Home KRYESORE Cilët deputetë ndërtojnë në lagunën e Karavastasë,me lejen e Edi Ramës?

Cilët deputetë ndërtojnë në lagunën e Karavastasë,me lejen e Edi Ramës?

Kishte fjalë se dy deputetë të PS fshihen pas një projekti gjigand në Karavasta. Shoqata PPNEA denoncoi këtë javë një masakër që po kryhet në Lagunën e Karavastasë.

Është një ndërtim që, sipas shoqatës, po kryhet në thyerje të të gjitha ligjeve në Parkun Kombëtar Divjakë – Karavasta. Po kush po ndërton në Lagunën e mbrojtur me ligj të veçantë? Burime të shoqatës thanë  se pas projektit janë dy deputetë të mazhoranës, njëri i zonës dhe tjetri deputet i një zone të veriut të vendit. Sipas të njëjtave burime, deputeti i zonës ka kërcënuar edhe drejtuesit e parkut, të cilët e kanë kundërshtuar fillimisht ndërtimin.

Po cilët janë këta dy deputetë? Mos është njeri që po mbledh vota deputetësh lart e poshtë nëse Rama rrezikohet të humbasë qeverinë? Dhe kryeministri Rama po ua kthen shpërblimin me toka publike? Apo mos fshihet vetë kryeministri pas këtij ndërtimi gjigand i cili po prish krejt Lagunën?

Shoqata PPNEA thotë se këto ndërhyrje janë të paqarta dhe nuk janë bërë publike me projekte konkrete. Ajo publikoi disa foto në të cilat shihen makineri gërmuese të instaluara prej ditësh në lagunë dhe që po gërmojnë për të hapur një kanal që i shërben ndërtimit të një platforme.

Pse nuk nis kryeministria inspektorët e saj të shumtë për të kontrolluar se kush po prek Lagunën, nëse nuk ka gisht pas këtij ndërtimi? Në Tiranë para tre ditësh për një dritare të rihapur e cila kishte qenë mbyllur nga qeraxhiu me kartongjez dhe kur pronari e hapi dritaren, u nisën furgon policie të kryeqytetit, policia bashkiake, policia ndërtimore, policia e mjedisit, policia kombëtare e ndërtimeve,etj!

E rrethuan dritaren që po hapej sikur të kishte ndodhur krimi më i madh në këto 25 vite në Tiranë. Ndërsa në Lagunën e Karavastasë bëhen ndërtime duke prekur Parkun Kombëtar dhe nuk shkon njeri. Në kryeqytet po ndërtohet e shtohen kate në mes të ditës dhe asnjeri nuk flet apo kontrollon.

Por për Lagunën e Karavastasë pse heshtin deputetët e tjerë të zonës? Ka ndonjë dorë euro të fshehur pas heshtjes?!/Koha Jone

Share: