Nga: Dr. Enriko Ceko
Bujqësia po trumbetohet kohët e fundit si sektori që mund të shërbejë si motorri i ekonomisë shqiptare. Vërtet që kjo është një mundësi e mirë, duke marrë për bazë idenë që në këtë sektor të përdoren teknologji bashkëkohore, aplikime të shkencës në praktikë nga ana e specialistëve dhe e fermerëve, bashkëpunim midis fermerëve dhe punonjësve të shërbimit këshillimor, mbeshtetje të sektorit me investime publike dhe kredi nga ana e sistemit bankar, sistem marketingu dhe informacioni për tregjet dhe çmimet e produkteve bujqësore dhe blegtorale, treg të zhvilluar të lëndëve të para dhe materialeve që përdoren në procesin e prodhimit bujqësor e blegtoral, e shumë e shumë gjëra të tjera.
Bujqësia është një sektor që kërkon shumë mbështetje që të sjellë shumë përfitime dhe nëse të paktën njëra nga hallkat e mbështetjes të jetë në mungesë apo në mangësi, atëhere përfitimet kurrë nuk mund të jenë ato që pret publiku në përgjithësi dhe familjet dhe individët që banojnë në fshat në veçanti.
Edhe pse bujqësia, sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Institutit të Statistikave, sjell rreth 20% të Produktit të Përgjithshëm Kombëtar të Shqipërisë, angazhimi i rreth 40% të forcave të punës në këtë sektor për të sjellë vetëm 1/5 e GDP tregon fare qartë nivelin e ulët të produktivitetit në bujqësi, që është në fakt mungesë efektiviteti dhe mungesë eficience.
Fakti që bujqësia sjell 20% të GDP, nuk bën gjë tjetër veçse e rendit Shqipërinë midis vendeve të pazhvilluara, sepse në vendet e zhvilluara edhe pse bujqësia mund të sjellë 2 ”“ 3% të GDP, në vlerë monetare bëhet fjalë për shuma të mëdha parash për vetëm 1 ”“ 5% të popullsisë që jeton në zonat rurale dhe për vetëm 1 ”“ 2% të forcave të punës që merren me bujqësi.
Shqipëria ka patur deri në vitin 1990 rreth 700.000 ha tokë bujqësore ose rreth 24% të territorit të vendit. Sot për qëllime bujqësore sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe INSTAT-it përdoren vetëm 400.000 ha tokë. Pjesa tjetër ka mbetur djerrë dhe / ose është kthyer në tokë për qëllime të tjera, kryesisht për ndërtime. Toka bujqësore që u nda me Ligjin 7501 ishte e mobiluar me kanale ujitëse dhe kanale kulluese dhe deri në vitin 1990 rreth 400.000 ha tokë ishin të ujitëshme (që ujitej), ndër të cilat rreth 200.000 ha nën ujë (që ujitej sipas kërkesave të procesit të prodhimit). Është pikërisht kjo sipërfaqe toke e cila ka ndryshuar destinacionin dhe një pjesë e saj të mos përdoret më për qëllime prodhimi produktesh bujqësore dhe blegtorale.
Pellgjet ujëmbledhëse të Shqipërisë ofrojnë rreth 14.000 m3 ujë / frymë, që përbën një ndër pasuritë më të mëdha që mund të ketë një vend dhe një komb, por shkatërrimi i rrjetit ujitës dhe kullues ka sjellë mospërdorimin e këtij burimi të vlefshëm dhe krijimin e precedentëve shumë të rrezikshëm për sigurinë kombëtare në lidhje me përmbytjet e rajoneve të tëra bujqësore në zona të ndryshme të vendit nga jugu në veri.
Në këto 25 vitet e fundit nuk është bërë asnjë vepër e mirëfilltë ujitëse dhe kulluese, por vetëm rehabilitime të rrjeteve ujitëse dhe kulluese, dhe, edhe kur janë bërë këto, nuk janë marrë parasysh kriteret shkencore, por kriteret politike dhe synimet e fushatave elektorale. Kjo është edhe arsyeja kryesore që sapo bie shi në Shqipëri në male e kodra, për një a dy orë përmbyten fshatra e krahina të tëra në fushë.
Shqipëria ka eksportuar vitet e fundit rreth 2.4 miliardë USD / vit produkte të ndryshme dhe në këto eksporte një pjesë e vogël janë produkte bujqësore si perime, fruta, duhane, etj, që dy vitet e fundit kanë pësuar një rritje të vogël, por sidoqoftë pozitive. Shqipëria ka importuar vitet e fundit rreth 5.2 miliardë USD / vit produkte të ndryshme, nga të cilat një sasi të konsiderueshme produktesh bujqësore dhe ushqime dhe ujë të ambalazhuar. Kjo do të thotë se në vend ka kërkesë për produkte bujqësore dhe blegtorale të freskëta dhe të përpunuara, që përbën kushtin kryesor të zhvillimit të sektorit në fjalë.
Në Shqipëri ka rreth 350.000 subjekte që merren me punimin e tokës bujqësore në fshat, që e kanë sipërfaqen mesatare të tokës bujqësore rreth 2 ha tokë, e cila më shpesh është e ndarë në 5 ”“ 6 parcela që kanë një largësi mesatare midis tyre rreth 4 kilometra, një ndër handikapet më të mëdha të bujqësisë shqiptare, sepse atyre që merren me bujqësi u duhet shumë kohë të shkojnë të punojnë në parcelat e ndara larg njëra tjetrës dhe të kontrollojnë prodhimin në to, ta transportojnë, ta magazinojnë, ta nxjerrin në treg, etj.
Ata që ende edhe sot banojnë në fshat, duke qenë të pasigurt për jetën e tyre dhe të familjeve të tyre rreth 30 ”“ 40% të sipërfaqes së tokës e mbjellin me grurë (në tërë vendin mbillen rreth 150.000 ha me drithëra, nga të cilat 90.000 ha me grurë për bukë dhe rreth 50.000 ha me misër që përdoret kryesisht si ushqim për blegtorinë). Pjesa tjetër e tokës bujqësore mbillet kryesisht me perime e bostane (rreth 30.000 ha), patate (rreth 10.000 ha), fasule (rreth 15.000 ha) dhe foragjere të njoma (rreth 200.000 ha, për bagëtinë), etj.
Forcat e punës në fshatrat shqiptare janë kryesisht të paafta fizikisht për të përballuar punë fizike që kërkon ky sektor dhe mbajtja e familjes në fshat, sepse në fshatrat shqiptare kanë mbetur vetëm pleq e plaka e fëmijë nën 18 vjeç, pasi pjesa më aktive e popullsisë, mosha 18 ”“ 45 vjeç, kanë ikur jashtë shtetit dhe / ose kanë ardhur në kryeqytetetin tashmë të mbipopulluar të Shqipërisë.
Prodhimi i grurit në Shqipëri ka rënë nga 400.000 tonë në 280.000 tonë dhe në vend që të shtohej prodhimi i produkteve me vlerë tregtimi si perimet e frutat është shtuar prodhimi i misrit. Edhe pse ka shtim të sipërfaqes me drufrutorë këto janë investime individuale dhe jo në sipërfaqe të konsiderueshme për të patur një bujqësi që sjell nxitje të industrisë përpunuese dhe të agrobiznesit në tërësi. Këto investime individuale në pemtari janë pa kriter sepse janë mbjellë kultivarë dhe hibridë shumë të ndryshëm, të cilët nuk mund të blihen e përpunohen së bashku sepse kanë karakteristika të ndryshme fiziokimike dhe organoleptike. Edhe nëse ka të interesuar për grumbullim e përpunim, nuk ja vlen të merresh me këtë biznes sepse duhet të merrehs me shumë lloje, hibride e kultivarë rrushi, molle, ftoi, kumbulle e kjo përbën një kosto shumë të lartë grumbullimi, magazinimi e përpunimi.
Sipas Ministrisë së Bujqësië dhe INSTAT-it numri i mjeteve të mekanikës bujqësore ka rënë në periudhën 2003 ”“ 2009 dhe më tej ka ardhur në rritje, duke kapur përsëri shifrat e disa viteve më parë, por flota e makinerive bujqësore shqiptare nuk është rritur shumë dhe kapaciteti dhe fuqia motorrike e këtyre mjeteve të punës është e ulët dhe për shkak të copëtimit të tokës bujqësore përdorimi i mekanikës bujqësore është i kufizuar, duke bërë që të mos shfaqet asnjë avantazh krahasuar me fermat ku sipërfaqja e tokës është më e madhe dhe në bllok e jo në disa parcela larg njëra tjetrës.
Në vitet e fundit përdorimi plehrave kimike si superfosfati, ureja dhe nitrati ka rënë, krahasuar me periudhën para vitit 1990, ndërsa ka një rritje të përdorimit të diamon fostatit (DAP – një pleh kimik që nuk ka efektin dhe nuk sjell rezultatin e superfosfatit, nitratit e uresë). Konkretisht, në vitin 1998 janë përdorur rreth 40.000 tonë superfosfat, ndërsa në vitin 2013 dhe më tej vetëm 20.000 tonë / vit, ndërsa nitrat, për të njëjtën periudhë, është përdorur rreth 50.000 tonë / vit dhe më tej vetëm rreth 35.000 tonë / vit.
Ka shumë pak specialistë bujqësie që punojnë me fermerët dhe ka shumë spekulime në lidhje me këtë sepse ka me dhjetra sharlatanë që tregtojnë farna, fidanë e kimikate bujqësore që nuk janë të përshtatshme për kushtet e vendit tonë dhe / ose që janë të skaduara ose me cilësi të dobët.
Në tërësi po sipas INSTAT rreth 85.000 familje rurale e kanë lënë tokë djerrë dhe vetëm 50.000 familje rurale merren vetëm me prodhim bimor, pra që janë të specializuara sepse në tërësi rreth 300.000 familje rurale merren edhe me bujqësi edhe me blegtori dhe nga këto rreth 150.000 familje rurale kanë edhe drufrutorë. Familje fermere që merren vetëm me blegtori nuk ka asnjë.
Në lidhje me punimin e tokës sipas INSTAT-it rreth 200.000 ha punohen me qe me parmendë dhe rreth 30.000 ha ende punohen me dorë.
Fshatarët shqiptarë nuk kanë asnjë njohuri për mënyrën e vendosjes së çmimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale dhe përcaaktimin e çmimit të atyre që prodhojnë e lidhin shumë ngushtë me me hallet që kanë. Për shembull “e shes domaten kaq sepse kam për të rregulluar çatinë apo kam për të blerë tulla”, koncept që nuk reflekton koston dhe çmimin real të produktit. Gjithashtu, shumica e banorëve të fshatit shqiptar nuk mbajnë asnjë llogari në lidhje me shpenzimet dhe të ardhurat e tyre familjare. Në familjen fermere të tërë punojnë dhe nuk ka njerëz të specializuar për tregtimin e produkteve.
Në lidhje me mbështetjen financiare të fermerëve direktivat e fundit të BE-së janë shumë të ngurta dhe tepër specifike, duke paracaktuar se duhet të mbështeten me subvencione ata fermerë që respektojnë e mbrojnë mjedisin me praktika pune moderne. Pra, fermerë që duan mbështetje me forma nga më të ndryshmet qoftë edhe për karburantet etj, më parë duhet të provojnë praktikisht se me mënyrat e tyre të punës në bujqësi respektojnë dhe mbrojnë mjedisin e pastaj të aplikojnë për subvencione dhe të pranohen në skemat e mbështetjes financiare.
Lidhur me sa më lart, ka rreth 20 vite që pretendohet se prodhimi bujqësor dhe blegtoral në shkallë vendi është rritur me rreth 6% / vit dhe se vetëm vitin e fundit prodhimi bujqësor pati rritje vetëm 3% (dhe kjo për shkak të përmbytjeve). Me këto shifra të super te fryra duhet të kishim kaluar me kohë sasinë e prodhimit dhe të rendimenteve të kohës së diktaturës, por në fakt sot, në vitin 2015 ne ende nuk kemi bërë asnjë përparim në lidhje me këtë çështje dhe prodhojmë më pak si në sasi ashtu dhe për njësi sipërfaqeje (rendimente) krahasuar me vitet më të mira bujqësore të periudhës së diktaturës, duke mos lënë pa theksuar faktin se mënyra shqiptare e llogaritjes së prodhimit që vjen nga sektori i bujqësisë është me shumë pikëpyetje.
Pra, duke përballur shifrat zyrtare të asaj se ç’farë i japim bujqësisë me shifrat po zyrtare të asaj që marrim nga bujqësia, është fare e lehtë që të evidentosh faktin se pretendimet zyrtare për shifra të rritjes së prodhimit bujqësor me 6% në vit për 20 vite me radhë, janë shumë larg realitetit dhe se bujqësia, në kushtet aktuale të zhvillimit të saj, nuk mund të shërbejë si motorr për ekonominë shqiptare dhe kjo për faktin po zyrtar se fshati shqiptar është ende si në epokën e gurit. Për të kthyer bujqësinë shqiptare në motorr të ekonomisë duhet që më parë të ndryshojmë mendësinë e punës me fshatin dhe me banorët e zonave rurale, që është ende shumë shpejt për t’u vënë etiketën e respektuar të fermerit.