Nga Alteo HYSI-
Lajmi se 29 vjeçarja Jonida Çanaku ishte mbytur nga një 65 vjeçar me të cilin kishte një lidhje dashurie prej tre vitesh, është i rëndë dhe padyshim ka një ndjeshmëri të lartë, për natyrën e historisë dhe formën e krimit.
Akoma më të rënda dhe tronditëse ishin pamjet e publikuara që vërtetonin se Jonida ishte torturuar si të ishte kafshë, e lidhur me këmbë e duar, me spango në fyt dhe shenja dhune. Kjo është makabre, një zot e di se ç’dramë e rëndë psikologjike, shkaktuar nga xhelozia, e ka shtyrë 65 vjecarin ti marrë jetën pa të drejtë një vajze të re.
Por po aq çnjerëzore është ta vrasësh për të dytën herë viktimën duke e përçmuar, lënë vetëm në ditën e funeralit. Në fshatin Kryekuq të Divjakës, aty ku ajo kishte jetuar për 29 vite, e përcollën vetëm 25 persona.
Patën turp ta përcillnin një vajzë që shkonte me një burrë të martuar, pa kuptuar se e zhytën veten në një turp më të thellë, edhe neve bashkë me ta, shoqërinë tonë si e tërë. Koka e ulur nga turpi i familjarëve për jetën që kishte bërë Jonida, na nxorri hapur te një e vërtetë, pjesë e jona: atë se sa mesjetar është mentaliteti në këtë vend.
Dhe kjo nuk është vetëm çështje e mendësisë tipike të provincave, ku ajo se çfarë mendon dynjaja është më e fortë se liria për të zgjedhur të bësh jetën që do. Është diçka më e thellë, është vënia e “moralit”, “turpit” në majë të hierarkisë së vlerave të jetës, kur jo vetëm nuk e dimë çfarë është reliasht morali dhe turpi, por e interpretojmë mbrapsht.
Në shoqërinë shqiptare, “morali” bëhet më i rëndësishëm se sa jeta. Më e hidhët akoma është pavetëdija rreth konceptit moral.
Është gracka e një mendësie të prapambetur ta gjykosh jetën dhe zgjedhjet e Jonidës, por është turp, turp më i madh se sa ai që i veshin Jonidës, ta lësh atë të shkojë gati e vetme në banesën e fundit. Më shumë se turp, edhe zhveshje, edhe hapje drejt një plage që në këtë vend ka marrë erë prej kohësh dhe nuk mund ta mbyllë dot askush: Injoranca kolektive, gjykimi i nxituar, qorr, udhëhequr nga status-quo sociale të ngurta, trashëguara gabimisht, si përcaktuese të jetës së çdo brezi. Të njëjtat para/gjykime që legjitimojnë se shoqërimi i Jonidës me një burrë 36 vjet më të madh se vetja është turp, e ndaj ajo nuk meriton të nderohet ditën e varrimit.
Kjo histori, braktisja e Jonidës nga fshatarët e zonës ka padyshim brenda dozën e vet të injorancës që ka kapluar këtë vend. E njëjta njorancë që s’di të bëjë dallimin midis moralit dhe normës, s’di të ndajë kufirin mes normave sociale dhe hipokrizisë. Shenjë e kësaj të fundit është situata në fshatin tjetër, në Krutje të Siperme, ku Sokrati u përcoll si hero. Banorët e fshatit e qanë, e nderuan, e ngritën lart duke e cilësuar burrë të mirë, zotni, zemërmadh, bamirës me fermerët, a thua se krimi horror që kreu nuk e kish cënuar fare, as fare figurën e tij.
“Turpi” i banorëve që refuzuan ti hidhnin një grusht dheu Jonidës, nuk është thjesht turpi i Jonidës, është turpi ynë, i përbashkët, që na e vë litarin në grykë për të kuptuar se në ç’kënetë të qelbur hipokrizie, injorance, mungese dëshire por edhe pamundësie për emancipim, lajthitje kolektive jemi zhytyr. Kjo shoqëri mesjetare që vishet me “armani” falsë dhe mban çanta “versaçe” të kopjuara, ka frikë nga ndryshimi i ideve, nga përmbysja e mendësive që cënojnë deri edhe jetën vetë.
“Turpi” i Jonidës na çnderoi të gjithëve si shoqëri! Na hoqi nga vetja një barrë, hipokrizinë kolektive të veshur me fjalën nder! U desh të vritej një vajzë që të dilte lakuriq raporti i shtrembër që kemi si shoqëri me moralin. Na e përplasi në sy “nderin” fals pas të cilit fshihemi.
Doni të shini nivelin e emancipimit të një vendi? Mos e shihni nga biznesmenët që ka, nga luksi që ka, nga dritat që vezëllojnë qyteteve, nga seks-simbolet e ekranit, por nga mënyra se si njerëzit e trajtojnë njëri tjetrin. Nga fryma me të cilin rriten brezat e rinj në familje, nga mentaliteti që përcakton stile të jetesës, raportet me jetën njerëzore, rëndësia që i jepet kësaj të fundit përballë mentalitetit.
Mënyra si e trajtuan Jonidën dhe Sokratin, “kurvën” dhe “zotninë”, është treguesi i mentalitetit regresiv ku jemi zhytyr, që herët a vonë do të shpërthente diku./Opinion.al