, (në Drama); Kleisura (Kstoria); Nea Anchialos (Manjesia), Anogeia ( Rethimnon), Ipati (Ftiotide), Kandanos (Kane), Kalavrita (Akaia). Presidenca greke “harroi” të vinte dhe emrat e dhjetra fshatrave e qyteteve të Çamërisë në këtë listë. Jo, mesa duket, për presidencën greke, viktimat greke që vriten nga të huaj nuk kanë të njëjtin çmim nga ata të popujve të tjerë të vrarë barbarisht nga grekët. Ja pse qeveritarët grekë e shqiptarë duhet të ulen dhe ta korigjojnë këtë “non-sens” historik. Ata duhet të kenë kurajo dhe të kthejnë kokën e ta shohin drejt e në sy atë çka ndodhur në Çamëri për të vënë në vend nderin e viktimave dhe për ti bërë homazh familjeve të tyre. Dhe së fundi, ja pse duhet të shkulet permendorja e një krimineli si Napoleon Zerva në Igumenica, një fyrje kjo e tmerrshme për historinë dhe që aty të ngrihet një memorial për tragjedinë çame. Në muzeun e Distomo-s janë fotografitë e kafkave të viktimave të nazistëve. Të pakën në muzeun e memorialit të Çamërisë të vihen fotografitë e të vrarëve në jetën e tyre të dikurshme: fëmijë, vajza, gra e nëna, foto të martesave që nuk u jetuan gjer në fund. Vetëm kështu, përmes pardonit dhe homazhit plagët mund të mbyllen dhe ti shërbejnë miqësisë sonë të hershme por të tronditur nga ngjarje të tilla. Po, përmendorja e kriminelit Zerva duhet të shkulet nga ai shesh i Igumenicës, duhet të hiqet zvarrë siç janë hequr statujat e perandorëve vrasës, që të mos qëndrojë më në vendin ku kreu krimet. Nëse ju nuk e hiqni, do të jenë të tjerë pas jush që do ta heqin, por pasardhësit tuaj do të kenë turp për qendrimin tuaj ndaj viktimave të pafajshme. Dhe atëherë ata do të kujtojnë përsëri atë që thuhej për Distomo-n: “Olokaftoma”!

